Në qytetin e Korçës në 3 hotele janë të akomoduar mbi 100 emigrantë shqiptarë të cilët janë kthyer nga Greqia në Shqipëri. Ata kanë kaluar përmes pikës kufitare të Kapshticës. Pas plotësimit të dokumentacioneve përkatëse me policinë dhe pas kontrollit mjekësor ata janë transportuar drejt hoteleve të përcaktuara nga autoritet lokale. Report Tv ka qenë tek këto hotele dhe ka mundur të komunikojë me këta persona nga ballkonet e hoteleve sepse takimi me ta nga afër është në kundërshtim me rregullat e karantinës. "Kam 7 ditë në hotel, jemi dy persona në dhomë. Do të qëndroj edhe 7 ditë, kushtet në hotel janë normale", tha emigranti.
Ata janë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe qëndrimin në hotel 12 mijë lekë të vjetër në ditë për person po i mbulojnë individualisht. Krahas kësaj atyre iu shtohet dhe kostoja e ushqimit të cilën gjithashtu iu duhet ta përballojne vetë. Referuar asaj çfarë vetë këta persona thonë te njëri hotel mëngjesi dhe darka sigurohej nga bashkia, ndërsa dreka paguhej individualisht. "Nuk i përballojmë dot, paguajmë 12 mijë lekë të vjetra vetëm fjetja. Mëngjesin dhe darkën na kanë thënë që i paguan bashkia, kurse drekën e paguaj vetë na e sjellin në dhomë. Mjeku vjen çdo ditë nga dy herë", tha emigranti.
Tek hoteli tjetër situata paraqitet ndryshe këtu emigrantët shqiptarë çdo vakt ushqimor e mbulojnë vetë. Një ditë qëndrimi për ta së bashku me ushqimin shkon 30 - 40 mijë lekë të vjetër. Duke llogaritur qëndrimin e tyre 14 ditor ata e shohin të pamundurën kryerjen e pagesës. Madje një çift bashkëshortësh u shprehen se do të marrin kredi për të shlyer karantinimin 14 ditor. "Na solli policia bashkë me gruan në 01:00 të natës, ne paguajmë çift 24 mijë lekë. Hamë vetëm ushqime të thata me lekët tona. Në nuk kemi lekë, do duhet të marrim kredi që të paguajmë hotelin", tha një çift i emigrantëve.
Nga ana tjetër pronari i një prej hoteleve ku janë 44 emigrantë shqiptarë thotë se fillimisht kanë firmosur një deklarate ku pranojnë kushtet e karantimit dhe mbulimin e kostos individualisht. "Që në fillim i janë bërë me dije kushtet e hotelit dhe kosto për fjetën apo ushqimin në hotel. Ata kanë marrë përsipër vetë që të paguajnë shpenzimet, kanë firmosur një deklaratë që në tokë neutrale në kufi për kushtet e karantinimit", tha Esmerald Xhafa.
Xhafa tregon se si janë kontaktet e personave të akomoduar me personelin e hotelit dhe kushtet qe ofron subjekti i tij, ndërsa shton se ata monitorohen në çdo moment për të siguruar karantinimin. "Normalisht kushtet e akomodimit janë sipas personave, kush ka qenë më një shok në doganë kanë qëndrojnë në një dhomë, kush është vetëm rri vetëm. Personeli i hotelit është me maska, doreza dhe dezinfektues edhe hoteli deznifektohet çdo ditë", tha pronari i hotelit
Ndër të tjera pronari i hotelit shton se pas akomodimit në hotel ata pretendojnë se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar dhe nëse ata refuzojnë të paguajnë do të ndjekë çështjen sipas procedurave ligjore edhe për ata të cilët ai pretendon se i kanë prishur imazhin e subjektit të tij. "Nuk duhet të abuzohet, në momentin kur kaluan kufirin dhe erdhën në hotel nisën me kërkesa ku thonë se nuk kanë para për të paguar hotelin por ata e kanë ditur dhe ranë dakord për shpenzimet që kur ishin në kufi", tha pronari i hotelit. Të gjithë ata emigrantë që lejohen të futen në Shqipëri do të karantinohen për 14 ditë në hotelin më të afërt me pikën kufitare.