Reportazh për Beratin/ Pret 700 mijë turistë në vit, por qyteti i ‘një mbi një dritareve’ s’ka tabela orientuese! Udhërrëfyesi: Turistët humbasin rrugën

4 Maj, 16:07| Përditesimi: 4 Maj, 18:21

  • Share

Nëse doni të kaloni disa ditë në një qytet me kulturë e histori, atëherë zgjedhja është Berati. Kushdo ka shkelur në rrugët e kalldrëmta ka mbetur i mahnitur si ky grup vajzash që kanë ardhur me agjenci nga shtete të ndryshme të botës.

“Më pëlqen shumë Berati! Eshtë brenda pritshmerive, siç e kisha parë nëpër foto”.

“Ka tre ditë që kam ardhur, më pëlqen shumë zona historike, por dua të eksploroj dhe vende të tjera, natyrën, traditën, të njoh njerëz”.

Turizmi historik është i pari por jo i vetmi! Së fundmi po njeh zhvillim dhe turizmi i natyrës e aventurës. Udhërrëfyesi Soni Ismaili që është kthyer pas 14 viteve emigrim, tregon se pasi kanë parë Kalanë, lagjet karakteristike Goricë dhe Mangalem si dhe në muzetë, turistët kërkojnë të shkojnë në kanionet e Osumit.

“Berati ka lagjet muzeale Goricë, Mangalem si dhe Kalanë. Së fundmi promovojmë atraksione të tjera, si Bogova, Kanionet e Osumit, Mali i Tomorit, etj. Po kështu kemi  paketa të tjera, turi me motorë 4/4 në malin Tomor ashtu edhe në malin Shpirag”, tha ai për Report tv.

Por tashmë që numri i turistëve është rritur ndjeshëm kanë dalë në pah dhe problematikat, siç është mungesa e sinjalistikës, tabelat orientuese, etj. 

“Beratit i mungojnë parkimet, ka bllokim rrugësh me orë të tëra  pasi një rrugë ka qyteti. Ajo që na pengon është që mungojnë aplikacionet, mungojnë tabelat informuese. Shpesh turistët nuk orientohen dot, humbasin rrugën. Infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, pra mungojnë etiketimet nuk i njeh Google Maps. Tabela informuese duhet të ketë në çdo cep të këtij qyteti gjë që mungon”, tha Ismaili.

Qyteti i 'një mbi një dritareve' mirëpret turistë të huaj në çdo stinë të vitit. Nëse i referohemi shifrave nga “infopoint” në 2023-shin, Berati u vizitua nga 700 mije turistë. Ndërsa këtë vit, nëse i referohemi rezervimeve të operatorëve turistike, turizmi pritet të ketë një rritje me 30 për qind!

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?