Politikë

‘Repolitix’/ Meçe: Primaret e PD në dorën e kasapit Flamur Noka! Elezi: Berisha nuk largohet vetë, duhet mundur, listat mbahen sekrete! Dhuli: PD i ndërron gjithmonë deputetët

19 Shkurt, 21:48| Përditesimi: 20 Shkurt, 07:37

  • Share

Çfarë po ndodh me Primaret në Partinë Demokratike? Numri i emrave të zëshëm dhe ligjvënës po deklarojnë largimin e tyre nga gara, duke krijuar hendek strukturash dhe pakënaqësi me vendimet e kryetarit Sali Berisha.

Numri i të tërhequrve po rritet nga dita në ditë, teksa bien në sy emrat e Helidon Bushatit, Ferdinand Xhaferraj, Petrit Doda apo Ori Nebiaj.

Kjo ishte një nga temat kryesore të trajtuara mbrëmjen e sotme në “Repolitix” të moderatorit Denis Minga, në Report Tv. Te ftuar ish-deputeti demokrat Arben Meçaj, ish-kryetari i PD Kukës, Ibsen Elezi, juristi Skerdi Dhuli dhe analist Redi Varaku.

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, bëri një panoramë të detajuar të situatës më të fundit për atë që po ndodh me garën e Primareve.

“Berisha nuk mund të largohet vetë, ai duhet të mundet. Sepse është budallik të thuash do largohet, ai nuk ikën vetë, normale në demokraci, duhet mundur. Siç thotë edhe Edi Rama, hajde më mundni. Ajo e vitit 2021 ishte marrëzi kolektive, Basha thoshte kështu, mirë ata, po ju çfarë bënit (i drejtohet Dhulit). Unë jam partizan i Primareve. Berisha ka gjetur Damianin e vetë, Albanën. Kur kandidova me Berishën m’i dhanë me kërkim një më një, jo me lista. Primaret kanë rëndësi për debatin e brendshëm dhe shfaqin personin, formimin e tij. Po të shohësh listat dhe emrat të vjen turp t’i shohësh. Metodikën e zbuloi Lulzim Basha, që listat i kontrollonte në qendër. Këta nuk i hapën listat, por i shqyen. Ata që do kandidojnë nuk e dinë anëtarësinë që kanë, sepse s’dalin listat e anëtarësisë. Berisha e bëri në atë mënyrë Primaret dhe listat që të përfshijë Gazment Bardhin”, tha Ibsen Elezi, ish-drejtues i PD Kukës.

Kurse ish-deputeti demokrat Arben Meçe u shpreh se Primaret e PD në fund do rezultojnë të kota, sepse Berisha nuk ka shpallur ende vendet për aleatët e tij. Teksa theksoi edhe faktin se pas votimit të kandidatëve, emrat shkojnë te “kasapi” Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD.

“Për mua është proces normal, pasi të zgjidhen këta 300 emra, do shkojnë te kasapi Flamur Noka, ku thuhet çfarë ke bërë, je apo s’je, kontributi politik. Përveç Gazment Bardhit nuk gjej të tjerë, se janë qendrestarët e Berishës. Primarja kërkon patjetër ekspozimin e listave se kush do votojë, është e detyrueshme. Po të shohësh më parë, kanë votuar anëtarë dhe simpatizantë, madje edhe të LSI-së. Në 2019 kanë votuar edhe simpatizantët. Ajo parti çdo vit ndryshon strukturat drejtuese. Partitë nuk duhet t’i ndryshojnë elitat. Para primareve, PD duhet të shpallë edhe aleancat, sa do jenë vendet për aleatët, duhet t’i shpallë që tani. Se ka aleatët, Ilir Metën që ka 4 deputetë dhe i do, Nard Ndoka që ka 2 vende dhe i do. Kur bën llogarinë në fund të del se Primaret bëhen kot”, u shpreh ai.

Juristi pranë PD, Skerdi Dhuli ndau mendim tjetër, duke u shprehur se ajo parti e ndryshon çdo zgjedhje shumicën e grupit parlamentar, pasi e ka si traditë.

“PD ka një traditë që shumicën e grupit parlamentar të PD i ndërron çdo zgjedhje. Kjo ka ndodhur edhe më 2021, edhe më 2017. Nuk është hera e parë që PD po rigjeneron grupin e deputetëve. Berisha grupin parlamentar mund ta ribënte edhe me listë direkte. Në 2021 ishte marrëzi e Lulzim Bashës. Jam dakord me atë që ka propozuar zoti Myslim Murrizi për këtë proces. Ky sistem nuk të favorizon, për Vlorën psh., pasi të 4 deputetët janë në listën e mbyllur”, shpjegoi ai. 

Ndërsa juristi Redi Varaku theksoi se listat nuk kanë shumë rëndësi për procesin, sepse vijnë nga 4 vite luftë të brendshme.

“Po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë në Partinë Demokratike. Ka negociata nëpër zona, Primaret do jenë procesi formal. Përveç votës në Primare ka edhe disa kritere të tjera. Edhe 2013 u bë kjo dhe dolën kandidatë që nuk kishin qenë kurrë në lista. PD do i nënshtrohet një realiteti që nuk e ka prekur për 4 vite, pasi ka qenë në luftë të brendshme. Procesi është i nevojshëm, por ka probleme. PD fillon me Berishën dhe mbaron me Berishën, ashtu sikurse PS nis me Ramën e mbaron me Ramën. Por me një ndryshim, se nuk do ketë ankesa në PD, sepse kjo është autoriteti i Berishës”, nënvizoi ai.

Ora 22:18
Elezi: PD po vret garën, Berisha rrezikon rezultatin më të dobët në zgjedhjet e 11 Majit! Meçe: Në Kryesi janë njerëzit e Bashës, LaCivita po manipulon! Varaku: Fitorja e Trump ka ndryshuar situatën

 

A ka shanse Sali Berisha ta risjellë PD-në në pushtet në situatën e aktualitetit dhe politike në të cilën po ndodhin zhvillimet në vend. Çfarë mendojnë të ftuarit në panelin e “Repolitix”.

Ish-kreu i PD Kukës, Ibsen Elezi shprehet se PD nuk ka garë, me strategjinë e saj po degradon dhe Berisha rrezikon të marrë rezultatin më të dobët historik.

“PD po vret konkurrencën dhe garën. Po vrave garën, ke vrarë interesin. Këta të tjerët nuk janë budallenj kur e shohin. Ata mendojnë se beteja e tyre është hyrja në Parlament. Disa herë e kam thënë se është tradhti ajo që bëhet se 1/3 e listave janë të mbyllura, kur në fakt janë 2/3 të mbyllura. Kjo taktikë e dëmton PD-në në maksimum. Këto ndryshime në Kod i japin ndihmë dhe favorizojnë Edi Ramën, sepse ai ka mundësi t’i kontrollojë listat e tij. Figurat në PD nuk kanë integritet dhe besueshmëri dhe Berishës i duhet që t’i gjejë. A i ka PD figurat, jo! Ka njerëz të sfumuar, nuk kanë ngritur zërin për fenomene të rënda. Nuk janë përgjegjësi vetëm të Bashës, po këta të tjerët që heshtin. E kupton ku shkon degradimi, procesi i zgjedhjes është i gjerë. Me sa duket në sondazhe dhe ekipin që ka, PD rrezikon të mos marrë jo të Lulzim bashës por rezultatin më të dobët ndonjëherë”, shpjegon Elezi.

Kurse Arben Meçe thekson se shansi i vetëm i PD dhe Berishës është fakti se SPAK ka arrestuar dhe po arreston njerëzit e mazhorancës. Kurse për listën e PD-së për primare dhe deputetë, thotë se njerëzit aktualë në Kryesi janë të gjithë të Lulzim Bashës.

“E para i referohem listës së PD. Këta janë të gjithë të Lulzim Bashës dhe aty mungon vetëm Luli. E dyta është Gjekmarkaj, që do e zbusin ë maksimum fushatën e Berishës. Kryesia e mban partinë. Janë të gjithë të Bashës, asnjë nuk ka lëvizur. Në planin e paraqitjes fizike të PD-së me kryesinë nuk kemi asnjë ndryshim. Absurde që SPAK të jetë ngritur Ramën. U ngrit për të goditur pandëshkueshmërinë 30-vjeçare në vend, jo vetëm andej këndej sepse është politikë. Kush shkel ligjin të kalojë në gijotinën e SPAK. PD është ajo që ka qenë. Si deklarata e Flamur Nokës në Diasporë, se për 3 muaj do zhdukin përfundimisht varfërinë. Ose deklaratat e Berishës për rrogat apo pensionet dhe njerëzit në nevojë”, u shpreh analisti për Report Tv.

Ai kujtoi se shans opozita ka vetëm faktin se SPAK po kalon në ‘gijotinë’ qeverinë.

“Shanset e PD-së janë se SPAK ka vënë në gijotinë gjithë drejtimin ekzekutiv të Edi Ramës. Debati është se pse u ngrit SPAK-u? Berisha thotë se u bë për të goditur korrupsionin e Ramës. Rama thotë se e ngrita për të ndërtuar shtetin dhe me këto teza dalin në fushatë. Do ballafaqohen dy filozofi. Një shtet që nuk fal askënd dhe kjo ka kosto dhe një filozofi që shkatërron shtetin: ndërto pa leje, vidh energjinë, bëj krime. Po manipulohet me idenë e ardhjes së Trump në pushtet, që do sjellë Berishën në pushtet. LaCivita po manipulon opinionin në Shqipëri, po ndërhyn në punët e brendshme. Me mendësinë se Trump do marrë sëpatën dhe do sulmojë këdo që është kundër Trump. berisha ka 20 foto me Sorosin dhe sot na tregon fotot e Ramës me Alex Sorosin dhe tani na bën antisoristin më të madh”, shpjegoi ish-deputeti.

Juristi Skerdilajd Dhuli tha se në krye të PD është Berisha dhe ai mban përgjegjësi apo meritë në humbje dhe fitore, sepse është figura kryesore, teksa thekson se Berisha s’duhet të bëjë gabimet e 2021.

“Berishën do e këshilloja të mos i bënte fare Primaret, sepse ai është në 100, 100%, ai do jetë përgjegjësi nëse humbasin, ai do ketë meritën nëse fitojmë. Burgjet janë mbushur me zyrtarët e PS. Në SPAK ka edhe militante. PD duhet të bëjë një listë perfektë, pa gabimet e 2021, sepse rezultati është determinant. Dhe e dyta fushata, gjuha në fushatë, të fokusohet te programi dhe jo te denoncimet. PD ka shanse maksimale të vijë në pushtet. Gjithçka ka ndryshuar pas 5 Nëntorit në Amerikë”, shpjegoi Dhuli.

Redi Varaku sheh lëvizje pozitive në krahun e opozitës dhe PD duke parë ngjarjet e fundit, që pas fitores së Donald Trump në SHBA.

“Menjëherë pas fitores së Donald Trump, Berisha u lirua. Gjyqi po i shtyhet dhe ekziston mundësia që ajo të pushohet. Është arrestuar numri dy i PS, Erion Veliaj, një nga njerëzit me më shumë lidhje ndërkombëtare. Takimet e Berishës në Gjermani me CDU dhe njohja ndërkombëtare e Berishës që deri dje ishte në ballkon. Por kjo njohje ndërkombëtare duhet të jetë më e qartë, sepse po qe e turbullt, pra duhet qartësuar mbështetja ndërkombëtare. Edhe LaCivita është diçka pozitive. Edhe konteksti gjeopolitik është i rëndësishëm, ku PD është fokusuar te Soros dhe Ramën si mik të tij dhe armik të Trump. Por PD ka edhe dy dizavantazhe: Kodi Zgjedhor, që mua më tremb shumë, pasi jep sinjale dhe tregon se nuk do ketë ndryshim pushteti dhe vota e Diasporës që është shumë e zgjeruar”, tha ai. 

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?