Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy

Republikanët, Shtëpia e Bardhë shohin progres në negociatat për tavanin e borxhit

25 Maj 2023, 07:25| Përditesimi: 25 Maj 2023, 07:27

  • Share

UASHINGTON – Negociatorët e Presidentit demokrat Joe Biden dhe drejtuesit republikan Kevin McCarthy mbajtën të mërkurën bisedime që të dyja palët i quajtën frutdhënëse, në përpjekje për të rritur tavanin e borxhit të Shteteve të Bashkuara, që është në nivelin 31.4 trilionë dollarë, dhe për të shmangur kështu një situatë me pasoja katastrofike që do të krijohej nga mospagimi.

Pas një takimi katër orësh në Shtëpinë e Bardhë, zoti McCarthy tha se negociatat janë përmirësuar dhe se do të vazhdonin edhe gjatë natës. Ai parashikoi se palët do të arrinin një marrëveshje, megjithëse mbeten ende disa çështje të pazgjidhura.

“Kemi bërë ca progres duke punuar. Kjo është shumë pozitive”, u tha zoti McCarthy gazetarëve. “Dua të sigurohem se do të kemi marrëveshjen e duhur. E shikoj që po punojmë për këtë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha se bisedimet vazhdojnë të jenë frutdhënëse.

“Nëse vazhdojnë me këtë mirëbesim, mund të arrijmë në një marrëveshje”, tha ajo gjatë një seance informimi ndërkohë që vazhdonin takimet.

Por, Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë gjithashtu akuzuan republikanët se po mbanin peng ekonominë për të mbështetur një axhendë që nuk mund të kalohej ndryshe. Ata thanë se republikanët duhet të bëjnë lëshime të mëtejshme, pasi do t’iu duhen votat e demokratëve për të miratuar marrëveshjen që do të arrihet.

“Thjesht dëgjoni anëtarët e Grupit të Lirisë në Dhomën e Përfaqësuesve... që i referohen tashmë Shteteve të Bashkuara si një peng i vërtetë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jean-Pierre.

Koha po mbaron, pasi Departamenti i Thesarit ka paralajmëruar se qeveria federale mund të mos jetë në gjendje të paguajë shpenzimet e saj që nga data 1 qershor, pra vetëm pas tetë ditësh, ndërkohë që do të duhen disa ditë për të miratuar legjislacionin në Kongresin e ndarë për këtë çështje.

Drejtuesit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do të bëjnë pushimin njëjavor të planifikuar për të filluar nga e enjtja, me rastin e Ditës së të Rënëve gjatë shërbimit ushtarak. Megjithatë, ata kanë thënë se mund t’i thërrasin sërish me urgjencë ligjvënësit në sesion, nëse do të duhet që të organizohet një proces votimi./VOA

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?