Europa ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të disidentëve politikë të arrestuar në Bjellorusi, duke filluar me Maria Kolesnikova, kundërshtare e regjimit e rrëmbyer nga forcat e sigurisë së presidentit Aleksandër Lukashenko.
Gjithashtu Brukseli po punon për vendosjen e një seri sanksionesh që do të shkojnë nga ndalimi i hyrjes në Bashkimin Europian e deri te ngrirja e pasurive të 31 zyrtarëve që kanë manipuluar zgjedhjet e 9 gushtit dhe kanë ushtruar dhunë dhe repression mbi opozitën në Bjellorusi.
Sanksionet duhet të miratohet në 21 shtator nga Ministrat e Jashtëm europianë dhe do të bëhen funksionale brenda disa javësh.
Europianët janë të gatshëm të godasin edhe nivelet më të larta politike në Minsk, teksa në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Ministri i Brendshëm.
Sidoqoftë, Lukashenko nuk do të jetë pjesë e listës, megjithëse disa vende të BE-së, të tilla si Polonia dhe veçanërisht vendet balltike, po bëjnë presion që të sanksionohet edhe "diktatori i fundit i Europës".
Në emër të qeverive europiane, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, u shpreh se "BE pret që autoritetet bjelloruse të garantojnë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve për arsye politike para dhe pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale të 9 gushtit". Sipas Brukselit, "represioni i autoriteteve ndaj shoqërisë civile, demonstruesve paqësorë dhe aktivistëve politikë është i pashpjegueshëm, arbitrar dhe plotësisht i papranueshëm".
Në SHBA, drejtuesit kryesorë demokratë dhe republikanë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i bënë thirrje Presidentit Donald Trump të hetojë helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Aleksej Navalni.
Në një letër dërguar Presidentiit Trump, demokrati Eliot Engel, kryetar i komisionit dhe republikani Michael McCaul, numri dy i komisionit, i kërkojnë administratës të nisë një hetim mbi sulmin ndaj zotit Navalni, duke thënë se mund të jetë e nevojshme që ndaj Moskës të ndërmerren sanksione.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexandër Lukashenko ka deklaruar se nuk ka në plan të lërë pushtetin dhe ka fajësuar Shtetet e Bashkuar se kanë nxitur protestat. Ai gjithashtu ka bërë një deklaratë paralajmëruese për Rusinë.
“Nëse Bjellorusia rrëzohet sot”, shtoi Lukashenko, “radhën do e ketë Rusia”.
Donald Tusk, presidenti i PPE ks shkruar sot në Twitter se "do të ishte një sinjal i fortë nëse BE kandidon Svetlana Tikhanovskaya dhe burrin e saj Sergei, i cili është ende në burg, për Çmimin Nobel për Paqe, për të nderuar të gjithë bjellorusët që janë përfshirë në këtë lëvizje paqësore për vite me radhë".