Meta dhe Kryemadhi

Report Tv siguron kërkesë padinë e Metës për divorc me Kryemadhin: Kemi disa muaj që s'jetojmë bashkë! Qëndrimet politike prekën raportin tonë

29 Qershor, 15:22| Përditesimi: 29 Qershor, 20:16

  • Share

TIRANË- Pas 26-vitesh martesë Ilir Meta ka vendosur që të divorcohet zyrtarisht nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi me të cilën ka tre fëmijë, ndërsa kanë qenë të dy faktor të rëndësishëm në jetën politike në Shqipërinë post komuniste. Menjëherë pas hetimeve që Prokuroria e Posaçme nisi ndaj tyre, për një hetim të thellë pasuror, Ilir Meta, më 20 qershor iu drejtua gjykatës me një padi për zgjidhjen e martesës.

Report Tv ka siguruar padinë që Meta ka dorëzuar në gjykatë, ndërsa thotë se arsyeja pse do të i japë fund zyrtarisht marrëdhënies së tyre disa vjeçare, është mosdakordësia në lidhje me zhvillimet në aspektin politik. Kjo sipas ish-presidentit të vendit ka sjellë edhe grindje herë pas here bashkëshortore.

Meta i cili në padinë e depozituar si adresë ka caktuar ‘Partinë e Lirisë’ ka pohuar se prej disa muajsh tashmë nuk jeton me Kryemadhin, duke sjellë si pasojë humbjen e qëllimit të kësaj martese në të gjitha drejtimet.

“Gjate martesës marrëdhëniet tona kanë qenë normale me problematika si çdo martesë. Sqaroj se me të paditurën kemi qenë dhe jemi aktive në jetën politike të vendit shkak për të cilin kemi ushtruar dhe ushtrojmë funksione të rëndësishme në organet shtetërore, organet përfaqësuese të popullit dhe subjekte politike. Vitet e fundit kam konstatuar fillimisht mosdakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar fillimisht për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet në aspektin politiko-përfaqësues dhe vendimmarrës, por që me kalimin e kohës ato u bënë prezente edhe në raportin tonë bashkëshortor, deri sa kohet e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njeri tjetrit kanë sjellë si pasojë grindje të herëpashershme duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore.

Aktualisht prej disa muajsh marrëdhënia bashkëshortore është ndërprere edhe në kuptimin e bashkëjetesës duke sjellë si pasoje humbjen e qëllimit të kësaj martese në të gjitha drejtimet. Ne këto kushte i kërkoj Gjykatës caktimin e një dite gjykimi dhe marrjen e vendimit për zgjidhjen e martesës me të paditurën”.- thuhet në kërkesë padinë e Metës.

Çifti Meta Kryemadhi, pritet që së shpejti të përballen në Gjykatën Civile të Tiranës, ndërsa seanca e parë do të jetë pajtimi. Gjykata ka caktuar me short gjyqtaren Farie Budo që do të shqyrtojë kërkesën për divorc të depozituar nga Meta ndaj bashkëshortes së tij prej 28 vitesh Monika Kryemadhi, me të cilën ka 3 fëmijë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?