Report TV ka siguruar kërkesën e plotë të Prokurorisë së Posaçme, përmes së cilës faktohet roli i anëtarëve të grupit kriminal të arrestuar në datën 1 prill të arrestuart gjatë operacionit "Kompleks". Në këtë kërkesë thuhet se njëri prej të arrestuarve në lidhje me ngjarjen e datës 9 shkurt 2021, Enver Jamaku ku iu vendos sasi lënde eksplozive makinës së Gjon Menës në Kamëz, ka rrëfyer detaje të rëndësishme, duke zbardhur në këtë mënyrë të gjithë ngjarje. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Enver Jamaku ka zbardhur dhe rrëfyer edhe për ngjarje të tjera ku ai ka marrë pjesë apo ka dijeni dhe që pjesë e tyre kanë qenë në mënyrë direkte dhe indirekte, të gjithë personat e arrestuar.
Enver Jamaku ka rrëfyer para hetuesve se Admir Kuçuku, Akil Kulla, Klodian Kulla, Dorian Kalo, Sokol Xhura, Algert Hysa, Dervish Hasi, Ervin Kalaja, Mentor Doda, Eugert Manushi, Artur Muhedini, Enes Hasi, Petrit Shera dhe Ilir Hyka, disponojnë ose i marrin nga uzina e riparimit të armëve ushtarake, armë zjarri të llojeve të ndryshme, të cilat i modifikojnë, duke i riparuar dhe ndërruar pjesët e tyre. Këto armë më pas i shesin me porosi tek individë dhe anëtarë të grupeve kriminale, që i përdorin më pas për kryerjen e krimeve kundër jetës. Shtetasi Enver Jamaku shpjegon se ka bashkëpunuar me këta persona në kryerjen e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
Gjithashtu, në shpjegimet e tij ka dhënë detaje dhe rrethana të ngjarjes ku në vitin 2017, Sokol Xhura ka patur një konflikt për pronat me Edmond Saraçin, i cili kishte avokat Paulin Paplekën. Nga hetimet ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarje janë Enver Jamaku dhe Ermond Jamaku.
Porositës për kryerjen e kësaj ngjarje ka rezultuar Gjergji Cukali. Referuar thënieve të Enverit, si bashkëpunëtor i drejtësisë, ka dyshime se Sokoli ka kërkuar kryerjen e ngjarjes ku i është qëlluar me armë zjarri pistoletë automjeti i avokatit Paulin Papleka, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Freskut në Tiranë.
Më pas një armë zjarri e përdorur në ngjarjen e avokatit bashkë me sende të tjera të kundërligjshme, me porosi të Sokol Xhurës, i janë vendosur në banesë nga Enver dhe Ermond Jamaku, shtetasit Edmond Saraçit. Për këtë ngjarje Edmond Saraçi është arrestuar nga policia, pasi personat që kanë porositur vendosjen e sendeve të kundërligjshme kanë njoftuar policinë.
Enver Jamaku ka deklaruar se ai bashkë më Ermond Jamakun janë personat të cilët kanë vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive në automjetin e Artion Bylykut në rrugën "Ramazan Bogdani" në muajin Tetor 2019. Në vitin 2019, është porositur nga Flor Abazi, Blendi Deda dhe Paris Prenga, për kryerjen e vrasjes së Domart Konjarit. Për kryerjen e kësaj ngjarje, të tre, i kanë gjetur dhe vënë në dispozicion Enver Janakut dhe Ermond Jamakut automjetet për mbajtjen nën vëzhgim të viktimës dhe dy mina me lëndë eksplozive të lidhura e komanduara me pulte komandimi në distancë.
Ata i kanë premtuar se do t'i jepnin shuma të konsiderueshme parash në këmbim të kryerjes së vrasjes së shtetasit Domart Konjari. Ata i kanë treguar vendet që frekuenton shtetasi Domart Konjari dhe një ditë para ngjarjes e kanë njoftuar Enver Jamaku se automjeti i viktimës është i parkuar në rrugën "Ramazan Bodgani”, pikërisht në vendin ku ka ndodhur dhe shpërthimi. Për këtë ngjarje më datë 18 tetor 2019 është vendosur dhe shpërthyer në distancë automjeti Mercedes Benz ngjyrë e zezë, e Artjan Bylykut, i cili është i martuar me motrën e Domart Konjarit.
Enver Jamaku ka marrë pjesë dhe ka bashkëpunuar me të gjithë personat e sipërcituar dhe ka dijeni për vendet, ambientet e përshtatura dhe adresat që përdoren për magazinimin, modifikimin e shitjen e armëve të zjarrit dhe municionit nga këta vetë ata.
Ndërkohë, GJKKO këtë të diel ka caktuar arrest më burg për 9 të arrestuarit gjatë operacionit “Kompleks”. Në burg me afat 45 ditë GJKKO ka lënë Klodian Kullën, ndërsa gjithë të tjerët, Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jaupi, Festim Mustafa, Arben Sufa janë lënë në burg pa afat.