‘Requiem’ i Verdit, për herë të parë në ‘Opera’! Artistët e Teatrit e ata italianë bashkohen me Orkestrën dhe Filarmoninë e Kosovës

20 Tetor 2022, 21:04| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 22:16

  • Share

E krahasojnë me Kapelën e Sistinës së Mikelanxhelos,  e në të nuk ka vetëm muzikë, “Messa da Requiem” e Giuseppe Verdit për herë të parë jetësohet në Teatrin e Operas. Një requiem shpirtëror që sjell tallazet e jetës së Verdit, e vdekjet që mbërthyen familjen e tij, por edhe pozicionin laik mbizotërues në Evropën e viteve ‘800.  

Muzikë që mbërthen  dyshimet, terrorin, përpjekjet e kompozitorit për të kuptuar misterin e vdekjes, e arsyetuar rreth besimit, pa e humbur romantizmin jetësohen nga katër solistë, orchestra e RTSH-së dhe ajo e TKOB si dhe kori i dyfishtë, nga “Opera” dhe Filarmonia e Kosovës.

“Është një rol dhe koncert shumë i madh. Të zgjidhesh për të punuar me të tillë kolegë dhe në një Opera kaq të bukur, për mua do të thotë me të vërtetë shumë”, thotë solisti Andrea Vittorio De Campo.

“Pavarësisht komponentëve të shumtë, që kërkon ky kompozim, si orkestra, kori, artisti e gjen veten vetëm, duke folur drejtpërdrejtë me Zotin. Në disa pika e trajton si të barabartë me veten. Sepse ky është Requiem-i, është shumë, është një përballje e fortë e vetmitarë me Zotin”, thotë tenori Raffaele Abete.

Ndërsa dirigjenti i orkestrës rrëfen çka e nxit të rikthehet në “Operan” shqiptare, tanimë për të vënë në skenë, këtë vepër të kompozitorit të njohur italian.

“Unë udhëtoj shpesh, punoj në të gjithë botën por ky teatër, kjo opera, kjo orkestër kanë për mua diçka shumë të veçantë dhe është diçka e vështirë për tu përshkruar, sepse në punën tonë ajo që ka me të vërtetë rëndësi është emocioni që ndiejmë.”, thotë dirigjenti Jacopo Sipari.

Artistët ftojnë publikun, në dy mbrëmje radhazi, të premten e të shtunën, të përfshihen përmes muzikës në kërkimin shpirtëror veridan, për refleksionet në çka ndodh në post mortem e skepticizmin që mbetet edhe në finale tek kori përsërit “Libera me”…

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?