12 gushti ishte ditë e zezë. Zjarri i fuqishëm përfshiu njësinë administrative Skënderbegas në Gramsh, duke lënë pas dëme kolosale dhe një panoramë të trishtë.
Flakët, të cilat dyshohet se nisën nga pylli me pisha, u përhapën me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Në pak orë, u shkrumbuan 36 banesa, qindra rrënjë ullinj e pemë frutore, qindra koshere bletësh, stalla me bagëti e gjedhe.
Banorët, sot jane ende të tronditur. Ata rrëfejnë per mikrofonin e Report TV se kanë humbur gjithçka që kishin ngritur me mundin e një jete.
Feruze Koçi tregon se shtëpia e saj është e pabanueshme dhe po strehohet përkohësisht në konviktin e Gramshit. Pret nga shteti një konteiner për të futur kokën, bashkë me nënën e sëmurë dhe motrën.
“Shtëpia është djegur pjesërisht, por nuk është e banueshme. Unë kisha 9 krerë dele, nuk mbeti asgjë. Tani jetojmë në konvikt, por kur të fillojë shkolla duhet të largohemi. Bashkia na ka dhënë ndihma, por jemi pa shtëpi. Sa të vijë konteineri do marr nënën e moshuar, se e kam çuar tek të afërmit”, tha ajo.
Ndërsa Zaje Koçi, rrëfen se deri më tani kanë marrë ndihma ushqimore por kjo nuk mjafton. Presin të kompensohen në vlerë monetare me dëmet në bujqësi e blegtori.
“Na janë djegur hambaret, stallat. U dogj 300 balla me bar, fuqitë me rrush, qepët, arkat e verës. Bagëtinë mezi arritëm ta shpëtonim. Ndihma që na kanë dhënë është shumë e pakët. Është një tmerr, sikur të ishim në kohë lufte”.
Në qiell të hapur mbeti edhe Lulzim Doku, i cili me punën në emigrim kishte arritur të ndërtonte shtëpinë, e cila sot është kthyer në gërmadhë. Po keshtu janë djegur banesat e të vellait dhe të atit.
“Atë ditë isha në Greqi. Kur u ktheva, gjeta gjithçka të shkrumbuar. Banesa ime, ajo e prindërve dhe e vëllait, të gjitha janë bërë hi. Kemi punuar gjithë jetën në emigracion dhe humbëm gjithçka. Vetëm po i rindërtoi shteti, vetë s’kemi mundësi. Aktualisht po jetojmë me qira në Gramsh”, tha ai.
Një tjetër dëshmi e fortë vjen nga Bekim Pole, i cili tregon se nuk ka humbur vetëm shtëpinë, por mjetet bujqësore, vreshtat, ullinjtë.
“Nga shtëpia nuk ka mbetur asgjë, siç mund ta shikoni. Por unë kisha dhe mjete bujqësore, vreshta dhe ullishte. Gjithçka që mund të ketë një fermer unë i kisha. Tani s’kam asgjë! Me të ardhurat që siguroja nga vaji i ullirit, rakia e mjalti, unë rrita dy fëmijët dhe i shkollova. Sot nuk kam më asgjë. Më janë djegur edhe veglat bujqësore, traktori që e kisha blerë prej 11 mijë euro që nuk gjendet më në treg, freza, pompa e ujit. Janë djegur 270 rrënjë ullinj, 70 fuçi vere, 800 litra raki dhe 300 litra vaj. Për veglat më vjen më shumë keq, se ishin gjithçka që kisha për të punuar tokën. Tani jetoj në Gramsh. Vlerësimin e dëmeve e kanë bërë por po presim që shteti të na kompensojë”, u shpreh Pole.
Sipas kreut të njësisë administrative Skënderbegas, Arif Feimi, nga zjarri janë shkrumbuar 36 banesa, banorët e të cilave si fillim do të sistemohen në konteinerë.
“Nga zjarri janë djegur plotësisht 16 banesa ku jetonin familje gjatë gjithë vitit, dhe rreth 20 të tjera që përdoren në mënyrë sezonale. Deri tani, 40 persona janë strehuar në konviktin e Gramshit ose tek të afërmit. Po presim që nesër të vijnë konteinerët për ta. Janë evidentuar dëmet në bagëti dhe në vreshta. Gjithashtu projekti për rindërtim do të nisin së shpejti”, u shpreh administratori për Report TV.
Skënderbegasi i Gramshit sot është një plagë e hapur. Banorët shpresojnë që shteti të mbajë premtimin për rindërtim e banesave.
Komente
