Foto nga Velipoja

Sociale

Reportazh/ Në Velipojë, pas gjysmë shekulli, nga rruga e re

26 Maj, 20:50| Përditesimi: 26 Maj, 20:56

  • Share

Kthim pas pesëdhjetë vjetësh 

Kisha gjysmë shekulli pa shkelur në Velipojë. Aty nga shtatori i vitit 1974, student në Universitetin e Shkodrës, shkuam atje për të korrur misër. Ishte një fushë e madhe e bukur që shtrihej deri tutje pa fund, e krijuar gjatë shekujve nga aluvionet e Drinit, Bunës e Kirit, e mbjellë me bimën e bekuar, për të cilin kishte shkruar Migjeni te “Legjenda e misrit”. Misër, misër! Një kokërr misër asht një kokërr dhimbje, kur ka shumë ù e aspak misër. E sistemuar dhe e zbukuruar më së miri atëhere. Misri ishte dy metra i lartë. Ajo pamje më kishte mbetur në mendje nga shekulli i kaluar.  

Emri i vendit, Velipojë,  është sllav dhe do të thotë fushë e madhe (vjelikoje polje) Janë disa emra të tillë nëpër Shqipëri, të mbetur nga dyndjet e tyre pesëmbëdhjetë shekuj më parë. Populli i Kuçovës e ndërroi emrin e qytetit të vet, duke e kthyer atë në emrin ilir Dimal.

Qëllimi i vizitës

Doja të shikoja rrugën e re Shëngjin – Velipojë që shtrihet buzë deti Adriatik, e përuruar pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit, por edhe më shumë. Mendja dhe trupi marrin fusha dhe male, larg, larg nga kryeqyteti, nga brengat, nga thashethmet, nga rrëmuja dhe rrëmeti i zgjedhjeve parlamentare të sapopërfunduara. Gjurmë të fushatës zgjedhore për fat nuk dukeshin gjëkundi andej. Vendin e tyre e zinin bukuritë e mahnitshme të natyrës, që shfaqeshin para syve në ditët e fundit të majit, të mbushura me erë e reshje shiu.  

Pyje të harlisura plot gjelbërim, tek – tuk të dëmtuara nga zjarret e verës së shkuar, dukeshin anës rrugës. Nuk e di a ishin ato zjarre të qëllimshme, për të përfituar sheshe për ndërtime, apo ishin pasojë e verës raskapitëse. Ato pamje me djegie e shëmtojnë vendin e bekuar nga perëndia. Shto edhe këtë rrugë të re tani si qershia mbi tortë.

Fushën e bukur të Velipojës, ku kisha korrur miser dikur, nuk e gjeta. Koha kishte bërë të vetën. Në vend të saj tani pashë copra të saj, të ndara sipas ligjit të tokës e të mbushura me ndërtime, here – herë serioze, herë të tjera modeste, me pemë e të mbjella të tjera prej pronarëve të tyre. Të këputej shpirti kur shikoje fushën e dikurshme të gjymtuar. Kuptohet, ka kaluar gjysmë shekulli. Kaosi i tranzicionit ka bërë të vetën edhe këtu. Kam një brengë në zemër, s’di kujt t’i rënkohem, t’u rënkohem maleve, malet më largohen.

Turizmi ende në “pelena”

Sezoni turistik në vend zyrtarisht ka filluar, por andej dukeshin pak shenja të tij. Koha ende e freskët e me shira të herëpashershme nëpër këmbë, i ka bërë njerëzit të maten mirë para se të nisen për në bregdet. Kjo duket në lirshmërinë e rrugës automobilistike, si në segmentin Kashar -  Milot, ashtu edhe më tej. Ka pak makina në të, ndonëse është fundjavë.

 Rruga është e mirë, përveç nje segmenti në Shengjin që duket sikur kërkon t’u kujtojë qytetarëve se  ka edhe punë që lihen për t’u bërë në minutën e fundit. E kam fjalën për sezonin e turizmit. Vargu i makinave vuan për disa minuta në këtë rrugë ku punohet edhe nga punëtorë të huaj. Dallohen nga ngjyra e fytyrës së tyre. Ndoshta edhe për këtë arsye, partia në pushtet e humbi mazhorancën në prefekturën e Lezhës në zgjedhjet e fundit.  

Një vepër e vërtetë arti

Rruga e re Shëngjin - Velipojë ështe një vepër arti e vërtetë. Me gjatësi rreth 15 kilometër, e pajisur me tërë sinjalistikën e duhur rrugore, me pamje të mrekullueshme të detit Adriatik që shtrihet poshtë këmbëve të  saj, ajo të fton të kalosh të paktën një herë në të. Për më shumë ajo do të përdoret prej banorëve të kësaj zone, pra Lezhës dhe Shkodrës, shto edhe kosovarët.

Kodra dhe kreshta malesh deri në tetëqind metër mbi nivelin e detit, me pyje të harlisura si për fund maji në to, shtrihen gjithandej gjatë rrugës. Këtu rritet dukshëm edhe shega e egër e cila është në lulëzim të plotë tani, me ngjyrën e kuqe të petaleve këto ditë. Bima e njohur mesdhetare, është në harmoni me natyrën, e rrahur nga flladi i butë i detit. Dushqet e vjetër e të rinj i japin bukuri pamjes përreth duke të kënaqur syrin.  

Rruga dhe zhvillimi i turizmit

Kantjere ndërtimi të kompanive të ndryshme, të ngritura aty - këtu buzë rrugës me pamje nga deti, lajmërojnë për ngritjen së shpejti të qendrave të reja turistike të klasit të lartë. Eshtë një rast i rrallë në vendin tonë, ku infrastruktura i paraprin ndërtimit. Në raste të tjera rruga është e fundit. Tani kompanitë e ndërtimit mund të punojnë me komoditet në këto anë.

 Me shumë vende parkimi buzë saj, të ngritura posaçërisht me qëllim që udhëtarët të kenë mundësi të lenë makinat për pak çaste e të kullosin sytë poshtë në detin blu të pafund, rruga nuk ka shoqe tjetër në vend.  Si banor i vjetër i Tiranës, jam xheloz që këtë rrugë nuk e kemi në kryeqytet. Por kjo nuk bëhet, se duhet të sjellësh më parë detin në Tiranë, që pastaj të bësh rrugën.

Era e ftohtë e me lagështirë që fryn sikur të ishte fillim marsi e jo fund maji, të kujton se je në një realitet të pa provuar më parë. Shyqyr që e kemi marrë me vete nga një triko. Kjo zonë e atdheut që tani rrihet nga rruga e re, ka qenë botë e panjohur më parë për shqiptarët. Por ja tani ajo është e përfunduar dhe na krijon mëndësinë t’i gëzohemi natyrës fantastike.   

Rrjolli

Përpara se të mbërrijmë në Velipojë, kalojmë përmes fshatit Rrjoll. Shtrihet buzë detit, por dikur konsiderohej i humbur, për shkak të largësisë nga rruga kombëtare. Tani ai ka dalë si “veshka mes të dhjamit”. Rruga e re i kalon përmes. Ka disa ndërtime të reja premtuese në të, të pakta sepse popullsia e tij, me sa duket, ka marrë rrugët e mërgimit, mu për atë arsye që thamë. Ndoshta kur të shikojnë rrugën e re dhe mundësitë që hap ajo, do të kthehen një ditë. Derrat e butë që kullosn barin buzë rrugës na tregojnë se jemi në një zonë me popullsi katolike.

Tani fshatit i ka ardhur dita të përfitojë edhe ai nga mundësitë e turizmit, duke u bërë ashtu si Velipoja. Edhe kjo dikur ishte siç është Rrjolli sot. Kishte vetëm disa kabina plazhi prej druri të ndërtuara nga qeveria komuniste, ku pushonin  qytetarët e Shkodrës, si kabinat në plazhin e Durrësit. Rrjolli i ka mundësitë po aq të mëdha, se tani ndërtimet e reja, veçanërisht ato në fushën e turizmit, bëhen me klas. Pazari i tokës për ndërtim ka për t’u rritur ndjeshëm këtu.

Velipoja

Ajo na shfaqet përpara me pamjen e një qyteti të vërtetë. Rrugë të drejta e të gjera, pallate dhe hotele të bukura, njësi tregtare që shërbejnë për vendasit dhe pushuesit, parkingje, lokale të shërbimeve të ndryshme për mysafirët, plazhe me rërë të mrekullushme, me çadra dhe shezlona shumëngjyrësh të vendosura në të për pushuesit. Të gjitha janë bërë gati për sezonin e ri. Ku është Fusha e Madhe ku kam korrur misër 50 vjet më parë? Nuk ka më fushë.

Rruga e re do t’ia shtojë pushuesit Velipojës, të cilët, me sa shikojmë, janë ende të paktë, mu për arsyet që thamë, motit me tiparet e dimrit që nuk dëgjon t’ia lerë vendin verës as në fund të majit. Uji i pastër i detit na fton ta provojmë, por jo, është herët. Nuk ka as njerëz të tjerë në të. Do na quajnë të rrjedhur nga trutë e kokës po të futemi në të. Nuk kemi as moshë për të ndrequr gabimet.  E kohë plazhi asht, por jo mot për të.

Erdhëm që erdhëm deri këtu, ta pimë nga një kafe. Çmimi i saj dhe i ujit është i njejtë me atë të bareve të fisme të Tiranës. S’ka gjë, qejfi paguhet. Drekën e kemi lënë për te bujtina  e peshkut “Meloni” e bisnesmenit Luca në Shëngjin. Ka kohë, se rruga nga Tirana në Velipojë na shkoi më pak se dy orë. Kushedi se kur do të na bjerë rasti të vijmë prapë në këto anë. Ndoshta pas pesëdhjetë vjetësh të tjera. Rruga tanimë është bërë, por ne kemi edhe buzëdete të tjera për të shijuar./Tema   

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eri: 26/05/2025 21:53

    Me falni per kundershtimin por Velipoje nuk mendoj se eshte sllavisht. Vel- ka lidhje me Vale si ne gjetmanisht Welle dhe eshte fjale ilire shume e perhapur ne bregdetet e Mesdheut apo aty ku ka thellesi uji si psh Valencia apo Valamar . Ose fshati Velce ne Vlore. Ndersa Poje ende perdoret nga arbereshet dhe dmth Fllad apo ere e lehte. Pra Velipoje ose Vele poje dmth Vala apo dei i flladit ( ku fryn flladit) . 100% shqip,ilirisht.

    Përgjigju
  • jon: 26/05/2025 21:36

    Qyteti po ndryshon çdo ditë,kjo rrugë u bë po kështu ajo që ka qenë kangrenë për të shkuar në Tropojë Vau i dejës Koman po bëhet,rruga e malësisë së madhe është një yll po kështu ajo e Thethit e plot të tjera,Shkodra u pastrua nga plerat por ka plot gomerë që nuk votojnë ndryshimin por Sali non gratë ,pse qyteti i kulturës ka kaq shumë gomerë shpellarë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?