Voskopoja mbetet resurs i pashtershëm i juglindjes së vendit. Vetëm 21 km larg qytetit te Korçës ky fshat ka pritur ndër vite me mijëra vizitorë vendas e të huaj. Banoret ekonominë e tyre e kanë mbështetur tek zhvillimi i turizmit, por pandemia e Covid-19 ka sjellë rënie të numrit të turistëve edhe në Voskopojë.
Operatorët turistike thonë se gjatë kësaj periudhe turizmi ka shënuar një rënie me 40 për qind krahasuar me një vit më parë.
"Ne këtu nuk kemi shumë të prekur me Covid-19, por megjithatë ka rënë numri i rezervimeve. Ka edhe anulime nga persona që janë të prekur nga kjo sëmundje. Krahasuar me një vit më parë gjatë kësaj periudhe ka rreth 40-50 për qind më pak persona që vijnë për pushime gjatë fundjavës se gjatë javës janë të gjitha dhomat bosh", shprehet një prej pronarëve të hoteleve në Voskopojë.
Vizitorët i sheh kryesisht gjatë fundjavave në Voskopojë. Ata e zgjedhin këtë fshat turistik për natyrën e bukur, ajrin e pastër dhe komoditetin që ofron.
Po kështu, në Voskopojë gjetëm dhe një grup studentësh të arkitekturës, të cilët shprehin vlerësim për investimet e reja që janë bërë duke ruajtur harmoninë artitekturore me vlerat e traditës.
Ekonomia familjare e banorëve të Voskopojës është e bazuar e gjitha tek turizmi. Disa kanë kthyer banesat e tyre në bujtina, ndërsa të tjerë punojnë në bujqësi e blegtori. Banorët e Voskopojës shpresojnë se me nisjen e reshjeve të dëborës do të shtohet edhe numri i turistëve.