Joe Biden dhe Hunter Biden

Republikanët bëjnë gati akuzat kundër djalit të Presidentit Biden

5 Janar, 22:50| Përditesimi: 5 Janar, 22:55

  • Share

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve planifikojnë të votojnë javën e ardhshme për akuzën kundër djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter për mosrespektim të Kongresit. Akuza vjen pasi djali i Presidentit kundërshtoi një thirrje të Kongresit për t'u paraqitur për një dëshmi me dyer të mbyllura muajin e kaluar.

Republikanët që drejtojnë Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve njoftuan të premten për votimin, ndërsa Partia Republikane kalon në fazat përfundimtare të hetimit për të verifikuar nëse ka arsye për të ngritur akuzë për të shkarkuar Presidentin. Nëse komisionet miratojnë akuzat, ato do të votohen më pas nga të gjithë anëtarët e Dhomës.

“Refuzimi i qëllimshëm i Hunter Bidenit përbën mungesë respekti ndaj Kongresit dhe na detyron që ta referojmë tek Prokuroria përkatëse e Shteteve të Bashkuara për ndjekje”, thanë ligjvënësit republikanë James Comer dhe Jim Jordan në një deklaratë të përbashkët. “Ne nuk do t'i ofrojmë trajtim të veçantë për shkak të mbiemrit të tij.”

Hunter Biden dhe avokatët e tij kanë kritikuar në mënyrë të përsëritur thirrjen e Republikanëve për të dhënë dëshmi me dyer të mbyllura, duke argumentuar se informacionet nga ato intervista mund të bëhen publike dhe manipulohen qëllimisht duke shkëputur vetëm copëza prej dëshmisë. Djali i Presidentit Biden ka këmbëngulur se ai do të dëshmojë vetëm publikisht.

“Është e qartë se kryetarët republikanë të komisioneve nuk janë të interesuar të sigurojnë faktet ose ata do ta lejonin Hunterin të dëshmojë publikisht”, tha në një deklaratë avokati i tij, Abbe Lowell. “Përkundrazi, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve vazhdojnë të bëjnë lojra politike duke kërkuar një mocion të paprecedentë për mosrespektim të Kongresit kundër dikujt që që në fillim ka ofruar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyre”.

Ai shtoi: “Nga çfarë kanë frikë ata?”

Për muaj të tërë, republikanët kanë kryer një hetim për të verifikuar nëse ka lidhje mes Presidentit demokrat me marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij. Deri më tani, ligjvënësit republikanë nuk kanë arritur të zbulojnë prova që implikojnë drejtpërdrejt Presidentin Joe Biden në ndonjë keqbërje.

Ndërsa republikanët thonë se hetimi i tyre është përqendruar përfundimisht te Presidenti, ata kanë treguar interes të veçantë për Hunter Bidenin dhe marrëdhëniet e tij të biznesit jashtë vendit, nga të cilat ata akuzojnë Presidentin se ka përfituar personalisht. Republikanët gjithashtu kanë përqëndruar një pjesë të madhe të hetimit të tyre në akuzat që disa sinjalizues kanë bërë për ndërhyrje në hetimin afatgjatë të Departamentit të Drejtësisë për taksat e të birit të presidentit dhe pronësinë mbi disa armë të tij.

Seancat ndaj Hunter Bidenit, të planifikuara për të mërkurën do të mbahen një ditë para ditës kur ai është planifikuar të dalë për herë të parë në gjykatë për akuzat për taksat e tij të paraqitura nga një prokuror i veçantë në Los Anxhelos të Kalifornisë. Ai përballet me tre vepra penale dhe gjashtë akuza për kundërvajtje, duke përfshirë paraqitjen e një deklarate të rreme dhe për evazion fiskal.

Avokati i tij ka akuzuar Prokurorin e posaçëm David Weiss se i është nënshtruar “presionit republikan” në këtë rast. VOA

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?