Kultura

Reportazh/ Rehova, fshati me gurë që dëshmon qytetërimin e lashtë

23 Gusht 2021, 18:10| Përditesimi: 23 Gusht 2021, 18:24

  • Share

Teksa përshkon rrugën për në Kolonjë mund të ndalosh përgjatë bareve e restoranteve buzë rrugës për t’u çlodhur në ajrin e pastër mes peizazhit të gjelbër.

Destinacioni ynë në Kolonjë është fshati Rehovë, i cili prej disa vitesh ka zhvilluar turizmin si edhe është pjesë e programit të qeverisë për 100 fshatrat.

Vetëm 2 km larg Kolonjës, rrëzë malit të Gramozit, ndodhet fshati turistik i Rehovës. Kjo rrugë e drejtë mes gjelbërimit pa fund dhe ajrit të pastër është rruga që do të na çojë drejt këtij fshati.

Gjatë gjithë udhëtimit deri në Rehovë, përshkuam një rrugë të bukur dhe aspak të lodhshme. Destinacioni ynë duket se është zgjedhja ideale për t’iu larguar vapës përvëluese të verës.

Kemi mbërritur në fshatin e bukur të Rehovës. Njihet si fshati i gurtë, fshati i shtëpive shpinë më shpinë, fshati që ruan vlerat urbanistike arkitektonike, fshati që dëshmon qytetërimin e veçantë në Kolonjë ku spikat tradita, kultura, artizanati, trashëgimia e pasur, historia, mikpritja, fshati ku turistët hanë së bashku me banorët si të ishin një familje.

Le të zbulojmë së bashku Rehovën.

Ndalojmë fillimisht te bujtina, e cila hapi për herë të parë dyert për turistët, ndërsa tashmë në të gjithë fshatin numërohen rreth 15 shtëpi, ku gjithsecila mirëpret turistë vendës e të huaj.

Turizmi këtu lindi në një formë të veçantë. Ka qenë pikërisht interesi dhe dëshira e turistëve të huaj për të qëndruar në këtë vend, që nxiti vendësit të rikthehen në vendlindje e të investojnë në bujtina.

- Erdhën edhe turistë të huaj, erdhën francezë në fillim dhe kërkuan që, na pyetën: “Prisni turistë apo jo?”. U thamë: “Me gjithë qejf”. Dhe kanë ardhur, i pritëm. Kanë ndenjur një natë, u ka pëlqyer, kanë ndenjur dy net. Kur kanë qenë në familje kanë dashur që të punojnë me mua bashkë për të gatuar, të shikojnë çfarë u bëjmë, si gatuajmë ne. Dhe pastaj kjo ka qenë nisma e parë, që ne pastaj na kanë marrë në telefon nga Tirana, miq, shokë, njerëz. Kanë ardhur turistë nga shumë vende, nga Belgjika. Nuk e kemi ndryshuar strukturën e shtëpisë që është bërë që më 1925, e ka bërë gjyshi i Vangjelit, burrit tim. Ne, para 7-8 viteve, i kemi bërë një rikonstruksion por nuk kemi prishur identitetin. Ashtu siç ju thashë, ne kemi ruajtur traditën. Midis gjërave që kemi trashëguar nga prindërit e Vangjelit, është edhe ky sënduku. Ky është sënduku i mamasë së Vangjelit. Kur është bërë nuse këtu ka pasur pajën e saj. Paja janë veshjet siç bëjmë ne tani, jorganë, kuverta, qilima, i bënin edhe atëherë dhe ne e kemi mbajtur, kemi ruajtur traditën e nënës, mamasë së Vangjelit.

Pra brenda kësaj bujtine gjejmë edhe objekte të trashëguara nga e kaluara.

- Po.

- Mirë se erdhët në kuzhinë! Unë sot kam menduar të bëj petulla të fshira ose petullica siç u themi ne. Këto përgatiten: bëhen krepat, lihen të ftohen. Në një tenxhere unë shtyp hudhra, vaj ulliri dhe pak kripë dhe e vë të valojë. E bëjmë masë, se duhet me masë. Kam shtypur arra, kam grirë djathë, kam edhe ullinj. Tani këto përgatiten kështu: vihet tava, lyhet pak me vaj, vihet peta e parë, hidhet djathë, hidhen arra e ullinj dhe pastaj hidhet lëngu. Pite.

Bujtinat kanë ruajtur identitetin arkitektonik me elemente të gurit dhe të drurit, punuar me mjeshtëri për t’u ofruar turistëve komoditet.

- Rehova është një fshat, i cili ka trashëguar një trashëgimi nga të parët, ka traditë, ka ruajtur me fanatizëm trashëgiminë kulturore, etnografinë, d.m.th. Rehova ka një gjë të veçantë, që çdo gjë që ka bashkohet, janë të bashkuar. P.sh. po t’u bësh një thirrje, sensibilizohen, për çdo gjë. Bën një thirrje për kishën p.sh., ata sensibilizohen dhe të gjithë sponsorizojnë financiarisht, jashtë shtetit edhe brenda. Ne kemi arritur që të bëjmë gjëra të mira për fshatin.

Çfarë ka Rehova për t’u vizituar? Çfarë mund të gjenin këtu turistët? Ndoshta diçka që nuk e gjejnë në zona të tjera dhe në fshatra të tjera?

- Karakteristikë e rehovallinjve është mikpritja. Të gjithë i hapin dyert e shtëpisë, edhe të huaj po të jenë, të dalin te porta dhe të ftojnë. Tjetër gjë ka trashëgiminë kulturore, ka qendrën historike të fshatit, ka rrugët karakteristike, sokakët. Çdo shtëpi është me sokak, portat që janë jashtëzakonisht historike dhe flasin edhe sot. Ka nevojë për restaurime, por ato mbeten trashëgimi kulturore që brezat, të parët tanë na e kanë lënë.

- Turistët në Rehovë gjejnë ajrin e pastër, klimën, natyrën rrëzë Gramozit, fshat i ndërtuar në gurë dhe në dru, kulturën, historinë.

Gatimet tradicionale janë një tjetër arsye se pse turistët zgjedhin Rehovën për të kaluar disa ditë pushime. Rreth kulinarisë na tregojnë vetë amvisat e këtij fshati.

- Tani kemi një traditë tjetër të fshatit Rehovë. Do tundim me tundje prej druri. E preferojmë më mirë nga tundja me korrent, se dhalli del më i mirë, gjalpi del më i mirë. Ka pak mundim më shumë, por bulmeti del më i mirë. Do t’ju japim kos deleje juve. Kemi kos deleje për juve.

A e pëlqejnë turistët?

- Shumë, gjalpin, dhallin, salcën e kosit, shumë, shumë.

- Sot unë ju kam përgatitur dredhanikun ose brushtullin, i themi ne këtu në fshat. kjo është tradicionalja e të gjithë zonës pothuajse. Bëhet me arra, i hapim petët vetë një e nga një si për bakllava, dhe i mbështjellim. Pastaj i rrotullojmë një e nga një dhe bëhet me arra, me sheqer dhe me karafil, i hedhim.

Brenda e mbushni me arra?

- Po.

- Jam myslimane dhe jam nuse këtu në Rehovë. Në një fshat i cili është ortodoks, ja se si qëndron bashkëjetesa fetare. Pra respektohet si feja ortodokse, që sikurse e thashë këtu të gjithë janë ortodoksë, por gjithashtu edhe feja myslimane. Dhe për këtë arsye sot unë kam përgatitur hallvë, kam përgatitur disa petulla të thjeshta, kemi vënë zgarën për të bërë mishin e qengjit sipas traditës dhe kështu gërshetohen këto zakone të fesë myslimane dhe të fesë ortodokse. Ne i festojmë të gjitha, qoftë të myslimanëve qoftë të ortodoksëve dhe jemi shumë të kënaqur që këto bashkë janë një e vetme. Çdo gjë këtu bëhet vetëm nga duart e amvisave rehovare. Bëhet çdo gjë e përgatitur nga gjërat bio që ka vetë fshati.

Cilat janë disa nga ato ushqime që kanë parë për herë të parë në Rehovë dhe sigurisht që u bëjnë përshtypje?

- Për herë të parë në Rehovë p.sh., jo se nuk bëjnë petulla të fshira që u themi ne, bëjnë gjithandej, por në Rehovë kanë një të veçantë tjetër. Kudo mund t’i gjesh me kaçkavall, mund t’i gjesh me djathë, në Rehovë bëhen me vaj ulliri dhe hudhra sepse është tradicionale, që ka mbetur me kohë dhe ato lloje petullash dikur, janë ngrënë ditën e lindjes së Krishtit. Kur lindi Krishti, thonë që i shkoi Shën Marisë me ato petulla dhe ato kanë mbetur në atë lloj tradite gatimi edhe sot në Rehovë.

Unë tani jam shumë e lumtur që do të provoj disa nga gatimet e tua, që sigurisht janë shumë të shijshme, janë me shumë dashuri nga duart tuaja.

- Faleminderit juve!

Vazhdojmë të zbulojmë Rehovën. Këtu jemi në një nga rrugicat e fshatit turistik të Rehovës. Shoh në fakt që një portë është e hapur. Shohim se kush na pret brenda kësaj porte. Mirë se ju gjeta!

- Mirë se na erdhe!

Këtu jemi me zonjat rehovare të cilat kanë filluar punën dhe janë duke përgatitur zahiretë e dimrit. Përshëndetje!

- Mirë se erdhe! Ne bëjmë zahiretë e dimrit, fillojmë petë, bëjmë çorbë të ëmbël, çorbë të thartë, roshnica. Petët i fillojmë këtu me shoqërinë, i ndajmë në tarracë.

Tani po gatuani petkat.

- Po, petkat. I bëjmë për dimër.

A pëlqehen këto nga turistët?

- Po, pëlqehen, nga të gjithë. Atëherë më përpara filluan sikur mos t’i hanin, tani filluan fare që t’i hanë.

- Zahiretë e dimrit që përgatisim ne janë petkat, çorba e ëmbël, çorba e thartë, roshnicat. Petkat në përgjithësi i bëjmë me shoqet bashkë, kurse të tjerat i bëjmë vetë.

Gjithmonë organizoheni me njëra-tjetrën gjatë stinës së verës?

- Me njëra-tjetrën organizohemi, se këto duan punë, duhet të thahen se zë shiu.

Kujt i thoni ju çorbë? Çfarë është çorba?

- Trahana e thartë ose trahana e ëmbël. Trahananë e ëmbël e bëjmë me grurë, e bluajmë në mulli. E lajmë në fillim, e qerojmë, pastaj e çojmë në mulli, pastaj e marrim e sitim atë të trashën dhe pastaj e zëmë me qumësht.

Cila është mënyra e gatimit të petkave?

- Mënyra e gatimit të petkave fillon që nga zënia: mielli, vezët dhe me radhë të gjitha. Duhet t’i zëmë, t’i lëmë një orë, pastaj fillojmë me shoqet, mblidhemi këtu të gjitha që i hapim. Pastaj duhet të rrinë rreth 8 ditë që të thahen, që të jenë gati për t’i përgatitur për të ngrënë.

A është një gatim i lodhshëm, që kërkon vëmendje, përkushtim?

- Tani i lodhshëm, ne jemi mësuar me këtë punë dhe i bëjmë vit për vit.

Këtu jemi te rruga e portave, rrugica të ngushta të shtruara me kalldrëm, të pastra dhe kaq shumë të rregullta. Një arkitekturë dhe rregullsi për t’u admiruar. Shtëpitë janë thuajse të gjitha dykatëshe. Kudo sheh elementin e gurit, të punuar e të gdhendur mjeshtërisht nga zanatçinjtë rehovarë. Portat janë të gjitha me kolona dhe secila prej tyre mban të gdhendur datën kur është ndërtuar. E sigurisht, çdo portë ka një sofat që na fton të bujmë në shtëpitë e rehovarëve.

Burrat e Rehovës na tregojnë për mjeshtrit e gdhendjes që kanë ndërtuar shtëpitë e vjetra me gurë zalli dhe çatitë me rrasa.

- Rehova është një fshat i gurtë dhe natyra e ka privuar nga tokat arë dhe i ka dhënë një zall aty, p.sh. po ta shikosh aty, zalli i lumit që është vetëm gurë se me atë gur janë ndërtuar të gjitha këto banesa, të gjitha këto shtëpi. Si rezultat i kësaj lindën edhe profesionistët që punonin gurin dhe Rehova shquhet për profesionistët e gurit, për gurskalitësit, për muratorët, për shtëpitë e ndërtuara të gjitha me gurë. Veç asaj, edhe çatitë janë të ndërtuara, ne u themi dërrasa, por normalisht sot thuhet me rrasa guri.

Në këtë fshat ekziston një harmoni e admirueshme mes banorëve, që e duan vendin e tyre. Kanë qenë vetë banorët të cilët, me paratë e fituara në emigracion, kanë investuar jo vetëm për shtëpitë, por edhe për punët publike të fshatit.

- Rehova, për vetë vendosjen e saj, për pamundësinë për të mbajtur me bukë familjen, ka toka të pakta dhe toka djerrë, që nuk punohen dhe nuk prodhojnë dhe detyrimisht një pjesë e mirë e banorëve morën rrugën e kurbetit. Mblidhnin të ardhura dhe i dërgonin në Rehovë. Me këto të ardhura bëheshin kryesisht punime publike, p.sh. është bërë çezma, pra është sjellë ujësjellësi, janë bërë kanalet e ujërave të zeza. Pa frikë unë mund të them që Rehova është bërë një fshat-qytet me unazë, me ujërat e bardha të kanalizuara dhe me ujërat e zeza.

Cila është e veçanta e portave të Rehovës?

- E veçanta e portave të Rehovës është se janë porta të gdhendura me gurë të gdhendur dhe me sofate të mbuluara me çati. Kanë qenë të mbuluara me çati dërrasash ose rrasash, tani janë më të lehta dhe të bëra me tjegulla. E veçanta e tyre është se këto kanë edhe simbole. Po t’i shikosh, dy simbolet janë të portës sime të vjetër, të dikurshme, që është ndërtuar në vitin 1861. Ja ku është.

Shënohet edhe data?

- Data te çdo shtëpi, bëheshin dikur. Në vitin 1860 ka lindur gjyshi im, stërgjyshi i ka bërë shtëpitë në vitin 1861. Do të them edhe diçka të bukur për stërgjyshin. Tani unë vura edhe 2021 për të evokuar atë kohë, të them që: shiko se ne kemi ardhur që nga 1861. Fëmijët e mi, kur të bëjnë diçka tjetër, të vënë një datë tjetër dhe kjo do të vazhdojë kështu brez pas brezi dhe do të shikohen breznitë njëra pas tjetrës.

Kultet fetare në Rehovë janë të shumta. Në pllajën e Gramozit ndodhet kisha e Shën Pjetrit, një kishë e vjetër dhe me një histori shumë interesante. Unë jam me gjysh Modestin, i cili do të na tregojë diçka më shumë rreth këtyre kishave, por edhe historinë e kishës së Shën Pjetrit.

- Kemi rreth 8 kisha. Kisha më e madhe është kisha e Shën Kollit, që është në mes të fshatit. Pastaj kemi kishën e Shën Gjergjit, edhe ajo afër fshatit. Kemi kishën e Shën Pjetrit, që është këtu rrëzë malit të Gramozit. Kemi kishën e Shën Mitrit që është në anën e Taçit. Kemi edhe kishën e Shën Marisë që është këtej nga ana e Starjes. Andej përsëri kemi një kishë tjetër që quhet Shën Argjiri. Kemi edhe disa kisha të vogla të tjera, që ruhen edhe ato por këto janë më kryesoret. Këtë e ka ndërtuar një kallogjer, i cili erdhi nga Mali i Shenjtë he kërkoi që të bënte këtë manastir. Kisha e Shën Kollit që ishte poshtë kishte edhe një ikonostas shumë të përpunuar në mënyrë artistike, në një mënyrë shumë të mirë dhe kur u prishën kishat e ka marrë Muzeu i Korçës. Atje qëndron akoma.

Rehova shtrihet rrëzë malit të Gramozit dhe atraksionet kryesore përfshijnë kataraktet, ujëvarat sipër fshatit në malin e Gramozit, Shën Pjetri është destinacion tjetër natyror rreth 1 km mbi fshat, kisha e Shën Kollit në qendër të fshatit dhe kisha e Shën Gjergjit.

Turistët që takojmë në Rehovë shprehen të impresionuar.

- Pushimet preferoj t’i bëj në këto zonat të cilat janë të mrekullueshme të Shqipërisë dhe herë me të njëjtin grup miqësor dhe herë me grupe të tjera. Në fakt duhet të japim edhe një mesazh, te fëmijët tanë në radhë të parë, që ky vend është shumë i bukur, ka pasuri të veçanta, ato për të cilat breza të tjerë ndoshta harxhojnë dhjetëra mijëra euro për t’i parë në vende të tjera vetëm pse janë në vende të tjera, vetëm prej manisë për të qenë në vende të tjera, ndërkohë që mund të vish në zonën e juglindjes, në zonën e Kolonjës e të Korçës dhe t’i shohësh me shumë pak lekë dhe kjo është fatkeqësi. Mund t’i shohësh me shumë pak lekë, se njerëzit kanë maninë për të shkuar atje ku është shumë shtrenjtë. Nuk ka asnjë arsye pse një person, i cili e do trashëgiminë kulturore, e do turizmin e natyrës, të vlerësojë më shumë një hapësirë të ngjashme që është në greqi, apo në Kroaci apo në Mal të Zi apo në Itali apo në Spanjë apo në Francë, ndërkohë që i ka këto shumë më afër dhe s’i ka vizituar kurrë.

- Kjo është hera e parë që vij në këtë fshat me të dashurin tim shqiptar. Fshati është autentik historik dhe njerëzit shumë mikpritës.

- Rehova ka edhe Gramozin shumë afër, është buzë Gramozit dhe Gramozi, me shoqërin që kam që merren me hiking nëpër male, thonë që Gramozi është mal shumë i bukur dhe është i lehtë edhe për fillestarët.

Edhe pse një vend premtues për zhvillimin e turizmit malor, Rehova ashtu si e gjithë Shqipëria po vuan plagën e emigrimit. Të rinjtë janë larguar ndërsa në fshatin me 100 banorë gjen kryesisht moshën e mesme dhe të tretë.

- Këtu kanë ikur në Gjermani, në Amerikë, më shumë ka në Greqi, në Athinë ka më tepër.

- Banorët e fshatit kanë emigruar që në vitet e para, shumë vite përpara. Kanë krijuar edhe shoqëri dhe kontribuonte shoqëria rehovare, siç i thoshin, për fshatin. Këtu janë përshtypjet që kanë lënë vizitorët. Këtu janë foto që kemi bërë ne me njerëzit, që kanë bërë vizitorët.

Këtu kemi një urim, një përshtypje në shqip: “Faleminderit për mikpritjen tuaj që më la pa koment. Vetëm faleminderit! Inva Mula”. Ka qenë këtu te bujtina juaj.

- Ka qenë këtu, ka ardhur. Ka ardhur me atë deputeten Spiropalin, ka ardhur me Zamira Kitën, me Niko Peleshin, me Marina Grabovarin. Erdhën këtu për një kafe.

Njerëzit këtu janë shumë bujarë, mikpritës dhe tepër të çiltër. Janë këta njerëz që përqafojnë të renë, por dinë të ruajnë me fanatizëm të vjetrën, traditën, për ta trashëguar atë brez pas brezi.

- Këto quhen në gjuhën e popullit saze popullore. Kryesisht shoqërojnë muzikën, këngët, vallet, janë pjesëmarrëse në gëzime, në dasma, në fejesa, në të gjitha eventet familjare.

- Grupi ynë “Sazet e Kolonjës” dalim këta dy muaj për të pritur turistët që vijnë nga shumë vende të ndryshme. “Sazet” dalin edhe në qytete të tjera. Kemi qenë në Gjirokastër dhe në shumë vende të ndryshme të Evropës.

- Ky formacion pëlqehet se mund të hyjë edhe në shtëpi, edhe në një dhomë dhe njerëzit kënaqen se nuk do shumë hapësirë, nuk do shumë foni e të tjera. Njerëzit kënaqen me këtë lloj të kënduari dhe ne gjithmonë, nën drejtimin e profesorit, do ta vazhdojmë deri sa të kemi fuqi.

Me muzikën që aq shumë e duan, rehovarët mblidhen te lëmi i kishës dhe kërcejnë vallet popullore në çdo festë e gëzim, së bashku me turistët.

Një tjetër traditë që e ruajnë disa prej grave rehovare, janë punimet artizanale. Ato punojnë qilimat dhe rrugicat prej leshi me motive tradicionale dhe plot ngjyra.

- Unë kam 20 vite që merrem me këtë punë. Për mua është gjithçka, d.m.th. e kam pasion, punoj, nxjerr edhe ndonjë të ardhur, pse të them që nuk nxjerr. E kam me qejf këtë punë dhe vazhdoj traditën kolonjare. Qilimat kërkohen. Vjet dhe sivjet që ka qenë kjo pandemia jo dhe aq, por mirë, unë prapë jam e kënaqur.

Ne nuk zgjedhim vetëm zonën, e cila falë aseteve dhe resurseve të mëdha renditet si një nga vendet më të veçanta të juglindjes, por ne zgjedhim edhe njerëzit, të cilët këtë vend të  vogël e bëjnë kaq shumë të dashur. me mikpritjen e rrallë, dashurinë e rehovarëve dhe mbresat e jashtëzakonshme, po largohemi nga e bukura Rehovë për t’u lënë vendin të gjithë turistëve që do të vizitojnë perlën e Kolonjës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?