Sociale
Reportazh

Reportazh/ Klubi motoristik ‘Plisat’ udhëtim nga Zvicra në Kosovë: Jo shëtitje, këtë rrugë e bëjmë për atdheun (VIDEO)

3 Gusht, 11:22| Përditesimi: 3 Gusht, 12:38

  • Share

Në vapën përvëluese të verës, një grup motoristësh, me katërçikla përshkojnë rrugët malore që lidhin Kosovën me Shqipërinë. Janë nisur nga Zvicra dhe kanë lënë pas 8 shtete europiane për të mbërritur në Prizren – në përvjetorin e 20-të të Klubit Motoristik “Plisat”.

Sahit Karakushi është pjesëtari më i vjetër i grupit, njëherësh simbol i një komuniteti që përmes pasionit për motorët mban gjallë lidhjen me vendin e origjinës.

“Jam 63 vjeç, me mbi 40 vjet mbi motor. Këtë rrugë nuk e bëjmë për shëtitje. E bëjmë për flamurin, për atdheun”, shprehet ai.

Pas eventit në Prizren, një pjesë e grupit u nis drejt kufirit jugor, në një itinerar sfidues me katërçikla, që përshkon rrugë malore.

Ndalojnë në Pasha Çesme – një burim i lashtë ku dikur pushonin karvanët osmanë. Sot, ndalet karvani i katërçiklave shqiptarë.

“Kjo është rrugë që ka histori. Dikur ndalonin ushtarë dhe tregtarë. Sot ndalemi ne – bijtë e kësaj toke”, thotë Bashkim Rakaj.

Itinerari i tyre kalon përmes fshatrave Leskovec, Lubiçevë e Billushë, për të mbërritur në Dragash – një zonë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Jo çdo katërçikël e përballon këtë rrugë. Por çdo shqiptar duhet të vijë këtu – të prekë këto shtigje që na lidhin me të kaluarën”, shprehet Leotrim Muqaj.

Ndalesa  e fundit është në Shishtavec të Kukësit, dhe më pas në liqenin e Thatë të Vermicës, vetëm pak kilometra nga pika kufitare Morinë – Vërmicë.

“Nëse niveli i ujit rritet dhe bëhet marrëveshje mes dy shteteve, këtu mund të lundrosh deri në Fierzë. Mund të lidhim jo vetëm tokën, por edhe ujin mes nesh”, thotë Bashkim Rakaj.

Ky nuk është një udhëtim thjesht për aventurë por një organizim që mbart me vete mesazhin e ruajtjes se identitetit kombëtar.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?