Reportazh/ Shtatorja e Polemikave në Prizren

14 Dhjetor 2020, 15:54| Përditesimi: 14 Dhjetor 2020, 16:33

  • Share

“Shpesh jam përpjekë me ia gjet një binjak qytetit tim, duke sjell ndërmend plot qytete të tjerë, që t’i afrohen atij, qytetet që kanë edhe malin, edhe lumin, edhe kështjellën (Kalanë), edhe objektet e kultit, edhe platenë edhe sfondin ku luhet e përditshmja e jetës. Dhe e kam shtrydhë mendjen fort me gjet krahasimin ma të saktë: Jo, jo, Prizreni është i pangjashëm dhe i pakrahasueshëm me askënd! Lazër Radi

 

E me 28 nëntor, në 1001 vjetorin e themelimit të qytetit historik, atij iu shtua edhe shtatorja e heroit kombëtar Skënderbeu. Një dhuratë për ditën e flamurit, për pavarësinë e Shqipërisë, për Lidhjen e Prizrenit. Por më shumë se një dhuratë, u duk si një përçmim për figurën e heroit kombëtar.  

Ai është aty, në hyrje të qytetit, i rrethuar jo nga sheshet e mrekullueshme, nga kalldrëmet historike por nga dyqanet dhe trafiku i makinave, ku qytetarët duhet të rrezikojnë për të bërë një foto me heroin. Vijat e bardha mungojnë.

Edhe nëse të rastis një ditë me shi si kjo, atëherë do të bëheni nga koka të këmba me baltë. Megjithëse për vendin as Skulptori që e ka bërë nuk është dakord.

Njëjtë me të mendojnë edhe kundërshtarët e kësaj shtatorje

 “Për shembull kjo shtatorja e Skënderbeut në Prizren,  së pari vendosja është tërësisht e gabuar në një zonë ku ka shumë markete dhe dyqane, ajo nuk është një zonë ku mund të qëndrojë heroi, thotë Ilir Muharremi.

E ndërsa heroi ynë kombëtar “kalëron” me madhështi në shumicën e qyteteve shqiptare, në Prizren pamja duket ndryshe. Shumica e kanë kritikuar atë por skulptori Sinan Aliaj shprehet se e ka krijuar bazuar në realitetin e përditshëm.

” Qëllimi im nuk ka qenë të provokoj asnjeri dhe emocionet e askujt. Thjesht ka qenë një moment si skulptor, si historian, me informacionet që kam nga historia e popullit tim. Mendoj se kjo është më e drejta që mund ti ofrohet popullit tim.  Tash i jam larguar rilindësve tanë, duke u mbështetur në glorifikimin dhe stilizimin e tyre, mitikes dhe përrallave. Jam munduar që të kthehem pak në jetën e përditshme aty ku jetojmë ne. Po e mendoj se është një njeri si neve, si unë , si ju dhe kolegu juaj apo edhe këta njerëzit që po punojnë këtu, “tha Aliaj.

Me një adhurim që është e vështirë të mos e shohësh Aliaj vazhdon të theksojë se qëllimi i tij ishte të krijonte një Skënderbe real, larg “mitizimit “ sipas tij që i bëjnë shumica e skulptorëve dhe shkrimtarëve.

“Qëllimi i ma ka qenë të krijoj një njeri të thjeshtë njëjtë sic jemi unë dhe ti dhe krejt shqiptarët që e kemi jetën tonë. Ka qenë i prekshëm për njerëzit e asaj kohe. Sikur të ishte në mesin tonë tani, a do e kishim prek? E kishim. Unë kështu e shoh. Edhe sot kemi realitetin. Popullin shqiptar e ka pre gjithmonë lufta. Kemi gjeneral edhe sot ata janë të prekshëm, kemi parlament, kemi diplomat, kemi kryeministra që kanë mbrojt çështjen e të drejtave shqiptare , flas në luftën e Fundit të Kosovës, Preshevë dhe Maqedoni. Duhet të pranojmë realitetin ata nuk janë njerëz nga marsi. Ky është realiteti, të mirë, të këqij të marrë, këta jemi. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri nga ne. Flas gjithmonë për kohën kur ka krijuar një realitet të ri. Si të krijojmë një realitet të ri ? Populli jonë sot të mos e mashtrojë vetveten. Prapë e them të mirë të këqij të marrë, na jemi çka jemi. Ne jemi ata që jemi edhe pse mund të ikim realitetit. Fëmijës edhe mund ti tregosh përralla por njeriut të arsyeshëm kurrë. Unë për vete nuk mund ta pranoj atë. Mund ta pranojnë të tjerët por jo unë “, tha Aliaj.

E teksa na rrëfen se shumë njerëz mund të jenë lënduar nga shtatorja e krijuar nga ai, ai nuk nguron ta theksojë se nuk ishte e qëllimshme dhe ka një thirrje.

“Mund të kem lënduar disa njerëz pa dashje. Nuk është qëllimi im të preki askënd. Kur dal në një fotografi këtu me gruan dhe fëmijët e mi, kjo nuk do të thotë që unë jam Skënderbeu. Të jemi të qartë në këtë pikë! Skënderbeu është Skënderbe. Të arrish nivele të larta, të bësh një punë që e ka bërë heroi jonë është një punë e madhe. Një fotografi nuk më justifikon mua që ti them fëmijës tim shih babi do të bëhesh si ky. Sepse si ai pak njerëz mund të arrijnë figurën e Skënderbeut. Ta marrin si të them pak me më qetësi. Prapë po them ti marrim si pjesë e historisë tonë, t'i vendosim aty ku e kanë vendin,  ti gjykojmë për veprimtarinë e tyre dhe t'i përkulemi. “

Nuk është e vështirë ta kuptosh se edhe vetë përbrenda ka dyshime. A është Skënderbeu ai që ne të gjithë e njohim apo ai që tanimë gjendet aty përballë para syve tanë?

“Ky është i prekshëm! I prekshëm! unë e dua të tillë. kështu e dua. Ska institucion që më detyron të prek një detaj të vogël, “theksoi Aliaj.

Por pavarësisht dyshimit të brendshëm ai duket se nuk pranon të heqë dorë.

“Meqë fole edhe për ndryshimin e saj. Jo, nuk preket kjo! Kam qenë i vetëdijshëm kur e kam bërë dhe e them me përgjegjësi të plotë. Askush nuk qëndron pas meje“, tha Aliaj.

E si për të legjitimuar veprën e tij ai bën krahasime edhe me filmin për jetën e Skënderbeut.

 “Kam pa filmin me dhjetëra herë, fragmente filmi. A mpushon mua ai Skënderbe? Të them të drejtën mua nuk më pushon se kur shoh atë pjesë të popullit”, tha skulptori.

Megjithatë për të është e vështirë të tregojë se përse ka zgjedhur këtë model, edhe pse pohon se ka lexuar shumë për Skënderbeun, madje është rritur me imazhin e tij.

“Kam lexuar shumë për Skënderbeun, bazuar në mësues dhe arsimtarë të ndryshëm. Me thënë  të drejtën nuk më ka interesuar qasja e skulptorëve të tjerë. Nuk më ka interesuar. Ta them me modesti këtë, pa asnjë rezervë. Kam pasur qasjen time. Unë jam rrit me Skënderbeun me historinë e tij, me historinë e rilindësve  tanë dhe përshkrimit që i bëjnë ata. Kështu e kam pas vetë qasjen time pa dash të prek asnjë ndjenjë nga plaku e deri tek fëmija, i cili jeton në trojet shqiptare“, tha skulptori.

E teksa na përshkruan fizikisht shtatoren ai preferon të ndalet shpata dhe thekson edhe njëherë që Skënderbeu në portret është rreth të 40-ve.

“Me pjekurinë e moshës fillon dhe mendon a qëndrojnë disa gjëra apo jo. Për sigurinë e tij ai ka edhe shpatën. Nëse do atdheun me mbrojt shpata është një mjet lufte. Shpata nuk përfaqëson fuqinë me të cilën mund të shkatërrosh botën. Asht një mjet që përdoret për të mbrojtur vetën jo për ta përdorur në raport të keq njëri me tjetrin. Nëse do të mbrosh atdheun unë jam këtu. Pjesa tjetër, kemi një volum të madh dokumentesh në të cilin janë përshkruar një grumbull i madh parimesh me të cilat ka ardhur Skënderbeu. Ky është momenti kur ka ardhur Skënderbeu, është dërguar nga perandoria Osmane dhe kthehet në trojet e veta, vjen tek populli i vet. Dhe thotë se do të bëjmë diçka, do të mbrojmë veten dhe do të krijojmë një realitet të ri. I mbledh të gjithë princat e asaj kohe, për të cilët nuk kam dijeni si ka qenë marrëdhënia e tyre me perandorinë osmane. Krejt është hipotetike. Ke pas shumë princa shqiptarë por ka qenë edhe perandoria osmane këtu “, tha Aliaj.

E teksa mbron me fanatizëm krijimin e tij ai deklaron se as fëmijëve të tij nuk ua imponon dot figurën e Skënderbeut.

E nëse për shtatoren nuk ka ende një vendim ne shkuam atje për ta parë nga farë.

Disa ditë pas vendosjes së shtatores së Skënderbeut në qytetin historik të Prizrenit, Report Tv  ka ardhur  për të pyetur qytetarët , për të parë nëse kjo shtatore, është një vlerë e shtuar për këtë qytet historik apo në fakt është një turp që duhet hequr .

Qytetari 1, Ska nevojë me heq. Kështu po na pëlqen. Mirë ka dal. Prej kohësh asht në kali, kjo është diçka më ndryshe.

Qytetari 2. Sigurisht që ka mundur të jetë më mirë. Për shkak se jemi qytet kulture dhe besoj se mund të kishte vlerësuar më mirë Skënderbeun në raport me vlerat që ai kishte. Besoj se komuna mund të ndërhyjë në këtë rast dhe ta rregullojë. Nuk besoj se është një gabim që s’mund të rregullohet. Siç e theksova edhe më herët nuk më ngjan me heroin tonë kombëtar dhe duhet të bëjmë çdo gjë me e krijuar një statujë që e prezanton denjë Skënderbeun.

Qytetari 3, Statuja e Skënderbeut zëmrën shpirtin na e ka kënaq.

Qytetari 4,  Me kali më mirë do të ishte por meqë e kanë bërë mirë është .

Qytetari 5, Për mendimin tim Statuja e Skënderbeut edhe pse ka shumë gjykime, mua statuja e tij më duket ashtu siç ai do të ishte në këmbë. Por serish ata e kanë humb trimërinë e Skënderbeut. Kështu si është të duke heroi jonë kombëtar? - Jo

E me fjalët e këtij fëmije largohemi nga qyteti, por jo nga interesimi për këtë çështje.

Në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, na pret Pr. Ilir Muharremi, një nga kundërshtarët më të mëdhënj të kësaj shtatorje.

‘Unë nuk jam kundër veprave të artit, por jam kundër artistëve të cilët i ikin përgjegjësive dhe kufizimeve që i mësojnë në materialet shkollore nga viti i parë deri në të katërtin kur punohen shtatoret e heronjve. Unë mendoj se jo vetëm ky skulptor por të gjithë skulptorët duhet t’i mbeten besnik figurës qoftë ajo mitike apo qoftë historike, apo figurë e cila jeton momentalisht. Skulptori duhet t’i mbetet strikt atij konstrukti, duke përjashtuar pjesën kompozicionale e cila varet nga literatura mbi të cilën është bazuar. Dmth këtu nënkuptoj mënyrë sesi është bërë ai, si e mban shpatën , qëndrimin, pjesa kompozicionale mund ta bëjë të veçantë. Një skulptor duhet t’i qëndrojë strikt karakterit, anatomia e saktë e tij dhe të gjitha elementët të cilët e identifikojnë atë, populli dhe tekstet historike, “ tha Muharremi.

Teksa thekson se autori ka krijuar më shumë ngjashmëri mes vetes dhe shtatores sesa të shtatores me Skënderbeun.

“Konstrukti trupor i heroit, një trup i hollë pas muskuj. Me një fizik që deri diku i ngjan edhe vetë skulptorit. Sepse ai e ka shfaqur anatominë e vet në të. Është një tendencë që autori të distancohet nga vepra por në këtë rast nuk e shohim dot atë. Tjetra është ana estetike, arti pse shquhet si art? Sepse ka estetikë. A ka qenë i vrazhdë apo i vështirë. Duhet t’ja japë shkëlqimin artistik figurës” tha profesori.

Muharremi thotë se një artist mbi të gjitha duhet t’i qëndrojë besnik anatomisë së personazhit, në veçanti kur kemi të bëjmë me një figurë të një rëndësie historike.

“Skulptori duhet ti qëndrojë besnik anatomisë së personazhit. Për shembull detaji i qafës, aty qafa paraqitetet si shumë e hollë por nga ato çfarë kemi lexuar ai është një njeri shumë i fortë, madje shpata e tij nuk dihet sa ka peshuar. Atëherë qafa e Skënderbeut ka qenë më e gjerë, e cila tregon edhe një përgatitje të madhe fizike. Për shembull Rembranti e punon në gravurë Skënderbeun, Benini e ka bërë edhe 30 të tjerë si këta që i përmenda e punojnë Skënderbeun, e këtu mund ta shohim elementin e ngjashmërisë. Benini hundën e Skënderbeut e punon të vogël dhe të drejtë, të gjithë artistët e tjerë e pikturojnë si të madhe dhe të thyer, diku si sqepi i Shqiponjës. A duhet t’i besojmë ne Beninit me hundën e vogël apo duhet ti besojmë 30 artistëve të tjerë? Shumica e gravurave që janë punuar e kanë elementin e hundës. Marrim në konsideratë edhe elementin e qafës, tek të gjithë qafa është më e gjerë. Skulptori bën deri diku autopsinë e figurës së autorit“, tha Muharremi.

E ndërsa thekson se artet e tjera janë më të lira në mënyrën e shprehjes, skulptura nuk ta lejon atë dhe për më tepër kur kemi të bëjmë me skulptura publike.

“Nëse ne krijojmë diçka origjinale vendi i saj është në atelie, galeri ose ekspozitë ose në ambient të jashtëm. Por ai duhet të jetë një Skënderbe i një ekspozite personale, jo i të gjithë popullit. E kjo është shtatorja ose monumenti, një rikujtim për një person që nuk gjendet fizikisht dhe duhet ta rikujtojmë. Po ta kishte pikturuar ai nuk do të ishte kritikuar ashtu sic kritikohet sot. Pasi në pikturë mund të ndryshoj ngjyrat dhe tonet e duhura, pra ekziston një liri e piktorit në raport me skulptorin. Duhet sa më shumë referenca dhe burime për të qenë i besueshëm “, tha profesori.

Teksa thekson se është e rëndësishme që heroi kombëtar të mos tjetërsohet në atë formë, që një ditë paraardhësit tanë të mos e njohin se kush është

“Po ti heqim emrin e shtatores dhe të pyesim 30 fëmijë për emrin e shtatores, cila do të jetë përgjigja e tyre. A është qëllimi që ata të mos e dinë kush është apo të thonë ,po ky është heroi ynë kombëtar Skënderbeu. Cili është më i drejtë ta njohim apo mos ta njohim? A do të shpëtojmë me idenë se kemi bërë diçka më ndryshe apo të bëjmë diçka më interesante,”tha Muharremi.

Tani pritet një vendim nga Komuna e Prizrenit, qytetarët duan që ajo të ikë, ekspertët po ashtu. Por do të jeni ju ata që do të vendosni nëse kjo shtatore i shkon për shtat imazhit të heroit tonë kombëtar. Për Report Tv  Suada Mehmetaj Prizren.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?