Report TV rindërton skemën e aksidentit me tre viktima në Librazhd! Shkak dyshohet devijimi i korsisë nga Mercedes-Benzi

3 Shkurt 2022, 16:34| Përditesimi: 3 Shkurt 2022, 17:03

  • Share

Bazuar në të dhënat e deritanishme të hetimit, Report TV ka rindërtuar grafikisht skemën e aksident fatal në Librazhd, ku humbën jetën Elmi Keqa, Elona Keqa dhe Elis Sulmataj, ndërsa u plagosën dy të tjerë. Mercedes Benz ML ku udhëtonte familja nga Kukësi, duke lëvizur nga Elbasani në drejtim të Librazhdit ka kryer manovër të gabuar, duke devijuar korsinë dhe përplasur me mjetin Ford që drejtohej nga Saimir Gjuzi.

Për pasojë ML-ja ka përfunduar në lumin Shkumbin! Përplasja ka ndodhur në kthesën e Murrashit, ndërsa për ngjarjen është ndaluar drejtuesi i Fordit Sajmir Gjuzi, i cili ka deklaruar se po lëvizte në korsinë e tij, kur përballë i ka shkuar Mercedes Benz. Ende nuk dihet shpejtësia e lëvizjes për secilin mjet, ndërsa hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga Prokuroria e Elbasanit e cila pritet të kryejë ekspertizë të thelluar për të zbardhur të plotë gjithë dinamikën e aksidentit fatal dhe shkaqet e tij.

"Dy ditë pas aksidentit fatal, Report TV është rikthyer në vendin e ngjarjes ku aktualisht po punohet për riparimin e barrierave mbrojtëse. Betoni që është vendosur në aksin Elbasan-Librazhd është i amortizuar dhe nuk arrin të mbajë sinjalistikën e re".

Ky aks që mirëmbahet nga kompania "T2" me administrator Artan Sakon është kthyer shpesh në burim aksidentesh, për shkak të rënies të gurëve nga mali, lagështisë dhe barrierave pa bazament.

"Nga shpati malit bien gjithnjë gurë kur ka reshje shiu dhe sipas eksperteve nevojitet vendosja e rrjetave".

Në periudha me shira dhe temperatura të ulëta rruga bëhet e rrëshqitshme për shkak të tatëpjetave dhe kthesave të vijueshme dhe për të shmangur rreziqet, duhet pajisur me sinjalistikë kufizuese të shpejtësisë dhe sinjale rreziku si dhe duhen marrë masa për hedhje kripe në raste ngricash, thanë ekspertët. Segmenti Elbasan-Qafë- Thanë është shumë i mbingarkuar dhe me kthesa të vijueshme. Kamionët me rimorkio e bëjnë të pamundur parakalimin, ndaj çdo manovër bëhet shkak për aksidente.  

Aksi Elbasan-Librazhd është problematik edhe për rënien e gurëve në rrugë sidomos në ditët kur ka reshje shiu, duke u kthyer në burim aksidenti për drejtuesit e mjeteve, dhe rasti i tillë ishte edhe dita që u mori jetën 3 personave. Dy ditë më parë, 3 persona humbën jetën dhe 2 mbetën të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë, anëtarë të një familje nga Kukësi. Brenda mjetit tip "Benz" ku udhëtonin 5 anëtarët e familjes, u përplas me një mjet tjetër tip "Ford" duke përfunduar në lumin Shkumbin. Është dashur ndërhyrja  e polumbarëve të RENEA-s kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e tre trupave të pajetë nga automjeti tip "Benz". Ata ishin nisur nga Kukësi për të festuar ditëlindjen e njërit prej anëtarëve të familjes drejt Korçës, por udhëtimi i tyre u pre në mes nga aksident tragjik. Të tjerë familjarë të tyre udhëtonin në një tjetër automjet, pas tyre, që fatmirësisht nuk u përfshinë në aksident.  

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?