Pranë Hidrovorit të Darëzezës në Fier, çdo fundjavë mblidhen peshkatarë amatorë nga gjithë Shqipëria. Me grepa të thjeshtë, karrige portative dhe karrem të përgatitur me kujdes, gjuetia e peshkut për ta është pasion jo punë.
Ai tregon se peshku më i madh që ka zënë ka qenë 3-4 kg dhe se gjithmonë ia ka dhuruar miqve e familjareve.
“Nëse zë peshk, shkoj para gruas me krenari, i them: shiko kush jam!”, thotë me të qeshur Novruz Xhaxhi nga Patosi, që prej shtatë vitesh e ndjek këtë pasion.
Për Aurelin, një tjetër peshkatar nga Patosi, peshkimi është bërë mënyrë jetese.
“Kam 10 vite që gjuaj, edhe në Fier, edhe në Gjirin e Vlorës. Ka ditë kur sjell 1 ose 2 kg, por njëherë kam zënë 20 kilogramë. Rrallëherë kemi përjetuar rreziqe në det, por pasioni na shtyn', tha ai.
Ai shpjegon se në këtë sezon kapet më së shumti qefulli, ndërsa më rrallë levreku dhe koca. Peshkatarët shpenzojnë nga xhepi për karburant, pajisje e ushqime gjithçka për kënaqësinë qe te ofron ky lloj sporti.
Një nga sfidat që ata përmendin është reduktimi i sasisë së peshkut që kapet me grep, për shkak të rrjetave të peshkatarëve profesionistë, të cilët, sipas tyre, po dëmtojnë rezervën natyrore të zonës.
“Peshku në grep bie gjithmonë e më pak. Vij nga Patosi prej 12 vitesh, vetëm nëse kam ndonjë hall familjar mungoj. Edhe në pandemi s’e kemi lënë këtë zakon. S’kemi shit, peshkun e ndajmë me njerëzit tanë”, thotë një tjetër peshkatar amator.
Për të moshuarit, Darëzeza është më shumë se një vend për të zënë peshk është mënyrë për të kaluar kohën.
“Jam nga Fieri. Nuk vij shpesh, por shokët më thërrasin. Më mirë këtu sesa të vërtitesh në kafenetë e qytetit. Mosha jonë këtë kërkon, qetësi dhe shoqëri”, tregon një tjetër burrë që rrallë kap peshk, por kurrë nuk humbet takimin e fundjavës me natyrën dhe miqtë.
Darëzeza duket se ka fituar një komunitet, dashamirës të natyrës, që çdo fundjavë ulen pranë bregut, jo vetëm për peshk por dhe pak qetësi...
Komente
