Kronikë

Report Tv siguron FOTOT e drogës së sekuestruar në Finlandë! Dërgohej nga 4 'kokat' shqiptare, kokainë 'lexus' e laboratorët për përpunim

4 Qershor, 10:45| Përditesimi: 4 Qershor, 16:18

  • Share

Katër grupet kriminale me shqiptarë, krerët e të cilëve u prangosën përmes një aksioni të përbashkët finlandezo-shqiptar, në Helsinki dhe qytete të tjera finlandeze e kishin të gjithë në dorë tregun e lëndëve narkotike, thuajse të të gjitha llojeve. Këto foto që Report Tv ka siguruar janë të provave, që autoritetet finlandeze kanë siguruar për transportin, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës vërtetojnë se trafikantët shqiptarë sillnin në Finlandë kokainën, kanabisin, marijuanën dhe drogat sintetike, kryesisht amfetaminë.

Laboratorët e përpunimit trafikantët i instalonin në shtëpi private dhe vila të marra me qira, kryesisht AIRBNB. Në foton më poshtë, mund të shihni amfetaminë e përpunuar në një kovë të zezë, një prej rasteve të goditura nga autoritetet finlandeze.

Amfetaminë e përpunuar në një kovë të zezë

Në foto shihet një ambient i përshtatur si laborator për përpunimin e drogës dhe më pas nxjerrjen e saj në treg. Përpos kokainës dhe marjuanës, grupi ishte i fokusuar edhe në trafikun e drogës sintetike. Në këto foto të siguruara nga Report Tv, dallohet amfetamina në një kovë të zezë, si edhe pajisje për përzierje dhe tharje apo edhe tavolina ku substanca është shtrirë për tharje në kushte shtëpie. Gjithashtu, janë gjetur qese të mëdha me sheqer fermentimi, që dyshohet të jenë përdorur si lëndë për shtim të drogës. Substanca të tilla përdoren zakonisht për të rritur fitimin në trafikimin e drogës.

Sheqer fermentimi i përdorur për shtimin e drogës

Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu edhe pako me kokainë të markuara me logon “Lexus”, një markë luksoze makinash japoneze. Po ashtu, në foto shihet edhe kokainë e vendosur në disa tavolina dhe sipër saj janë të gdhendura disa shkronja, apo me numrat 333.

Në treg nuk mungojnë as methamphetamina, MDMA, apo edhe Alpha-PVP. Kjo e fundit një drogë sintetike shumë e rrezikshme, e njohur për shkaktimin e krizave ekstreme nervore dhe sjelljeve të dhunshme tek përdoruesit. Substanca është e ndaluar në shumicën e vendeve të BE-së për shkak të efektit të saj të fortë stimulant dhe rrezikut të lartë të varësisë.

Report Tv zbardhi emrat e 9 personave që u prangosën të martën, ndër dy janë ende në kërkim, njëri prej të cilëve jashtë vendit. Dorjan Luzaj, 51- vjeç dhe Geraldo Seferaj 30 vjeç, të dy lindur dhe banues në Vlorë i përkasin grupeve kriminale të Vlorës, që sipas SPAK ishin 2 ndërsa dy të tjera me qendër në Berat dhe Kuçovë. Të arrestuar të tjerë janë Elton Myftari, Elton Tavani, Erind Teneqexhiu alias Agalliu, Kela Qevani, Ledion Hoxha, Besnik Sparta, Altin Musta.

Prokurori i dosjes nga SPAK, Alfred Shehu, e bëri të qartë se të gjithë këta nuk kishin asnjë çështje të hapur në Shqipëri, ndërsa më parë pjesa me e madhe të proceduar më parë në Finlandë. Për aktivitetin në Shqipëri dhe destinacionin e parave të fituara nga trafiku i drogës ndaj 11 personave me masë sigurie po vazhdon paralelisht hetimi pasuror.

Të martën SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në Finlandë njoftuan se shkatërruan një rrjet kriminal të trafikut të drogës të komanduar nga Shqipëria. Grupet kriminale transporton drogë nga Spanja e Holanda drejt Finlandës dhe vlera e shitjes në treg shkonte disa milionë euro. Më herët nga autoritetet finlandeze janë proceduar e më pas dënuar 55 persona, prej të cilëve 10 shqiptarë, anëtarë të grupeve kriminale.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?