Report Tv publikon fotot e 
panjohura të Sabiha Kasimatit
105-vjetori, kthehet vepra shkencore nga Italia

15 Shtator 2017, 12:04| Përditesimi:

  • Share
Është përkujtuar ditën e sotme 105-vjetori i lindjes së shkencëtares së parë shqiptare, Sabiha Kasimati, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Në këtë përvjetor, familjarët e shkencëtares së parë shqiptare kanë marrë dosjen e saj të plotë nga Arkivi i Shtetit, si dhe kanë publikuar për Report Tv fotot e panjohura të Sabiha Kasimatit.

Fotot janë prezantuar nga Elsa Kasëmi, nusja e nipit të Sabiha Kasimatit gjatë aktivitetit të përkujtimit të 105-vjetorit të lindjes së shkencëtares shqiptare që u pushkatua nga diktatura në vitin 1951. Sabiha Kasimati është e treta grua shkencëtare në botë, që është pushkatuar nga komunizmi. Elsa Kasëmi ishte pranishme në aktivitetin ku autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Ambasadën Italiane organizuan në Tiranë këtë të premte.

Në ceremoninë përkujtimore janë sjellë edhe veprat shkencore të shkruara në Itali nga Sabiha Kasimati, ku u prezantua edhe tema e saj e diplomës. Në ceremoninë përkujtimore të “Sabiha Kasimatit është folur për figurën e saj si shkencëtare, veprën, përndjekjen nga diktatura e ë gjerë. Familjarët e saj Ina Kasimati, Kleri Kasimati dhe Elsa kasimati kërkuan që vepra shkencore e Sabiha Kasimatit që vitin 1947 është botuar me emrin e saj, të vërtetohet nga arkivat dhe t’i kthehet autorësia. 

Kush ishte Sabiha Kasimati?
Sabiha Kasimati me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës lindi në Edirne në Turqi. Në vitin 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u zhvendos ne Shqipëri, në Korçë. 

Atje u diplomua në vitin 1930. Gjatë shkollimit të saj të mesëm ishte në shoqëri me Enver Hoxhën. Pas diplomimit Sabihaja punoi si mësuese në shkollën femërore në Korçë, ku dha mësim gjuhën frënge dhe edukatën morale. Më pas shkoi në shkollën Shqiptaro-Amerikane në Kavaje, ku ishte mësimdhënëse e biologjisë. Në vitin 1936 fitoi një bursë për studime jashtë vendit. Ishte zgjedhur për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Në verën e vitit 1941 përfundoi me sukses studimet në Torino, ku me sukses mbrojti doktoraturën.

Udhëheqja e Universitetit i ofroi asaj pozitën e asistentit në degën e ihtiologjisë, por propozimin e tyre ajo nuk e pranoi dhe u kthye në atdhe. Pas kthimit në Tiranë, punoi në Institutin Pedagogjik Femëror “Nëna Mbretëreshë”. Një nga studentët e saj ishte edhe Nexhmije Hoxha. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve në vitin 1945, Kasimati filloi një bashkëpunim me biologun Profesor Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. Kjo bëri që të fillonin hulumtimet ihtiologjike, duke i dhënë asaj një vend brenda Institutit, në kuadër të Seksionit të Botanikës. Gjithashtu planifikohej edhe një muze natyror e shkencor.

Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e Ish bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë i konsideronin një grup prej 22 intelektualëve të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më 20 shkurt 1951.
 
Më 25 shkurt 1951 gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje. Dënimi u ekzekutua natën e 26/27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Trupat u varrosën në një varr të cekët në fushën prapa. 

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955, nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakowa (një emër i rremë), si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka.

[gallery]23897[/gallery]

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?