Report Tv siguron raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për inceneratorët, ja konkluzionet e PS dhe PD

10 Mars 2022, 09:32| Përditesimi: 10 Mars 2022, 09:37

  • Share

TIRANË- Report Tv ka siguruar raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Incenerstorët. Këtij raporti i janë bashkangjitur edhe konkluzionet e dy palëve, asaj të mazhorancës si edhe asaj të opozitës.

Konkluzionet e PS
Ky hetim ishte kompleks në vetvete, ndërkohë që mënyra e zhvillimit të tij, tregoi qartësisht nevojën që kemi, për të riparë ligjin Nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, një ligj i cili nuk i qëndron më kohës, nuk lidhet absolutisht me Reformën në Drejtësi, e cila një ndër synimet kryesore që pati, ishte pikërisht largimi i politikës nga drejtësia jo në kuptimin formal por në atë substancial mbi të gjitha. Ligji sikundër lexohet sot, nuk garanton mosshkeljen e parimit të rëndësishëm kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe ky është cedimi më i rëndë e që natyrisht nuk duhet lejuar më të ndodhë nga ligjvënësi, të cilit i propozojmë rishikimin tërësor të ligjit , sigurisht duke iu përmbajtur Kushtetutës, nenit 77.2 të saj, duke riafirmuar të drejtën e opozitës për të ngritur komisione parlamentare hetimorë, për objektin e veprimtarisë së të cilëve, për qënien e tyre në përputhje me parimet e rëndësishme kushtetuese, të na sigurojë vetë mekanizmi që vendos ligji në ndërtimin dhe veprimin e këtyre komisioneve, dhe jo numrat në Kuvend që janë e do ngelen gjithmonë vendimmarrje politike të atij momenti e që nuk mundet si të tilla të garantojnë në mënyrë absolute, edhe respektimin e parimeve të rëndësishme në funksionimin e tre pushteteve mes njëri tjetrit.

Këtij raporti i kemi bashkëngjitur dhe gjithë dokumentacionin e administruar në Komisionin Hetimor, një dokumentacion i cili në gjykimin tonë, mund t’i shërbejë shumë mirë edhe hetimit të organit të ndjekjes penale në lidhje me cështjet në fjalë. Kjo është arsyeja që vec sugjerimit për rishikimin brenda kësaj legjislature të ligjit organik të komisioneve hetimore, ne sugjerojmë që konform nenit 77.2 të Kushtetutës ku parashikohet se “.Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë e cila vlerëson sipas procedurës ligjore”, dërgimin e këtij Raporti dhe dokumentacionit bashkëlidhur, Prokurorisë së Posacme, duke besuar që në sjelljen tonë i jemi përmbajtur sa duhet ,respektimit të parimeve të rëndësishme kushtetuese të cituara mëse njëherë në këtë raport.

Konkluzionet e PD
-Zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë Kryeministrin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe ministrat e tij, drejtues të njësive të qeverisjes vendore dhe zyrtarë të tjerë administrativë, kanë shkelur ligjin dhe procedurat për dhënien me koncension të landfilleve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik që vlerësohet paraprakisht 430 milionë euro dhe që do të rritet në mënyrë progresive.

-Kompanitë përfituese të tre kontratave koncensionare për ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, janë shpallur fituese, në mungesë të përvojës profesionale dhe, mbi të gjitha, pa kapacitetet e nevojshme financiare për të përmbushur detyrimet kontraktuale.

-Shuma e përfituar nga këto kompani përmes kontratave koncesionare abuzive janë mbi 430 mln euro, të cilat janë të shpërnadara në këtë formë; Impianti i përpunimit të mbetjeve Qarku Elbasan me vlerë 24.7 mln euro me TVSH, Impainti i përpunimit të mbetjeve qarku Fier me vlerë 30.6 mln euro dhe Impanti i Përpunimit të Mbetjeve qarku Fier me vlerë 377 mln euro.

-Kompanitë koncensionare, në pronësi të një grupi shtetasish, Mirel Mërtiri-Klodian Zoto-Stela Gugallja, të lidhur ngushtësisht ndërmjet tyre, kanë krijuar një skemë gjigande financiare, për të përfituar në mënyrë abuzive nga Buxheti i Shtetit.

-Dy prej ministrave përgjegjës për procedurat koncensionare, shtetasi Arben Ahmetaj dhe shtetasi Damian Gjiknuri, rezultojnë të jenë njohje shoqërore dhe kontakte të vazhdueshme me dy prej personave kryesorë të kompanive koncensionare, përkatësisht shtetasit Klodian Zoto dhe shtetasi Mirel Mërtiri.

-Nga hetimi i Komisionit rezultoi se kompanitë koncesionare në bashkëpunim të ngushtë me funksionarët më të lartë të qeverisë shqiptare krijuan një skemë masive të vjedhjes së parave të qytetarëve shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me njëri-tjetrën, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Një hetim i plotë dhe i gjithëanshëm i organit të akuzës (SPAK) do të zbardhë të plotë personat, rolin dhe përfitimet e secilit, të përfshirë në aferën e inceneratorëve

(Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë)

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?