Report Tv brenda anijes më të bukur në botë të ankoruar në Durrës! Ambasadori Bucci: I privilegjuar që njoh shqiptarët me një xhevahir të marinës italiane

21 Tetor 2022, 18:58| Përditesimi: 21 Tetor 2022, 19:43

  • Share

DURRËS- Anija krenari e Italisë e quajtur si më e bukura në Botë “Amerigo Vespucci”, preku brigjet e Shqipërisë pas 82 vitesh nga hera e fundit. Çdo gjë përreth ka ndryshuar, ka ndryshuar peisazhi, njerëzit, por e njëjtë mbetet anija dhe deti. E ndërtuar në 1930 kjo anije ka një dizajn elegantë dhe madhështorë njëkohësisht. Anija mban emrin e tregtarit dhe ekspolatorit të madh Italian që jetoi në 1500 dhe zbuloi disa vende në kontinentin e ri, madje duke i vendosur dhe emrin Amerikës. Në pamjen e jashtme anija nuk ka ndryshuar fare, ajo e ruan elegancën dhe stilin Italian që nga dalja për herë të parë në det për lundrim.

Pas fjalës në kuvertë, radha është e një kokteili dhe vizitës në hollin kryesor të anijes që ngjason me një muze lundrues të shekullin të kaluar.  Ambasadori Italian për Report Tv foli për këtë vizitë të kësaj anije të veçantë, por edhe asaj që do të ndodhi në të ardhmen në raportet mes vendeve.  

Ambassador Fabricio Buçi faleminderit që pranuat të jepnit këtë intervistë sërish për Report TV, kjo anije është simbol i marinës italiane, çfarë mund të themi në lidhje me këtë vizitë?
-Është një vizitë që ndodh pas më shumë se 80 vitesh. Amerigo Vesspuci, ka qenë këtu për herë të fundit në 1940. Ndodhet këtu pas 82 vitesh, në një periudhë historike të ndryshme nga hera e parë, dhe më vjen mirë që kam ndikuar për ardhjen e saj. Por kjo është një shenjë e raportit të shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, që po njeh një zhvillim edhe më të madh. Jam i privilegjuar që njoh publikun shqiptar me një xhevahir të marinës italiane, dhe për ta hapur atë për publikun e Durrësit, nxënësit, apo qytetarë të ndryshëm. Është një formë tjetër e diplomacisë apo që njihet si diplomacia detare, që shfrytëzon një anije kaq të bukur.

Shikoj një Ambasadë shumë aktive dhe një Ambasador shumë aktiv, çfarë presim të tjera aktivitete apo vizita së afërmi? Një anije e veçantë që vjen këtu, vizita të niveleve të larta, a do të kemi ndonjë surprizë së shpejti?
-Patjetër që po, në nëntor, do të vijë komandati i përgjithshëm i Guardia di Finanzia, që këtë vit është edhe 25 vjetori i pranisë së forcave tona të rendit këtu. Këtë vit është edhe 30 vjetori i krijimit të prokurorisë antimafia, dhe po punojmë për një mbledhje të madhe për të diskutuar për luftën kundër krimit të organizuar këtu në Shqipëri. E bëjmë këtu sepse është e rëndësishme që të mbajmë në vëmendje të madhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe kundër narkotrafikut. Prandaj do të bëjmë një aktivitet publik mjaft të rëndësishëm që do të tregojë edhe njëherë këtë punë të rëndësishme mes Italisë dhe Shqipërisë. Pastaj presim formimin e qeverisë së re, të ministrave të rinj, dhe kemi shumë punë për të ecur përpara për grupin e investitorëve. Por kishim  në axhendë edhe vizita të ministrave të rëndësishëm sit ë Drejtësisë, të Energjisë, të Brëndshëm, dhe do t’i lançojmë sapo të kemi qeverinë e re, që besoj do të krijohet së shpejti.

Ambassador faleminderit që ishit në Report TV, kënaqësi si gjithmonë.

Ora 19:18
Ambasadori Bucci për Report Tv: Raporti i KE për Shqipërinë, fotografi e realitetit! Ka progres! Italia ju mbështet në rrugën drejt BE

Ambasadori italian Fabricio Bucci ka folur edhe për raportin e KiE, duke thënë se ai ka pasqyruar realitetin. Për ambasadorin, Shqipëria ka bërë progres, ndonëse në disa fusha duhet të punojë më shumë.

“Raporti duket se fotografon mirë ecurinë e vendit, ku ka një progres të dukshëm në shumë fusha, por edhe në të tjera që duhet punuar. Por dua të them se pas hapjes zyrtare të negociatave kemi hyrë në një fazë tjetër të rëndësishme. Tani është procesi i screening, i përshtatjes së legjislacionit shqiptar, më pas diskutimet për përshtatjen me normativat e BE. Do të nënvizoja së udhëtimi për këtë fazë ka filluar, në jemi këtu për t’ju asistuar si e kemi bërë gjithmonë, që një ditë do e çojë Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha ambasadori.

Ora 19:08
Kapiteni i anijes ‘Amerigo Vespucci’ për Report Tv: Ndalesa në Durrës, demonstron miqësinë Shqipëri-Itali  

Në anijen “Amerigo Vespucci”,  e dedikuar për miqtë e përzgjedhur, ambasadorë, deputet, ministra dhe gazetarë, kapiteni Luigi Romagnoli shpjegoi rregullat në bord, ku çdo gjë duket e organizuar në detaje për të pritur miqtë e veçantë. Ai nuk e fsheh krenarinë për këtë xhevahir të marinës italiane që është pagëzuar si anija më e bukur në botë.

Kapiten Romagnioli, faleminderit për këtë intervistë në Report TV. Kjo është hera e parë për ju në Shqipëri?
Faleminderit juve që jeni në bord të anijes tonë. Personalisht është hera e parë që vij këtu ndërsa për anijet ‘Amerigo Vespucci’ është e para pas fiks 82 vitesh.

Na jepni disa detaje për këtë anije, që është edhe krenari e marinës italiane?
Kjo është një anije shkollë, që quhet “Amerigo Vespucci”, dhe ka si qëllim të formësojë dhe mësoj gjeneratat e reja të oficerëve. Në këtë anije imbarkojnë studentët që në të ardhmen do të bëhen oficerë dhe qëndrojnë në anije për një periudhë të paktën 3 mujore.

Pashë informacione për anijet dhe keni bërë 2 herë xhiron rreth botës mos gabohem?
Hera e fundit ishte në vitin 2002-2003, dhe aktualisht po punojmë që të bëjmë xhiron e tretë në vitin 2023.

Komandant mund të na njihni me ndonjë moment të vështirë që jeni hasur në drejtimin e anijes? Ndonjë kuriozitet edhe teleshikuesit tanë?
Sigurisht, që në historinë e saj mbi 90 vjeçare kjo anije ka patur disa episode, duke u përballuar me stuhi, me urgane, me det shumë të trazuar, që kanë lënë shenjë në anije, por që gjithmonë ka dalë më e fortë se më parë. Por ka shumë episode të bukura sidomos takimi me Aeroplanmbajtësen Amerikane  “Indipendence” në 1972, që na pagëzoi si anija më e bukur në Botë dhe pas 70 vitesh një tjetër aeroplanëmbajtëse amerikane që e hasëm në detin Adriatik, përsëri na vlerësoi si anija më e bukur në Botë. Kjo na mbush me krenari, sepse është e gjitha meritë e ekuipazhit të kësaj anije.

Po në lidhje me mirëmbajtjen, çfarë mund të themi, nuk është se lehtë ta mirëmbash?
Anija, në pjesën më të madhe ka pjesët e saj autentike që nga krijimi në 1931. Janë pajisje që kërkojnë shumë mirëmbrajtje, çdo vit anija ndalon për 4 ose 5 muaj për punime mirëmbajtje për të qene e bukur dhe funksionale. Ekuipazhi ka një meritë të madhe, që anija është gjithmonë efiçente, për udhëtim, për takime me autoritete të ndryshme. Ndërsa 1 herë në 15 vjet anija ndalon për punët  e mëdha, që lidhen me pajisjet, motorët, pasi që në 1931 kjo anija ka pasur një motor elektrik, dhe vijojmë me një motor elektrik që ushqehet nga gjeneratorët që tani është një model me modern se ai I 1931.

Për të ardhmen çfarë keni në plane?
Për të ardhmen, kemi parashikuar 2 ose 3 javë lundrim do të vizitojmë porte të tjerë këtë radhë në Itali. Do të kthehemi më pas në bazën tonë në Spezia dhe vitin tjetër anija do të niset për një tjetër xhiro rreth botës duke filluar me perëndimin.

Për marinën Shqiptare, a keni patur bashkëpunim?
Kjo është një anije që çdo vit vizitohet nga studentë për oficerë të marinës shqiptare. Çdo vit kemi 2 ose 3 studentë shqiptare që vijnë në akademinë detare të Livornos, gjatë 5 viteve të studimeve që kryejnë. Kjo për ne është shumë domethënëse sepse edhe unë kur bëra fushatën time në 1995 kisha 2 kolegë nga marina shqiptare dhe të tjera, por kjo ka një vlerë pasi është edhe një ambasadore që në çdo port që shkon demonstron miqësinë që bashkon Italianë me shtetet e tjera, dhe në rastin konkret me Shqipërinë që kemi raporte të fuqishme.

Faleminderit komandant.
Faleminderit juve, dhe mirë se erdhët në bord.

Anija më e bukur në botë, u largua nga porti i Durrësit ku qëndroi për disa ditë, për të pushuar pak nga miljet e shumta, por me një synim ambicioz për 2023, një tjetër xhiro rreth botës, e treta në historinë 90 vjeçare, por me siguri jo e fundit…

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?