Fshatrat turistikë në juglindje dhe në veri të vendit janë mbuluar me petkun e bardhë këtë fundjavë. Rrugët e Korçës, Shkodrës dhe të Kukësit janë të hapura, por duhet treguar kujdes nga ana e shoferëve.
Kryeministri Edi Rama shkruan në rrjetet sociale se mjetet borëpastruese janë në terren në akset Kukës-Shishtavec, Bogë-Theth, Tamarë-Vermosh, Korçë-Dardhë. Drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë drejt këtyre zonave.
Në Dardhë të Korçës, ku përqendrohet numri më i madh i vizitorëve, trashësia e dëborës shkon në 5 centimetra. Aktualisht nuk raportohet për problematika, pasi firmat kontraktore po punon për ta mbajtur të hapur rrugën.
Në orët e pasdites dhe mbrëmjes pritet përkeqësimi i motit në qarkun e Kukësit. Aktualisht në Rrugën e Kombit, nga Morina deri në Tunelin e Kalimashit, lëvizja e mjeteve bëhet pa probleme. Në një njoftim të fundit kompania koncesionare ju bën thirrjeve shoferëve që gjatë udhëtimit të kenë me vete zinxhirët dhe gomat e dimrit, pasi priten reshje bore.
Nëse keni plane për të kaluar këtë fundjavë në fshatin turistik të Dardhës, po ju japim disa informacione të vlefshme.
Mëngjesin e kësaj të premte kanë rinisur rreshjet e dëborës në Fshatin Turistik të Dardhës. Reshjet e dendura vijojnë me intensitet mesatar por pa sjellë probleme në qarkullim në akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Qarri-Ersekë. Ndërkohë trashësia e dëborës ka shkuar mbi 5 cm
Mjetet borëpastruse dhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në terren duke punuar pa ndërprerje.
Temperatura në Dardhë është zero gradë.
Sipas informacioneve zyrtare, bëhet e ditur se kontraktorët po punojnë pa pushim përgjatë aksit rrugor Boboshticë – Dardhë, aty ku stuhia e dëborës ka goditur me intensitet më të lartë.
Momentalisht nuk raportohen bllokime të rrugëve, por në të gjitha rastet rekomandohet për drejtuesit e automjeteve të përdorin pajisjet dimërore. Gjithashtu të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore. Temperaturat gjatë natës, pritet që të shkojnë deri në -3 gradë celsius në këtë zonë. Ndërsa ambientet akomoduese janë plotësisht të rezevruara për këtë fundjavë në zonën e fshatit turistik të Dardhës.