Me vragat e ngjarjeve të kobshme mbi supe qyteti arkeologjik po ringrihet. Peizazhi është aleat i Durrësit me bregdetin që po ringjallet, por trashëgimia kulturore i ka shërbyer më shumë se kurrë këtë vit për të ndjellë turistët e huaj dhe vendas....
Harmonizimi i aktiviteteve artistike ka qenë formula e duhur për promovimin e aseteve arkeologjike përgjatë këtyre muajve. Kështu korriku u mbyll me 10 mbrëmje koncerte të Festivalit Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, që për këtë edicion të 17-të u ndal në ambientet e Muzeut Arkeologjik.
Muzikë, ekspozita, por edhe magjia e teatrit duket se ka forcuar ‘muret’ e kujtesës historike e asaj arkeologjike. Në Amfiteatër aktorët e teatrit të Durrësit, kanë folur me gjuhën shekspiriane në “Ëndrrën e një nate vere” përgjatë këtij sezoni. Shfaqja “Pa faj” është pjesa e radhës që do të interpretohet nën regjinë e Mimoza Marjanakut nga 10 gushti.
Muzeu Arkeologjik mbetet padyshim një nga oazet më joshës, për të zbuluar Durrësin antik e historikun e tij. E ky vit, duket se ka qenë i mbarë për vizitorët që rrugëtojnë përmes artefakteve nga prehistoria deri në zbulimet e viteve të fundit.
Statuja e Geas, skulptura e perandorit romak, objekte qeramike, monedhat e Dyrrahut antik, por edhe zbulime të botës nënujore, rrëfejnë jo vetëm historinë e qytetit, por edhe punën kolosale që është bërë nga arkeologët.
Muzeu do të vijojë aktivitetet artistike që e rigjallërojnë me më shumë turistë deri në rikonstruksion.