Sali Berisha e kishte ndier rrezikun. Duke parë përhapjen që kishte marrë në shtypin e Kosovës konflikti mes tij dhe Rugovës, gjithë konferencën e fundvitit dy ditë para vitit të ri, ia kushtoi Ibrahim Rugovës. Bëri çfarë ishte e mundur të dukej se nuk kishte ndodhur asgjë mes tyre. Në fillim të konferencës për shtyp ai tha: “Do të rikonfirmoj këtu, para jush vlerësimet për kontributin e pamohueshëm, shumë të rëndësishëm të LDK, si dhe të presidentit Rugova në çështjen e Kosovës.”
Më pas filloi të thoshte fjali tmerrësisht të kujdesshme nga ato që Berisha nuk e ka zakon kurrë t’i thotë. Ishte sikur po jepte provim para dikujt. “Unë e kam mbështetur politikën e ndjekur nga forcat politike të Kosovës, nga presidenti Rugova dhe i mbështes përsëri. Por të zgjedhurit, kur kërkojnë votën e një populli të shtypur, duhet t’i llogarisin mirë të gjitha nderimet dhe pasojat e kësaj vote. Konstituimi i Parlamentit është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në jetën politike të Kosovës, sikundër konstituimi i të gjitha institucioneve të tjera.”
Fjalia e tij ishte e qartë. Në një farë mënyre po akuzonte udhëheqësit e Kosovës se duke mos mbledhur Parlamentin dhe duke ribërë qeverinë, në fakt kishin vënë interesat e tyre mbi interesat e Kosovës. Fjalia “duhet t’i llogarisin mirë të gjitha nderimet dhe pasojat e kësaj vote”, ishte sulm i qartë. Në cilësinë e gazetarit të radios “Zëri i Amerikës”, kërkova mikrofonin.
- Para disa kohësh, në këtë sallë ju u keni bërë thirrje shqiptarëve të Kosovës të heqin dorë nga kërkesat maksimale, ndërsa tani po i nxisni ata të realizojnë synimet e tyre kombëtare. Ku ndryshojnë këto dy teza?
Dhe e dyta, duket se Adem Demaçi në Kosovë po konsolidon një bllok të ri politik në opozitë me presidentin Rugova. A e mbështesni ju këtë, cili është mendimi juaj?
Përgjigjia e parë ishte tejet konfuze. Asnjë fjali nuk e mbaronte deri në fund...
“Unë e kam shprehur këtë gjë dhe kjo është e vërtetë. Kam bërë një zgjidhje optimale, por jo çdo gjë që është e drejtë, është e mundshme. Duke u shprehur për zgjidhje optimale, unë nuk kam përjashtuar kurrë ndonjëherë zgjidhjen më të mire që shqiptarët dëshirojnë për veten e tyre, por kjo ka gjithnjë kushtin e mirëkuptimit me palën tjetër. Unë nuk di ndonjë rast që dy vende të jenë ndarë paqësisht pa një mirëkuptim të përbashkët. Pra, një Kosovë demokratike dhe një Serbi demokratike, jam i bindur se do të marrin vendime gjithnjë e më të arsyeshme, sesa një Kosovë e pushtuar dhe një Serbi totalitare.
Ky ka qenë thelbi i deklaratës sime. Lidhur me Adem Demaçin, nuk shoh ndonjë antagonizëm siç shihni ju gazetarët. Nuk shoh teprime për të injoruar të përgjithshmen. Demaçi është përcaktuar tërësisht për lëvizjen paqësore, pra platform e tij është platformë e qytetëruar, demokratike, e cila në fakt mbahet në aspektin e një zgjidhjeje paqësore.”
Përgjigjja që më dha, justifikonte mbështetjen e tij për një Serbi demokratike, pasi sipas tij, nëse opozita serbe e mundte Milošević-in, ata mund ta zgjidhnin në rrugë demokratike çështjen e Kosovës, krejt e kundërta nga sa konstatonte Rugova. Rugova e konsideronte opozitën serbe po aq regresive dhe nacionaliste ndaj Kosovës. Ai e paraqiste obsesionin serb për Kosovën, si një garë kombëtare kundër shqiptarëve.
Te pjesa e Demaçit simpatia e Berishës ishte e hapur dhe ai e vendosi atë si personalitet mbi figurën e Rugovës. Ishte e qartë, ndarja kishte ndodhur. Një pyetje e porositur që e lexoi një reporter i gazetës “Albania”, e bënte dhe më të qartë shqetësimin e Berishës.
Gazetari e pyeti:
- Nga mënyra sesi keni reaguar ju, zoti President, ndaj protestave në Beograd, duket se shpresoni të vendosni zgjidhjen e popullit të Kosovës në Beograd. Keni parasysh marrëdhëniet shqiptaro-serbe, sidomos, marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit?
Ishin pyetje të shpërndara nga zëdhënësja e Berishës. E kishte të qartë se ç’do te recitonte. Nuk i ndante sytë nga letra.
“Ata protestojnë kundër një regjimi që padyshim është më i egri, më antishqiptari në të gjitha kohërat, kundër atij që me tanke u mori të drejtat shqiptarëve në Kosovë. Prandaj, në rast se mbështeten demonstratat e Beogradit, nuk duhet të harrojmë se studentët e Beogradit kanë një apo dy herë të drejtë të protestojnë, kurse shqiptarët kanë shumë herë të drejtë të protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre të mohuara dhe të dhunuara nga ai regjim. Dhe nuk kemi të bëjmë me dy njësi gjeografike të vendosura njëra në Afrikën e Jugut e tjetra në Norvegji, por kemi të bëjmë me të njëjtin regjim. Edhe në rast se shqiptarët do të gëzonin të gjitha liritë e të drejtat e tyre, unë mendoj se për hir të vlerave bazuar në shoqërinë demokratike, nuk mund të mos përshëndesnim lëvizjen demokratike në Serbi.”
Berisha këtu avancoi më shumë. Në njëfarë mënyre, ai akuzoi Rugovën se kërkonte ta fitonte çështjen e Kosovës duke ndenjur duarkryq dhe përsëriti thirrjen që të mbështeten protestat në Beograd, duke e paraqitur protestën e studentëve në Beograd sikur ishte protestë për lirinë e Kosovës. Pastaj ndërhyri Sokol Olldashi, në atë kohë gazetar i gazettes “Albania”, duke i kujtuar se forcat politike në Kosovë kanë reagim negativ ndaj këtij qëndrimi të Berishës.
“Nuk kam dijeni për reagimet negative të forcave politike në Kosovë ndaj mbështetjes që unë iu kam dhënë demonstrative dhe protestave të studentëve në Beograd dhe i konfirmoj edhe sot ato. E konsideroj një mbështetje shumë të argumentuar dhe di se në tërësi, forcat politike në Kosovë janë shprehur pozitivisht për këtë lëvizje.
Lidhur me peticionin e studentëve të Prishtinës... Ai është një peticion që, siç informon shtypi, i drejtohet presidentit Rugova. Kam besim të plotë se presidenti do ta trajtojë me seriozitetin më të madh, me respekt të veçantë ndaj studentëve... Studentët përbëjnë pa dyshim, grupimin më cilësor të shoqërive ballkanike. Këtë fundshekulli ata u provuan si liberatorë, misionarë të çlirimit të popujve lë tyre.”
Por nëse i hidhje një sy peticionit të studentëve, ai dukej sikur ishte diktuar nga Berisha dhe ishte shkruar me dorë nga Demaçi. Ishte e gjitha ajo që po artikulonte publikisht Berisha dhe Demaçi kundër Rugovës. Peticioni me rreth 500 nënshkrime u dorëzua te redaksia e “Bujku” për botim dhe i vetmi që bëri komente publike për të, ishte Sali Berisha në Tiranë. Peticioni kishte nëntë pika drejtuar presidentit Rugova.
1. Kërkojmë nga presidenti të këmbëngulë në marrjen eobjekteve shkollore.
2. Kërkojmë konstituimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe i mbështesim fuqishëm tridhjetë e një deputetët e tanishëm, si dhe tre të parët që e kërkuan këtë.
3. Kërkojmë nga presidenti Rugova që urgjentisht ta pranojë Adem Demaçin deputet në Parlament.
4. Në rast të moskonstituimit të mëtejshëm të Parlamentit, kërkojmë nga të gjithë deputetët që të japin dorëheqje publike dhe t’i kërkojnë falje popullit për mashtrimin që i bënë,me apo pa vetëdije.
5. Kërkojmë ndërprerjen e censurës në “Bujku”, QIK, e programin satelitor të TVSH.
6. Kërkojmë nga të burgosurit politikë të angazhuar në LDK e parti të tjera që të zgjohen nga gjumi.
7. Kërkojmë stabilizimin e raporteve president - qeveri.
8. Kërkojmë të riaktivizohet funksionimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
9. Kërkojmë t’i jepet fund politikës së kastave, respektivisht feudalizmit në Kosovë.
Vëmendja e Berishës dhe ndaj këtyre “të drejtave në Kosovë”, tregonte se ai e kishte marrë seriozisht përdorimin e Kosovës si trampolinë shpëtimi kundër embargos së SHBA ndaj tij. I duhej aty një lider tjetër që mund të mbillte konflikt me SHBA që Berisha të bëhej vetë ndërmjetës. Por po aq seriozisht e kishte marrë dhe SHBA, duke marrë Rugovën në patronazhin e vet dhe duke ia prerë lidhjet me Berishën.
Konflikti me Rugovën, shpalosja hapur e ambicieve të Berishës për ta spostuar atë dhe për të pasur nën kontroll situatën në Kosovë që ta përdorte për të rindërtuar raportet e prishura me SHBA, i kushtoi shtrenjtë. Disa muaj më vonë, ai do të ikte nga pushteti dhe me mbështetjen e SHBA, ndërsa Rugova do të vazhdonte të ishte njeriu i besuar i tyre.
Sali Berisha e mbylli vitin 1996, duke u përpjekur ta përdorë Kosovën për të shpëtuar nga kriza në raportet ndërkombëtare, pas asaj që kishte ndodhur me zgjedhjet dhe përkeqësimin e raporteve me SHBA. Por fillimi i vitit 1997, zhvlerësoi gjithçka. Ngjarjet në Shqipëri po precipitonin aq shpejt, sa lëvizjet e Berishës për të delegjitimuar Rugovën, për të mbështetur Demaçin apo për të marrë linjën evropiane të mbështetjes së opozitës serbe, nuk hynin më në punë.
Shpejtësia me të cilën Shqipëria po rrëshqiste në humnerë, tani po kthehej në problem për Kosovën. Dhe duket se kjo gjë më shumë e dëmtoi Adem Demaçin, sesa e ndihmoi atë. Ibrahim Rugova, fuqia më e madhe e të cilit ishte mosreagimi, e dërrmoi me heshtjen e vet përpjekjen e Berishës. Brenda LDK, sidomos te rrethi i afërt i Rugovës, u krijua një frymë mosdurimi për Tiranën zyrtare dhe kryesisht Berishën.
Por Rugova nuk e dha veten asnjëherë. Thjesht e injoroi gjithë konjukturën që tentoi të krijojë Berisha dhe vazhdoi raportet personale me SHBA. Ai ishte në kontakt të përditshëm me diplomatët amerikanë për çdo zhvillim në Kosovë dhe sidomos ndërthurjen e kësaj krize me betejën e opozitës serbe në Beograd. Rast tipik ka qenë tensioni i krijuar pas disa vrasjeve në Kosovë dhe sugjerimet amerikane për Rugovën e Bukoshin.