REPORTAZH/ Mokra e Poshtme, nga qytetërimi Ilir te liqenet akullnajore, zbuloni thesaret e historisë dhe natyrës

5 Gusht 2020, 19:12| Përditesimi: 5 Gusht 2020, 19:35

  • Share

Natyra shqiptare ka vende fantastike, bukuri të pafundme nga veriu në jug, që jo të gjithë i njohin. Një nga perlat e Shqipërisë është edhe Mokra krahinë, që ndahet nga lumi Shkumbin në dy pjese Mokra e Sipërme dhe Mokra e poshtme. Destinacioni ynë është pikërisht Mokra e Poshtme. Së bashku do të zbulojmë hiret dhe bukuritë e kësaj zone që mbi supe mban historinë e lashtë. Në këtë udhëtim ne nuk jemi vetëm na shoqëron edhe arkeologia Froseda Tola dhe Gani Bego specialist pranë ADZM Korçë.

"Sot do të bëjmë itinerarin Pogradec-Liqenet e Lukovës. Në bazë së strategjisë së zhvillimit të turizmit nga administrata e zonave të mbrojtura, ky është një nga itineraret e propozuara për të prodhuar një broshurë të mirëfilltë bashkë me pikat dhe atraksionet kryesore që vizitohen gjatë këtij itinerari", u shpreh Gani Bego.

Arkeologia Froseda Tola shprehet se "kjo zonë i ka fillesat e qytetërimit që në Neolit dhe nuk ka ndërprerje të jetës deri në ditët tona. Është një nga zonat ku ruhet në mënyrë mjaft origjinale kultura shqiptare".

Udhëtimi ynë nga Pogradeci drejt Mokrës nisi herët, një rrugëtim i gjatë sepse kjo krahinë ka shumë për të zbuluar. Një rrugëtim i bukur mes kurorave të gjelbërta, ujërave të pashtershme të Shkumbinit dhe natyrës përrallore që na mahniste në çdo km rruge.

Është e pamundur të shkosh në Mokër dhe të mos të tërheqë vëmendjen Ura e gurtë e Golikut. Pamja që të ofronte nga larg na zgjoi kureshtjen për të qenë pikërisht ndalesa e parë ky atraksion i trashëgimisë kulturore.

Ura e Golikut më e veçanta në rrethin e Pogradecit. Ndodhet vetëm 40 km larg qytetit, mbi lumin Shkumbin. Kjo urë është ndërtuar mbi gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia një degëzim i së cilës niste pikërisht nga Goliku për të ecur përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Shkumbin duke lidhur kështu krahinën e Mokrës nga njëra anë me fushën e Domosdovës dhe fushën e Korçës nga ana tjetër.

Ura e Golikut

"Është një urë me dy harqe, harku i vogël është shumë interesat pasi shërben për të lehtësuar prurjet e mëdha të ujit dhe që uji të mos godiste direkt në këmbën e urës dhe dritarja është ndërtuar pikërisht për atë arsye. Ura është ndërtuar në shekujt 17-18 dhe meqë ishte pjesë e degëzimit të urës Egnatia gjurmët e saj i përkasin periudhës romake. Gurët e urës janë rreth 300 vjeçare dhe janë pjesë e strukturës origjinale dhe në rast restaurimi këto do të ruhen pasi ruajmë origjinalitetin e urës", u shpreh Froseda Tola.

U larguam nga ura e Golikut këmbët e së cilës qëndrojnë mbi rrjedhën e Shkumbinit, për t'u ndalur tek një tjetër vend atje ku përjetuam një udhëtim unik në kohë mes qytetërimit të lashtë dhe historisë që karakterizon Selcën një tjetër fshat i Mokrës.

Këtu jemi tek varret monumentale të Selcës, që gjenden në faqen lindore të kodrës së quajtur Gradishte, ku ndodhen gjurmët e qytetit ilir të Selcës së Poshtme. 5 varret e Selcës janë unike në llojin e tyre. Ato janë të gdhendura në shkëmbin e fasadës së kodrës dhe datojnë në shekullin e 4-3 para lindjes së Krishtit.

Varret e Selcës janë dëshmi e gjallë e vendbanimeve të lashta njerëzore në tokën tonë, traditave të qytetërimit, jetës ilire, pasuri e rrallë historike. Arkitektura e tyre është ende e dukshme që nga varret dy-katëshe deri tek varri me formën e amfiteatrit. Ekzaktësisht nuk dihet se kush ka qenë varrosur në këto varre, por e sigurt është se të gjithë kanë qenë shtresë e lartë e shoqërisë, ndoshta mbretër, mbretëresha, princër dhe princesha.

Për nga arkitektura varri më i veçantë mbetet varri numër 2, ndërsa për nga histori varri numër 3 ku janë gjetur dhe objekte të rëndësishme historike.

5 varret e Selcës

"Numrat lidhen me kronologjinë e zbulimit të varreve nga arkeologët. Ky është varri i parë që njihet nga arkeologët dhe ishte i vetmi mbi sipërfaqen e tokës, e njihnin dhe banorët e fshatit që për shekuj me radhë e kanë përdoru si vend mistik apo legjendë si vend që sillte mirë. Nga shekulli 20 deri sa u kuptua që ky ishte varr përdorej si haur për të mbajtur kafshët. Në 1969 Muzeu i Pogradecit bëri gërmimet e para dhe duke e pastruar zbuluan varrin ngjitur 2 dhe më pas atë 3 dhe pastaj morën numrat. Ky ka qenë ndër varret e para që është gërmuar në shekullin e 4 para lindjes së Krishtit. Nëse në varrin nr 4 sarkofagu vendosej një si tip foleje, këtu në varrin 1 sarkofagu vendosej në shtretër prej guri. Çdo varr ka detaje të veçanta, ku njëri është më pak i zbukuruar nga jashtë, një tjetër ka pasur portë ku gjurmët e saj janë ende. Në këto varre vendosej shtresa më e lartë e shoqërisë, mund të kenë qenë edhe mbretër  ilir të varrosu këtu në kohën kur e drejtonte mbreti Manu dhe ka disa elemente që e specifikojnë dhe e lidhin me të", tha arkeologia Tola për varrin numër 1.

"Varri numër 2 ka një tjetër strukturë nga varri 1 në dy elementë të saj. E para vendi ku varrosej, këtu varrimi nuk bëhej me trup por ai digjej diku tjetër dhe më pas hiri futej në një enë dhe vendosej këtu. Elementi dy është pjesa e ngritur që shërbente për ceremoninë mortore dhe përkujtimore"

"Varri numër 3 është varri i vetëm që është me dy kate dhe i vetmi që është gjetur me objekte. Objekti më i rëndësishëm është një tokëz rripi që vendosej në brez dhe është shumë e rëndësishme për dekoracionet që ka. Janë gjetur objekte qeramike, një diademë, armë"

"Varri numër 4 është gjetur pikërisht në këtë formë. Këto varrë janë ripërdorur dhe për qëllime të tjera, ku disa shekuj më vonë është përdorur dhe si banesë. Në shekullin e 6 është braktisur i gjithë qyteti antik dhe më pas është mbuluar nga dherat dhe është rizbuluar në vitet '70 të shekullit 20 nga arkeologët"

"Varri numër 5 ka strukturë krejt të veçantë nga të tjerat. Ky varr është ndërtuar me blloqe guri dhe është një varr i vogël ku vendose hiri pasi ishte djegur trupi", shpjegoi arkeologia Froseda Tola për rëndësinë e varreve antike.

Tek varret e Selcës takuam edhe Kudretin, personi, i cili është kujdesur për këto varre që nga viti 1992. Përgjatë gjithë këtyre viteve Kudreti ka shoqëruar turistë të shumtë vendas dhe të huaj. Historinë dhe rëndësinë e Selcës ai e zbuloi nga turistët e huaj e prej asaj kohe ai u lidh fort pas kësaj zone.

"Për këto varre nuk dinim asgjë për historinë, vetëm se jemi rritur që fëmijë këtej, nuk më dukej me vlerë kaq të madhe sa e ka realisht. Kur shikoja fluksin e të huajve që kam shoqëruar dhe kur dëgjoja nga goja e tyre rëndësinë atëherë kuptova pasurinë e paçmueshme që kemi pasur dhe nuk e paskemi ditur", u shpreh Kudreti.

Po cila është historia e qytetit ilir të Selcës së Poshtme?

Arkeologia Froseda Tola tha se "fillesat e veta i ka që në periudhën prehistorike, ka qenë i vendosur në pjesën e sipërme të kodrës që quhet Gradishtës. Kulmin e zhvillimit e kanë pasur në shekujt 4 para Krishtit kur janë ndërtuara edhe varret si pjesë e qytetit. Kulmi i zhvillimit shoqëror, ekonomik e politike në atë kohë dhe kulmi i zhvillimit të mbretërisë ilire deri në shekullin e 2-të para Krishtit. Një arsye e zhvillimit ka qenë dhe kontrolli i rrugës lidhëse të bregdetit me liqenin e Ohrit që i kalonte Selcës afër dhe duke kontrolluar rrugën merreshin taksat në karvanët që kalonin. Me ndërtimin e rrugës Egnatia ra dhe rëndësia e qytetit duke u braktisur përfundimisht në periudhën e antikitetit të vonë kur sapo kishte filluar dyndja barbare në vend"

E lëmë pas fshatin e bukur dhe historinë e Selcës .Me makinën e mundësuar nga administrata e zonave të mbrojtura Korçë vijojmë udhëtimin. Për hir të së vërtetës infrastruktura pasi kalon Selcën le për të dëshiruar, rrugë e ngushtë, e vështirë, e pashtruar, por natyra ishte më tepër sesa shpërblyese. Teksa udhëtonim shihnim majat e larta, ujin që gurgullonte në të dy anët e rrugës dhe një peizazh mbuluar nga pafundësia e pyjeve që rrallë herë ke fatin ta shkelësh.

Zona e Selcës

Në fshatin e quajtur Buzaisht është ndalesa e radhës. Vëmendjen tonë e mori rezervuari i fshatit vendosur mes kurorës së gjelbër, ndërsa në këtë ndalesë mësojmë pak histori rreth Mokrës dhe prejardhjes së këtij emri.

 "Zona e Mokrës ndodhet në perëndim të Pogradecit, e ndarë në Mokrën e poshtme dhe të sipërme. Ajo përmendet për herë të parë në shekullin e 11 dhe në shqip do të thotë guri i mullirit, pasi kjo zonë është e pasur me burime ujore", tha Gani Bego.

Nisemi për hiking për të mbërritur te dy liqenet e Lukovës dhe nuk mund të qëndronim indiferentë përpara asaj që na dhuronte fshati Bishnicë, një fshat i vogël mes një bukurie të madhe. Shumë pak shtëpi dhe banorë, i varfër në ekonomi, por shumë i pasur në bukuri e resurse natyrore.

Kjo është pamja spektakolare që të ofron nga lart fshati Bishnicë i Mokrës

Nga këtu ne do të nisim udhëtimin në këmbë drejt destinacionit final liqeneve të Lukovës.

Gjatë udhëtimit në këmbë shijuam ajrin e pastër, ndjemë freskinë e verës, kënaqësinë e një natyre të virgjër e të paprekur. Rruga sa vinte dhe bëhej më interesante. Mes pyjeve na shoqëruan ujërat e ftohtë e të rrjedhshëm. Frutat e pyllit me shijen dhe aromën e mrekullueshme na tundonin për të pasur ndalesa më të shpeshta.

Këto pasuri të natyrës midis tyre dhe bimë medicinale shfrytëzohen nga banorët si burime jetese.

"Këtu nuk mungojnë frutat por dhe bimët medicinale. Në pyjet e Bishnicës rritet shumë boronicë, çaj mali, dëllinjë e kuqe dhe të zezë, mjedra etj. që banorët e tregtojnë", tha Gani Bego.

Kemi ecur më shumë se sa 3 ore në këmbë dhe liqenet e Lukovës na presin t'i zbulojmë. Pas pyjesh u shfaq mrekullia e dy liqeneve. Uji kthjellet ndriste nga rrezet e diellit. Ky destinacion është një mrekulli e panjohur e turizmit malor. Më në fund arritëm te liqenet e Lukovës. Monumente natyre që nuk duhen humbur nga askush. Pamja që të ofron është mahnitëse. Është e vështirë për të gjetur fjalët e duhura për të përcaktuar dhe përshkruar një bukuri të tillë natyrore. Këtu janë të vendosur dy liqene akullnajore rreth 1800 metër mbi nivelin e detit dhe në një distancë rreth 70 km nga qyteti i Pogradecit .

Ka qytetarë që nuk i njohin këto vende kaq të bukura malore, pro interesi është në rritje vitet e fundit. Vizitorët më të shumtë janë të huaj.

Liqeni i Lukovës

Liqeni i dytë i Lukovës për nga sipërfaqja është më i madh sesa liqeni i parë. Për të mbërritur te liqeni i dytë na u desh rrugë në këmbë rreth 20 minuta në distancë nga liqeni i parë. Në një kohë tjetër këtu gjeje turistë të huaj që laheshin në ujërat qelibar të Lukovës.

"Këtu jemi 1800 metër mbi nivelin e detit, liqeni i madh i Lukovës ka një sipërfaqe rreth 6.7 hektarë dhe jemi pothuajse në skajin perëndimorë të Pogradecit, 50 metër në linjë ajrore me Gramshin" tha Gani Bego.

Tek liqeni i dytë i Lukovës unë nuk jam vetëm me Ganiun, por jam edhe me Andin. Ai është përfaqësues i Discover Pogradec

"Jemi një grup të rinjsh që jemi fokusuar në promovimin e zonave turistike të Pogradecit dhe pjesë janë edhe liqenet akullnajore të Lukovës", tha Andi Bego.

Koha kaloi si pa kuptuar dhe mbrëmja na gjeti në fshatin Velçan të Mokrës. Ora shënon 21:00 e dhe ne sapo kemi mbërritur tek Vila Çela, që na ka mirëpritur

Është e vetmja bujtinë jo vetëm në fshatin Velçan, por në të gjithë zonën e Mokrës së Poshtme. Ne këtu ndodhemi me Kledin, i cili është pronari i bujtinës dhe ai do të na tregojë se si i ka lindur ideja e krijimit të kësaj bujtine në një zonë që ka potenciale të jashtëzakonshme një natyrë të rrethuar nga monumente natyrore por dhe monumente kulturore me vlera të mëdha historike.

"Kur kam qenë i vogël vija shpesh herë këtu me prindërit dhe më pas kur u rrita kisha 15 vite që nuk vija dhe shtëpia ishte dëmtuar. Prindërit e donin shumë fshatin dhe vendosa ta ktheja në bujtinë. Turistët nuk kanë informacion për këtë zonë, pasi askush nuk ka bërë asnjë reklamë kësaj zone", tha Kledi Çela.

Gjatë bisedës Kledi shton se nëse në këtë zonë, që konkurron edhe zonat më elitare turistike në Shqipëri, do të kishte rrugë e promovim atëherë turizmi do të kishte arritur majat.

Ndërkohë do të shohim disa gatime tradicionale të zonës së Mokrës së Poshtme pikërisht te Vila Çela. Mikpritja shqiptare është e dukshme. Në këtë tryezë të shtruar plot me dashuri Kledi na tregon gatimet tradicionale, prodhimet e fshatit, dollisë me verë e raki  të shoqëruar me këngë deri në orët e para të mëngjesit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?