Në Antigonenë e Pirros, të ngritur në vitin 295 para Krishtit, arkeologët kanë ende për të zbuluar nga mbetëzat e banesave, monumenteve, e të tjerë. Në të ashtuquajturën kodra Jerma, mes luginës së Drinosit i drejtohemi Parkut Arkeologjik, për t’iu bashkuar ekspeditës më të fundit, në qytetin me formë delfini. Agorja e qytetit dhe punishtja e monedhave punuar më parë nga Dhimisten Budina, janë dy pikat kyçe ku kryhen kërkime e gërmime prej muajit korrik.
Ndonëse temperaturat në këto ditë gushti janë të larta arkeologët Sabina Veseli dhe Roberto Perna çojnë përpara projektin e përbashkët e Institutit Arkeologjik dhe Universitetit të Maçeratës. Brezi i ri me studentë italianë e shqiptarë nga Departamenti i Arkeologjisë e Trashëgimisë kulturore i është bashkuar grupit të punës.
“Po mbyllet ekspedita e dytë e gërmimeve në Antigone, që Instituti Arkeologjik dhe Universiteti i Maçeratës po ndërmarrin nën udhëheqjen time dhe të profesoreshës Veseli. Këtë vit jemi përqendruar në hapësirën publike, në zonën e Agoras për të kuptuar se si ka qenë e organizuar nga këndvështrimi urbanistik si dhe në gërmimin e një banese për të analizuar edhe nga këndvështrimi diakronik evolucionin e modaliteteve me të cilat kjo shtëpi e kjo hapësirë në tërësi është zhvilluar”, thotë Perna
Gërmimet në Agora, kanë dhënë rezultat e deri më tani kanë dalë në dritë dy banesa të reja. Ndërsa në punishten e monedhave janë zbuluar mure të jashtëm dhe të tjera ambiente të banesës.
“Gërmimet e këtij vit në Antigone janë përqendruar në agoran e këtij qyteti. Kemi risi pasi kemi zbulimin e dy ndërtesave të reja të cilat pozicionohen në krah të rrugës dytësore. Gjetjet janë shumë interesante, mendojmë se ndoshta kemi të bëjmë me ambiente artizanati, por edhe ambiente shtëpiake, është shumë shpejt për të folur. Por, ajo që është shumë e rëndësishme është që Antigonesë i shtohen dy atraksione të reja për t’u vizituar, pasi banesat janë zbuluar gjatë viteve 2021-2022. Gjithashtu edhe gërmimet në atë që quhet punishtja e monedhave , një banesë e përqendruar në bllokun kryesor, në qendrën kryesore të qytetit na ka dhënë të dhëna interesante duke na dhënë planimetrinë e banesës dhe mjaft gjetje interesante prej qeramike dhe prej bronzi të cilat datohen kryesisht në shekujt III dhe I Para Krishtit."- tha arkeologia Veseli.
Siç rrëfejnë arkeologët projekti gjen mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë Rajonale si dhe Bashkisë së Gjirokastrës e përfshin edhe një plan menaxhimi që ka në fokus zhvillimin e Parkut Arkeologjik Antigonea.
“Ne do t’i furnizojmë një plan menaxhimi me udhëzimet e duhura për monitorimin dhe për ruajtjen e tyre, për të cilat do të bëj edhe investime edhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo)”, konkludon Perna.
Urojm suksese grupit te arkeologeve shqiptar e italian Por do uroja qe zbulimi te kete emrin e vete epiriot Dhe jo ti vishet epiteti kultura greke Ta ndajn kulturen epirote ilire nga kultura pseudo greke
Përgjigju