Zef Tedeschini është një nga banorët e hershëm të lagjes pas bashkisë së Durrësit. Në rrugicat ku ai ecën çdo ditë, në fundin e viteve 1950 filluan të xhiroheshin mjaft episode nga filmat e parë artistikë në vendin tonë, nga “Furtuna” deri te “Rrugicat që kërkonin diell”.
Por kjo lagje pranë qendrës, më shumë njihet për banesat e ndërtuara në 200 vitet e fundit, ndërsa pasuria arkeologjike nën to thuajse nuk njihet fare.
“Këtu ndodhen disa nga godinat historike të shekujve 19-20-të. Përveç rëndësisë që kanë për qytetin, ato përbëjnë një pjesë të historisë sonë kombëtare,” tregon Zefi, shtëpia e të parëve të të cilit është ndërtuar në vitin 1843.
Pinjolli i Tedeschinëve, dikur konsuj të Austrisë në Durrës, para disa vitesh e restauroi shtëpinë e tij, duke ruajtur sa më shumë pamjen e hershme. Por kujdesi i shtetit për konservimin e lagjes historike të Durrësit le për të dëshiruar.
Rrugët e shtruara me kalldrëm dekorativ prej çimentoje, bashkohen me pjesë prej asfalti, që në mjaft vende ia lenë vendin pellgjeve të ujit e të baltës.
Në drejtkëndëshin nga Bashkia deri në godinën e Bankës, që daton në fundin e viteve 1920, kushdo që viziton këtë lagje gjen Kishën Katolike “Shën Luçia”, ndërtuar në vitin 1868, e cila nën kujdesin e Kishës katolike u restaurua kohët e fundit, së bashku me godinën e dikurshme të Arqipeshkvnisë.
Arkitekti Indrit Hamiti, i cili përgatiti projektin e rikonstruksionit, tha për BIRN, se kohët e fundit, ka nisur edhe restaurimi i godinës ku ndodhej Mitropolia, një pjesë e së cilës në vitin 1925 u shfrytëzua si selia e parë e Bankës Kombëtare Shqiptare.
Banesa është ndërtuar më vonë se sa Mitropolia që ndodhej pranë kishës së Shën Spiridhonit, institucioni fetar që u shkatërrua përfundimisht në mesin e viteve 1960.
Arkitekti durrsak ka grumbulluar dokumentat dhe planimetritë e objekteve me vlerë historike për Durrësin, veçanërisht në vitet e shpalljes së Pavarsisë.
“Në mitropolinë e vjetër orthodokse ka banuar disa kohë Imzot Fan Noli, dhe megjithëse është shpallur monument kulture 30 vjet më parë, banesa është mjaft e degraduar,” shprehet Indrit Hamiti.
Një tjetër godinë prej shumë vitesh në rindërtim, i përket vitit 1884 dhe ka shërbyer si konsullata austro-hungareze, pikërisht kur perandoria osmane po humbiste peshën e saj në qytetin – port.
Pranë rrugicave që gjarpërojnë, shihen 3-4 pallate të viteve 1980 të ndërtuar pa asnjë kriter urbanistik.
Shumë pranë disa banesave të vjetra, që bartin dukshëm shenjat e dëmtimit nga tërmeti, një burrë na thotë se presin të marrin një leje ndërtimi për një banesë disakatëshe.
Ruajtja e identitetit shekullor të lagjes në qendër të Durrësit duhet të përballet me potencialin e lartë arkeologjik që ka zona.
“Megjithëse nuk janë kryer gërmime të mirëfillta, tashmë ka mjaft të dhëna për praninë e monumenteve të pazbuluar në të gjithë territorin që ndodhet mes bulevardit ‘Epidamn’ dhe rrugës ‘Egnatia’,” tha për BIRN arkeologu Eduard Shehi.
“Që nga shek. 11-të, aty ku më vonë u ndërtua kisha orthodokse e Shën Spiridhonit, ndodhej Kisha katolike e Amalfitanëve,” sqaron prof. asc. Shehi, duke shtuar se ndërtimi mbi të i një godine në vitet 1980 e bën thuajse të pamundur zbulimin e saj.
Elementet e një kishe tjetër, provohen edhe nga dokumentet arkivore në të njejtin territor.
“Bashkë me dy kishat e shekullit të kaluar, në zonë ndodhej edhe xhamia e Kaja Hanëmit,” vijon arkeologu, duke kujtuar se ajo u rrafshua pas tërmetit të 26 dhjetorit 1926, për ti hapur rrugë ndërtimit të bulevardit që shkon nga hyrja e portit drejt Bashkisë së qytetit.
Objekte arkeologjike të një rëndësie të veçantë janë vërejtur edhe gjatë ndërtimit të një pallati pranë murit fortifikues të periudhës osmane.
Institucionet që i përkasin fillimshekullit të kaluar na kthejnë në historinë e figurave të shquara që i drejtuan ato.
Dy rrugicat që kryqëzohen shumë pranë kishës “Shën Luçia” mbajnë emrat e Pal Engjëllit e Nikoll Kaçorrit. Kjo është e vetmja vemendje që ka marrë nga bashkia e Durrësit kleriku arbër i familjes së Ëngjëllorëve, i cili më 1462 shkroi Formulën e Pagëzimit e njëkohësisht ishte një nga diplomatët e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.
Ndërkaq tabela “Don Nikoll Kaçorri” si fillesa e rrugicës tjetër të kujton largimin pa adresë nga lulishtja që i la vendin projektit “Veliera” të bustit prej bronxi të klerikut patriot – zëvëndës/kryeministër dhe ministër i Jashtëm në Qeverinë e dalë nga Shpallja e Pavarësisë.
Arkitekti Indrit Hamiti ka besim se ndërhyrja e Fondacionit shqiptaro-amerikan për ruajtjen e trashëgimisë së zonës historike të qytetit të Durrësit do ti shërbejë rikthimit të traditës arkitekturore në këtë hapësirë.
“Bashkërendimi i punës së grupeve të specialistëve vendas dhë të huaj për hartimin dhe zbatimin e një plani për menaxhimin e integruar të pjesës historike të qytetit mund të rikthejë edhe vemendjen e vizitorëve të interesuar për Durrësin,” përfundoi Hamiti./BIRN
Shqipëria sot asht si 'favelat e RIOS a të Mexiko city..., në çdo pikëpamje,gjullurdi hesap..pa estetikë,pa komunitet,pa asgjë të dikurshme,si pikë referimi
Përgjigju