TIRANË- Një protestë e tyre sot para Kuvendit, e paparalajmëruar, riktheu edhe njëherë në vëmendjen e qeverisë, shqetësimin e personave me aftësi të kufizuar paraplegjik dhe tetraplegjik, por pavarësisht kësaj, shpresat që kërkesat e tyre do të plotësohen janë të pakta. Në 'Studio Live' në Report Tv me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, sot ishte një i ftuar i veçantë, Rigels Osmanllari, një person me aftësi të kufizuar, paraplegjik. Shembulli që ai ka në jetë është i njerëzve që i rrethon, që kërkon t'u ngjajë e "t'u marrë" dhe profesionin kur të rritet. Jeta për të, nuk ka qenë aspak e lehtë, e megjithatë, Rigelsi duket se vetë personalisht nuk i ka ndjerë dhe për këtë i kanë ardhur në ndihmë familjarët e shokët e klasës, me të cilin sillen shumë mirë.
"Taksist, dua tabletë që shoh, do bëhem taksist dhe jo gazetar se është shumë e vështirë. Ose bojaxhi si xhaxhi. Në shkollë shkoj shumë mirë dhe me shokët, më duartrokasin në shkollë, më përshëndesin" tha ai në Report Tv.
E gjithë "barra" u ka rënë familjarëve! Nëna Thëllënxa tregon peripecitë që i duhet të kalojë çdo ditë, se si i është dashur që të marrë kredi për shëndetin e djalit, si e kanë zbritur nga autobusi, ku edhe pse nuk duhet të paguajë pasi është shoqëruesja e një personi me aftësi të kufizuar, fatorinot nuk e kanë marrë aspak parasysh. Nga ajo se çfarë do të ndodhë të premten, kur dhe është lënë takimi i dytë mes përfaqësuesve të këtij komuniteti dhe ministrive të Shëndetësisë dhe Financave, Thëllënxa nuk ka pritshmëri shumë të larta.
"Na është premtuar që do kemi një takim të dytë të premten që vjen, në orën 12 do të takohet me ministren e shëndetësisë dhe financave. I kërkuam 7 pika, unë i kërkova dhe karrocë me bateri. Ai do të kërkojë shumë gjëra gjatë gjithë ditës që nuk e plotëson dot, ai kërkon që të shkojë diku, se unë nuk kam as makinë, ai shkon në shkollë në klasë të pestë, ka një mësuese ndihmëse që i takon, Rigersi kupton shumë. Unë çoj në shkollë që ai të aktivizohet me shoqërinë e klasës. Ilaçet e Rigersit i marr me rimbursim, unë jam shoqëruese dhe nuk duhet të paguajë biletën e autobusit, na kanë zbritur shumë herë nga autobusi.
Kostot janë shumë të mëdha se i kam bërë dhe fizioterapi, për 4 vite e gjysmë, kam marrë kredi, se doja që në fund të arrija diçka. Nuk kam shumë besim se çdo të ndodh nga ai takim, se në 2019 në të njëjtën zyrë kemi qenë, prap këto kërkesa kanë qenë, se nuk është vetëm problemi i kostove të atij fëmijë", shprehet ajo.
Kërkesat
Rimbursim i paketës së higjienës
Rikthimi i pagesës për energjinë elektrike
Kujdestari të paguhet me pagë minimale
Kujdestari të futet në punët e rënda
80 litra karburant në muaj
Godinë në një nga plazhet Durrës apo Shëngjin për rehabilitim
Rimbursim i ilaçeve