Panariti është një fshat malor, piktoresk rrëzë malit të Ostrovicës, ku jetojnë kryesisht të moshuar. Dimri është i ashpër në Panarit, ndaj banorët i gjejmë duke përgatitur zahiretë, sepse fshati izolohet nga dhjetori e deri në mars.
“Fasulet, trahana, turshi, gogozhare, djathë mjaltë, pasterma i bëjmë vetë. Dimri është i vështirë për ata që udhëtojnë për ne pleqtë që rrimë mirë është. Për mësuesit infermieret është e vështirë”.
Pavarësisht se po përgatiten për dimrin, me sigurimin e ushqimeve dhe grazhdit për bagëtitë, banorët kërkojnë ndihmë nga pushteti vendor për të mbajtur hapur rrugën.
“Ne marrim ushqime para se të bllokohet rruga nga bora, si mielli, sheqeri, etc, dhe bazën ushqimore por gjithsesi izolimi është një makth se çdo familje përpos bazës ushqimore ka nevojë për ndihmë mjekësore dhe kjo vështirëson kur ka borë dhe bllokohet rruga. Ky aks kalon në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit dhe bllokohet gjatë dimrit nga bora”.
“Është e nevojshme që nga pushteti lokal të ketë vemendje gjatë dimrit. Njerëz jemi duhet ndihmë e mjekut specialist. Furnizimi me energji elektrike. Ka vite që linja është e amortizuar por spo gjendet zgjidhje. Mbetemi dhe me javë pa drita. Këtu ne rrimë pa drita. Sa të bie shi ikin dritat. Linja është përtokë fare”.
Fshati Panariti ndodhet 50 km larg qytetit të Korçës. Deri në fshatin Shtyllas rruga është e asfaltuar, ndërsa nga Shtyllasi në Panarit, rreth 15 kilometra është segmenti problematik që bllokohet, pasi në dimër bora shkon 1 metër. Ndonëse ka bukuri të pamata natyrore, për shkak të vështirësive, Panariti është prekur nga shpopullimi. Sot këtu jetojnë 35 familje, nga 250 që ishin para ’90-ës.