Report Tv inspektoi qendrën e emigrantëve në Gjadër, ndërsa siç shihet në këto pamje punimet vijojnë ende. Qendra pritet të jetë gati brenda pak javësh, sipas ambasadorit italian në vendin tonë Fabrizio Bucci.
Kamionët e mjetet e tjera janë ende në terren duke punuar, ndërsa Report Tv sjell pamjet edhe nga brenda qendrës se si duket një dhomë ku do strehohen emigrantët. Një krevat dykatësh dallohet brenda saj, kondicioner, ndërsa dyshekët ende nuk janë vendosur.
Struktura që do të ngrihet në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor. Në Gjadër do të ketë tre dhoma për vizita ambulatore, dy dhoma me tre shtretër, një sallë operacioni, një laborator analizash, një dhomë me instrumente për radiografi dhe ekografi, një dhomë për vizita psikologjike dhe psikiatrike.
Një ekip mjekësh do punojnë brenda kësaj strukture 24 orë në ditë: një mjek i specializuar në anestezi dhe reanimacion, një mjek i specializuar në kirurgjinë e përgjithshme, një mjek i specializuar në ortopedi, një personel mjekësor i specializuar në psikiatri, një infermiere, një teknik laboratori, një teknik radiologjie, një punonjës shëndetësor i specializuar në radiologji.
Sipas një tenderi që qeveria italiane kishte hapur më herët për mënyrën se si do garantohet ushqyerja dhe menaxhimi i emigrantëve, pritet që emigrantëve që do vijnë në Gjadër do t’u ofrohen pantallona, një bluzë, një pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Emigrantët do të kenë letra higjienike çdo javë, një furçë dhëmbësh në muaj, një pastë dhëmbësh 100 ml në muaj, një shishe shampo dhe një shishe sapun të lëngshëm në javë, si edhe një krehër.
Furnizimet janë përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme italiane, e cila po ashtu ka të drejtën të ushtrojë kontrolle nëse emigrantët janë pajisur me sendet e nevojshme.
Dhomat për emigrantët që do strehohen në Gjadër
Punime në qendrën e emigrantëve në Gjadër
Lajmi kryesor:
Qendrat për pritjen e emigrantëve duhej të ishin gati nga 1 gushti, Report Tv në Gjadër, vijojnë punimet! Ambasadori italian Bucci: Hapen brenda pak javësh
SI.E./ReportTv.al