Flakë, tym, blozë dhe situatë apokaliptike.
Këto janë pamjet e realizuara me dron që vijnë nga zona e thellë e Gramshit, në vatrat e zjarreve që shkrumbuan gjithçka dhe po vijojnë në fshatrat Skënderbegas, Harunas dhe Nartë.
Report Tv sjell ekskluzivisht këto pamje nga lart nëpërmjet gazetarit Sokol Dema që ishte në terren duke ndjekur situatën hap pas hapi ditën e sotme, ku dallojnë qartë drama që kanë përjetuar fermerët dhe bujqërit e këtyre zonave, por edhe shkalla e dëmeve dhe ankthi i përjetuar.
Nga ajri helikopterë me kova të mëdha uji të varura në litar që nxitojnë drejt vatrave ku ka tym dhe flakë, banorë me lopata e degë pemësh që përpiqen me mjete rrethanore të parandalojnë zjarrin të dëmtojë pronat e tyre.
Njolla të errëta të gjurmëve të flakëve nga pyjet në fshat, shtëpi të rrafshuara nga zjarri dhe deri tek dëmet në kosheret e bletëve. Në atë turbullirë të shkaktuar nga vatrat e zjarrit, mund të ndjesh edhe aromën e mishit të djegur të kafshëve që e pësuan nga këto zjarre.
Ankthi për banorët e këtyre zonave nuk ka mbaruar ende, teksa dallojnë qartë djegiet e shtëpive në Skënderbegas dhe Harunas, dy nga fshatrat më të prekur nga zjarret. Por dëme ka edhe në Nart ku flakët vijojnë dhe Emergjencat janë në aksion nga ajri dhe toka.
Bilanci i plotë i dëmeve nuk është bërë ende, por teksa flakët përpijnë në rrugën e tyre gjithçka gjejnë para në zonën e Gramshit, nga lart me dron mund të dallosh ‘damkën’ e zezë që kanë lënë flakët, një katastrofë e vërtetë natyrore dhe deri njerëzore.
Lajmi kryesor:
Shqipëria lufton me zjarret! Delvina dhe Gramshi zonat më kritike, situata e qëndrueshme dhe nën kontroll
A.Q/ReportTv.al