Unaza e Madhe e Tiranës

Sociale

Reportazhi/ Mrekulli, e ke emrin Unaza e Madhe e Tiranës!

3 Janar, 08:27| Përditesimi: 3 Janar, 08:34

  • Share

Në hyrje të vitit të ri

E kalova tej e tej Unazën e Madhe të Tiranës, të përfunduar në ditët e fundit të vitit që lamë pas. E mërkurë, një janar, ora dhjetë, deri më dhjetë  e  tridhjetë minuta para dite. Nën një diell të bukur që shkëlqente siç shkëlqen vetëm në Tiranë. Nën një ajër të ndotur (siç thotë telefoni celular) nga fishekzjarret e shumta, të ndezura në çastin e ndërrimit të viteve.

E nisa vozitjen me kerrin tim të vjetër “Tojota Yaris” te Qendra “Kristal”. I rashë në perëndim të Tiranës te sheshi “Shqiponja”, pastaj drejt veriut, ku nuk kisha shkelur kurrë. Pastaj në lindje te TEG-u dhe sosa po te Qendra “Kristal”, nga isha nisur. Nuk i përmenda të gjithë emrat e vendeve nga kalon Unaza, se nuk i di, ndonëse 35 vjet tanimë në Tiranë. Bashke me “ministren” time të punëve të përbrendshme prej dyzetepesë vjetësh. E mora shoqezën në krah (të shoferit), i ramë Unazës ca nga ca, do thoshte Lazgushi po të ishte gjallë. Ec e vështro, ec e shiko, ec e gëzo.

Statistika

Aparati i kilometrazhit të makinës sime regjistroi plot 24 km rrugë, nga nisja deri në mbërritje. Nuk di sa e ka nxjerrë qeveria. Në disa shkrime gazetash thuhet se ështe rreth 29 km, por unë aq e nxora. Ndoshta pesë kilometrat diferencë janë rrugë hyrëse e dalëse, pjese e Unazës. Rruga është “95 përqind e përfunduar” – tha qeveria. Po, Unaza e Re e Tiranës ishte thuajse e përfunduar, e shkela vetë, e pashë vetë, e sodita vetë. Me tabela të qarkullimit rrugor të vendosura gjithandej. Mbeten ca punë anësore akoma për t’u bërë, por edhe ato do të përfundojnë shpejt, jam i bindur.

Nëpër të kalonin pak makina, se ishte dita e parë e vitit të ri ’25 dhe shumë njerëz akoma flinin  gjumë, të lodhur nga darka e Vitit të ri. Të tjerë ndoshta nuk e dinë akoma që ështe hapur Unaza e Madhe. Të tjerë nuk e dinë fare që ajo egziston, sidomos emigrantët. Edhe ato pak makina që kalonin, lëviznin ngadalë, të ndrojtura, si puna ime, sepse ishte një rrugë e re e panjohur për ta. Ku po shkojmë kështu, kujdes! A jemi në Tiranë, apo jemi në Torino? Rreth dyzetë përqind të Unazës së Madhe nuk  e kisha shkelur asnjëherë, e kaloja për herë të parë.

Vepër madhështore

Një sy i kujdeshëm, ndonse nga timoni i makinës, e vinte re punën gjigande që është bërë atje, jo vetëm për volumin e madh të punimeve, por edhe për numrin e madh të veprave të artit për mbikalime e nënkalime, mure mbajtëse, hyrje e dalje në Unazë etj, që ndoshta nuk janë bërë asnjëherë deri më sot në vendin tonë. E njoh Shqipërinë cep më cep, nga Tropoja në Konispol,  po nuk di ndonjë qytet tjetër që të ketë një unazë të tillë. Domosdo, Tirana është kryeqyteti ynë. Nuk do bëhemi si këmbët e dhisë, bre! Tirana e para. E ka thënë Kongresi i Lusnjes më 1920, kur e shpalli kryeqytet.  

Unaza e Madhe e Tiranes lidhet me të gjitha akset kryesore të Shqipërisë që vijnë në kryeqytet. Në tabela shikoj edhe lidhjen e saj me Rrugën e Arbrit. Kam dobësi për atë rrugë, se kam pirë hiç – hiç, plot  katërmbëdhjetë vjet ujët e Dibrës. Atje më janë lindur edhe trashëgimtarët. Por do kaloj andej, kur të përfundojë plotësisht, në mars të këtij vit, tha së fundmi ZV/kryeministrja Balluku. I mbaj mend premtimet e herëpashershme të qeveritarëve, ashtu siç mbaj mend edhe premtimin se ajo rrugë do të përfundonte në fund të vitit që na la shëndenë.  Të shkuara të paharruara. Do vij Dibër, do vij prapë tek ti, ja edhe pak.

Unaza e Madhe dhe qeveria

“Përurimi” i Unazës së Madhe (nëse mund ta quajmë kështu, se nuk ishte përurim, as ceremoni, as shampanjë, as këngë me iso a çifteli jo e jo) nga ana e kryeministrit Rama u bë më 30 dhjetor në mbrëmje, në gjysmerrësirë, atëherë kur nuk kishte më dritë perëndie dhe vetëm me praninë e kameramanit të zyrës së shtypit të kryeministrit. (Shto edhe Ballukun) Si një punë që bëhet hajdutçe. Ky, kryeministri pra, nuk kishte ftuar gazetarë të shtypit të lirë, që t’i hipte ata mbi një autobuz dhe ta përshkonin veprën e re tejpërtej, siç e bëra unë për qejfin tim. Këta qeveritarë nuk dinë t’’i bëjnë reklamë as punës së vet, bre. Kujtojnë se vetëm fjala e tyre ështe melhem për publikun. U pikaaaaa!

Pastaj kryeministri le t’i shante ata, gazetarët: Ju plaçin sytë, ja ku e kini rrugën e përfunduar. Tani daç shkruani, daç mos shkruani për të. Në konferencën e shtypit të fund - vitit  i kritikoi  pse ata nuk po i pasqyrojnë si duhet punët e bukura që bëhen në vend nga qeveria. Hajde kryeministër hajde!

Në konferencën e shtypit i mbajti gazetarët dy orë atje, në kryeministri (nuk e di a u dha ndonjë gotë koka- kola me rastin e fund - vitit, sa për të lagur fytin, apo ua plasi buzën me fjalimin e tij kilometrik) aq sa atyre iu enjt koka e u bënë def duke dëgjuar,  sa filluan t’i bëjnë isharete (shenja me kokë) njeri - tjetrit, domethene, na enjti kokën ky në ditën  e parafundit të vitit. Nuk na la të bëjmë ndonjë pazar për festën.

 Kryeministri ynë nuk u jep detyrë ministrave të dalin të gjithë në konferenca shtypi e të flasin për punët e tyre të bëra e të pabëra, por i merr përsipër t’i bëjë vetë të gjitha, derisa i merret fryma. Ai i di të gjitha vetë. Ai është Njëshi, të tjerët janë zerro me bisht. Edhe u thotë gazetarëve pastaj: pse nuk i pasqyroni si duhet punët e qeverisë.

Vepër monumentale

Unaza e re e Tiranës është një vepër monumentale e shumë brezave, e shumë qeverive, e shumë institucioneve, e shumë specialistëve, e qindra punëtorëve. Ideja e parë e saj është përpunuar nga qeveria e kryeministrit komunist Adil Çarçani 40 vite më parë. Pastaj, të gjitha qeveritë që kanë ardhur, kanë vënë nga një “tullë” për të. Qeveria e sotme ka meritën më të madhe të përfundimit, por jo të vetme të saj. Duhet theksuar vullneti i çeliktë i kësaj të fundit për spostimin e banorëve të ligjshëm e të paligjshëm nga traseja e Unazës. Financuesi i saj është taksapaguesi shqiptar. Homazh për të gjithë këta.

Me kete vepër të re kryeqyteti ynë do të jetë jo vetëm më i bukur, më i jetueshëm, më joshës, më i pastër nga smogu, më fitimprurës për shqiptarët, por edhe për të huajt. Unaza do t’i japë zhvillim gjthçkaje në kryeqytet, veçanërisht rrethinave të saj. Që tani janë rritur ndjeshëm çmimet e ndërtimeve në zonat ku kalon Unaza. Rruga rrit vlerën e pronës dhe të shërbimeve. Ajo liron qendrën e Tiranës nga lëvizjet e panevojshme të makinave, edhe kur nuk kishin punë në të, por ishin të detyruara të kalonin atje, sepse nuk kishin rrugë tjetër. Prandaj e quaj atë pa hezitim një mrekulli të kryeqytetit.

Pa do kompletohet ajo me rrugët e reja anësore. Do mbillen rrepe, blire, ilqe,  shelgje e pemë të tjera dekorative buzë tyre, do të ndriçohet e zbukurohet me dritë diellore. Pa do të ngrihet pallate e ndërtesa të reja shumëkatëshe në të dy anët e saj. Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë Tiranën me Unazën e saj të Madhe.

Vepra mbetet

Kostoja e përgjithshme financiare e Unazës së Madhe ka shkuar në rreth 290 milionë Euro. Kështu e ka llogaritur dhe bërë publike atë Ministria e Financave në vitin 2021. Pesë më posht, pesë më lart, aty duhet të jetë. I takon ministrisë ta sqarojë edhe një herë në pëfundim të rrugës koston e saj. Kritikët e përjetshem do të ngrihet të kritikojnë për “kostot e larta”, “abuzimet” dhe “korrupsionin” me rrugën etj. Edhe kritikët duan të hanë. Për mua shifrat nuk kanë vlerë në këto raste. Mbaj mend një shprehje të të madhit Dritëro në Kuvend 25 vjet më parë, kur flitej për abuzimet financiare në rrugën e Kombit: “Kritikat do harrohen, rruga do mbetet” -. Dhe vërtet, Rruga e Kombit mbeti.  

Vepra të tilla ndërtohen një herë në njëqind vjet. Për njëqind vjet të tjera nuk do të ketë nevojë për unazë të re Tirana. Dhe atëhere, pas njëqind vjetësh pra, historianët e asaj kohe, do të kërkonë me lupë nëpër arkiva te lexojnë në gazetat dhe portalet (eletronike) të kohës së sotme për të gjetur se si e kanë pasqyruar ato lajmin për përfundimin e Unazës së Re. Dhe atje do të gjejnë edhe reportazhin time të sotëm dhe do të thonë: “Zoti e bekoftë kronikanin Hamdi, i ndrittë shpirti atje ku ka shkuar, në rrethin e shtatë të Parajsës”.  

Po i mbyll këto rreshta me katër vargje të Dritëroit të madh:

Kalojmë pranë së bukurës shpesh,

Kalojmë heshtur, thjesht si udhëtarë,

Dhe s’vëmë re si nis e buzëqesh,

Si pjeshka kur zë piqet në një arë.  

Pse m’u kujtuan pikërisht tani që po shkruaj këtë reportazh këto vargje të poetit? Unë e kalova Unazën e Madhe. Po ti e kalove?

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?