Reportazh/ Nga xhupi i shajakut tek çiftelia afro dy shekullore, rojtarët besnikë të traditës rrëfejnë ‘shpirtin’ mirditor: Na i trashëguan të parët tanë!

9 Janar, 15:36| Përditesimi: 9 Janar, 15:55

  • Share

Kjo është Tereze Deda. Një nga zonjat artizane që sjell pjesë të shpirtit mirditor këtë fillim jave në Shtëpinë e Evropës.

Nga punimet e shajakut tradicional, të grepit, qëndismat, brezat, qeleshet, bizhuteritë, trashëgimia mirditore është përçuar me sqimë nga artizanet.

“Prej stërgjysheve, gjysheve, nënave tona, ne vazhdojmë ta kemi e ta çojmë përpara këtë trashëgimi”, shprehet Tereze Deda, një nga artizanet e zonës.

Më e moçmja prej zonjave, është Mrika. E ka trashëguar artizanatin nga i ati Nikoll Bardhi dhe ka veshur breza të tërë.

“Im atë është burri i parë që ka qep në Mirëditë. Ai ka bërë të gjitha veshjet kombëtare. Pastaj e trashëgova dhe unë”, shprehet Mrik Ndreca, artizane.

Secila prej tyre ka nisur thurjen që në fëmijëri. Në çdo endje, kalisnin fort dhe dashurinë për etnografinë e krahinës së tyre. Si Drane Fizi që jo vetëm e mban me krenari veshjen e grave mirditore këtë mbrëmje, por punon prej 35 vitesh veshjet e zonës.

“Veshja mirëditore është ndër veshjet më të mira jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, sepse në fakt edhe është vlerësuar si e tillë. Unë kam veshur Adrola Dushin në Las Vegas, dhe ajo është vlerësuar e 29-ta në të gjithë botën”, shprehet artizania Drane Fizi.

Xhupi mbi 200-vjeçar i gruas mirditore, siç na rrëfejnë është nga më të vyerat veshje të zonës. Simbolet në të kanë origjinë pagane, e përçohen të pacenuara si trashëgimi e paraardhësve tanë ilirëve. Këmbëngulin për më shumë vëmendje, që kjo pasuri të mos humbasë...

“Shteti duhet të na ndihmojë, të investojë që kjo traditë të mos humbasë”, shprehet Adelina Perleka, një prej artizaneve.

Por Mirëdita mbahet gjallë edhe në këngë. Nga lahuta te sharkia, veglat muzikore të kësaj krahine luhen ende. Koleksionisti dhe muzikologu Mark Luli, ekspozon disa syresh. Mes të cilave edhe kjo çifteli që siç ai thotë është më e vjetra në Shqipëri.

“Kjo çifteli është me e vjetra në Shqipëri, datën në vitin 1840”, thotë koleksionisti dhe muzikologu Mark Luli.

Një pjesë e trashëgimisë së krahinës këtë mbrëmje vjen në ekspozitë edhe përmes guidave të Lufti Alliut, imazheve, videove dhe instalacioneve... Nadia Abazi dhe dashamirës sjellin "Mirditën në fotografi", ndërsa "Saharaja" e Abi Shehut fton në reflektim për burg-kampin e Spaçit. S'mund të mungonin kullat karakteristike të zonës. Nënë Mrika rrëfen se ka dy prej tyre që dëshiron t'i kthejë në muze.

“Kam dy kulla, janë qindra vjeçare, do të doja të ktheheshin në Muze”, shprehet nënë Mrik Ndreca.

Me byrekun me arra, që s’mungon në sofrat mirditore Krishtlindjeve, lëngun e thanës a të trëndafilit të egër, e shumëçka tjetër, në shenjë mirënjohje gratë mirditore kanë përgatitur këtë gosti...

“Byreku me arra, apo ai me presh e gjizë e fasule, lakrat po ashtu, lëngu i thanës i shegës, si dhe i trëndafilit janë tipike të zonës”, shprehet më tej nënë Mrika.

Ekspozita e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Ministria e Kulturës do të qëndrojë e hapur deri në 15 janar.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?