Report TV siguron pr/rezolutën e PS që dënon sulmin në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku. Pr/rezoluta "Për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon" mban datën 2 tetor 2023 dhe është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledar Çuçi.
Në pr/rezolutë PS kërkon që Serbia "të heq dorë nga qëndrimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët". Gjithashtu kërkohet nga Serbia të hapë një hetim serioz dhe transparent për organizuesit e sulmit në Kosovë.
“Partnerët të ushtrojnë ndikim për të ballafaquar Serbinë me rolin që ka patur në sulm. SHBA dhe BE të ngrenë alarmin për të parandaluar rrezikun që i kanoset paqes dhe sigurisë së Kosovës” thuhet ndër të tjera në pr/rezolutë.
Gjithashtu ndër të tjera nënvizohet se prania e shtuar e trupave në KFOR në Veri të Kosovës është garanci për paqen në rajon.
Përmbajtja e rezolutës
REZOLUTE PËR DËNIMIN E SULMIT TË ARMATOSUR TERRORIST NË VERI TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE PËR GARANTIMIN E SIGURISË DHE PAQES NË VEND E NË RAJON
-Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;
-Në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve të saj Kushtetuese.
-Në mbrojtje të vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon:
-Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare midis Shqipërisë dhe Kosovës.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
-Dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur nga radhët e saj.
- Përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin, në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosoves dhe destabilizimin e vendit.
-Mbështet çdo masë dhe veprim të ndërmarrë nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës për të parandaluar e goditur me mjete kushtetuese e ligjore përpjekjet për të cënuar, rrezikuar, sulmuar dhe rrëzuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, jetën. sigurinë dhe harmoninë e qytetarëve të saj.
-Kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizatorëve dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët.
-Kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen politike, logjistike e morale të akteve të grupit terrorist në veri të Republikës së Kosovës.
-Inkurajon dhe përkrah të gjitha institucionet e Kosovës për punën, përkushtimin dhe përpjekjet që synojnë integrimin e plotë dhe bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
-I bën thirrje Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë strategjik që të ngrenë në nivelin me të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun eminent që po i kanoset sigurisë dhe paqes në Kosovë, në rajon e më gjerë.
-Vlerëson se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj si dhe për sigurinë dhe paqen në tërë rajonin
- Mbështet përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në një frymë paqësore e bashkëpunimi dhe bashkohet me qëndrimet e Presidentes së Republikës së Kosovës për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi mbi bazën e një projekti të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me asociacionin, i cili duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat legjitime të saj.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Lajmi kryesor:
Kosova bashkon politikën në Tiranë, përpjekje për Rezolutë të përbashkët që dënon sulmet në veri! Më 12 tetor seancë e posaçme në Kuvend
M.Q.//ReportTv.al