MAQEDONI E VERIUT- Një spital COVID i gjithi i shkrumbuar, ka mbetur nga tragjedia në Tetovë që solli vdekjen e 14 personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve.
Gazetarja e Report Tv Gladiola Hoxha ka shkuar në spitalin modular të shkrumbuar nga flakët dhe nga atje raporton se pjesa më e madhe e viktimave janë pacientë të infektuar me COVID. Edhe Gëzim Nuredini, përgjegjësi i spitalit COVID thotë se deri më tani janë identifikuar 12 viktima dhe sipas tij ata janë pacientë. 2 viktimat e tjera thotë ai dyshohet se kanë qenë të afërm të pacientëve.
Viktima më e re e kësaj tragjedie siç konfirmojnë burime jo zyrtare është një 20 vjeçare e cila nuk ishte e shtruar në spital, por e afërme e një pacienti. Edhe një laborant i infektuar me COVID që ishte shtruar prej 3 javësh ka humbur jetën.
Disa prej viktimave janë identifikuar me shumë vështirësi, pasi janë kryer analizat e ADN. Kurse të plagosurit janë transportuar për në Spitalin e Shkupit dhe janë jashtë rrezikut për jetën pavarësisht se kanë marrë shumë lëndime nga shpërthimi.
Shkak i zjarrit dyshohet se ka qenë shpërthimi i një bombole oksigjeni, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar, ndërsa për të kryer hetimet pritet të një grup ekspertësh ndërkombëtarë.
Shpërthimi i fuqishëm në spitalin COVID ka ndodhur rreth orës 21:30 dhe brenda 20 minutash zjarri ka shkrumbuar të gjithë godinën të ndërtuar vetëm disa muaj më parë për të përballuar fluksin e pacinetëve me COVID.
Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendimi që të shpallet 3 ditë zie në gjithë territorin e vendit. Paraprakisht edhe Komuna e Tetovës pas mbledhjes së Shtabit të krizës, njoftoi shpalljen e 3 ditë zie në Tetovë.
Në spitalin e shkrumbuar është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit, që kishin të bënin kryesisht me dyshemenë dhe gabime të tjera infrastrukturore. Ka pasur një deklaratë nga drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës se qendra ndihmëse për pacientët me COVID-19 nuk ka kushte të mjaftueshme për t’u kujdesur për pacientët. Në Maqedoni ka edhe spitale të tjera modulare të ndërtuara në kushte të tilla dhe pritet të kryhen hetime për të mos lënë vend për të ndodhur tragjedi të tilla si ajo e mbrëmshmja.