Sezoni veror e gjen sërish fshatin liqenor të Linit pa infrastrukturë. Shqetësimi kryesor për banorët, të cilët e kanë bazuar ekonominë tek turizmi, janë ujërat e zeza që vërshojnë nëpër rrugica. Edhe pse mijëra turistë të huaj vizitojnë Linin çdo vit, kjo s’ka mjaftuar që zona të marrë investime.
“Nuk ka kanalizime, derdhen në liqen. Sa here na vijnë politikanët për fushatë e kemi ngritur si shqetësim, por asgjë nuk kanë bërë deri tani”, tha një banore. Vijnë dhe turistë të huaj dhe fëmijët tanë kur kthehen nga emigrimi hyjnë lahen në liqen, por s’kemi c bëjmë”, tha një tjeter.
Prezenca e ujerave të zeza në sipërfaqe është e dukshme.
Banorët e Linit shprehen shumë te shqetësuar, pasi ujërat po ndotin liqenin dhe rrezikojnë seriozisht turizmin në zonë.
“Në disa familje kanë bërë gropa septike, ndërsa të tjerët s’kanë fare. Të gjitha ujërat e zeza rrjedhin e shkojnë e derdhen në liqen. Mjaft shqetësuese është për ambientin këtu por dhe për liqenin se prej këtyre ka ngordhur dhe peshku”, tha një tjetër banor.
Impianti i përpunimit të ujërave të zeza trajton vetëm ujërat e zeza të qytetit të Pogradecit, por jo të fshatrave Lin dhe Udënisht. Ndërsa shtrimi i rrjetit të kanalizimeve prej vitesh është rekomanduar nga UNESCO për gjithë fshatrat buze liqenit, por nuk ka gjetur zbatim nga Bashkia e Pogradecit.