Dardha, Voskopoja e Thethi ‘vishen’ me petkun e bardhë! Rrugët në Korçë dhe Shkodër të kalueshme pa zinxhirë! 500 familje pa drita në fshatrat e Korçës

8 Janar, 08:46| Përditesimi: 8 Janar, 20:34

  • Share

Juglindja e vendit është përfshirë nga reshjet e dëborës në lartësinë 700 metra mbi nivelin e detit, duke sjellë vështirësi në disa fshatra malorë të Korçës e Kolonjës. Janë afro 500 familje pa energji elektrike, në Lekas, Nice, Sterkanj, Media, Zharkanj.

Ndërsa elektricistet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve në rrjet. Rrugët nacionale që lidhin rajonin e Korçës janë të gjitha të kalueshme! Përdorimi i zinxhirëve kërkohet vetëm në segmentet Lozhan-Moglicë, Mashkullorë-Panarit.

Ndërsa rrugët e fshatrave turistike, Dardhë e Voskopojë janë të kalueshme pa zinxhirë. Siç shihet në pamje, borëpastrueset janë të terren për të mbajtur të hapura akset ku ka prezence bore e ngrice.

Edhe veriu i vendit është përfshirë nga reshjet intensive të dëborës, në lartësinë 1 000 metra mbi nivelin e detit. Në aksin Boge-Theth është punuar në orët e para të mëngjesit me dy mjete borëpastruese. Aktualisht rruga është e hapur dhe kalohet pa vështirësi me goma dimërore.

Me petkun e bardhë është veshur dhe Parku Kombëtar i Qafështamës, duke sjellë pamje të magjishme. Trashësia e borës shkon në 15 centimetra, por pa krijuar problematika për banorët e vizitorët. Akset rrugore të Krujës janë të gjitha të kalueshme pa vështirësi.

Ora 19:28
Korçë/ Ngecën në mes të dëborës nga stuhia, zhbllokohen dy 'xhipat' në Mashkullorë (Video)

KORÇË- Dy makina janë bllokuar dje në zonën e Mashkullorës në fshatin Vithkuq për shkak të dëborës së madhe. Siç raporton gazetari i Report Tv Armand Braho makinat që u bllokuan në tentativë për të kaluar në drejtim të Korçës janë zhbllokuar tashmë.

Reshjet intensive në majën e mashkullores prej dy ditësh kanë rritur trashësinë e dëborës në mbi 60 cm duke bërë që banorët të hasin problematika sa i përket qarkullimit.

Sipas informacioneve nga banorët njëri prej mjeteve (xhip) rrëshkiti në dëborë ndërsa tjetri nuk mundi të depërtojë duke bërë që të dyja makinat të mbeteshin në mes të dëborës.

Të dyja mjetet kanë qënë të mbushura me pasagjerë (familjarë) por që kanë arritur të shpëtojnë pa u lënduar dhe janë kthyer mbrapsht në fshatin Panarit. Ditën e sotme në terren kanë shkuar dy fadroma që kanë bërë të mundur zhbllokimin e mjeteve dhe rrugën.

1704739176_WhatsAppImage20240108at5.55.29PM1.jpeg

Ora 09:14
Zonat malore përfshihen nga reshjet e borës, borëpastrueset në terren

Gjatë natës vendet malore janë përfshirë nga reshjet e borës, konkretisht Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë. Deri më tani nuk ka problematika, ndërsa ARRSH thotë se borëpastrueset janë në terren.

"Gjatë natës i gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në zonat malore. Grupet e punës kanë qenë në terren për të bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës. Temperaturat kanë qenë të ulëta. Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë nga km 20 ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar

Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndërprerje. Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore", shkruan ARRSH. 

 

Ora 09:00
VIDEO/ Reshje dëbore edhe në Malësinë e Krujës, trashësia arrin deri në 15 cm

 

Reshje dëbore janë regjistruar gjatë natës në Malësinë e Krujës, kryesisht në lartësitë e parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës dhe të Malit me Gropa.

Trashësia e dëborës shkon në rreth 15 cm. Aktualisht nuk raportohet për problematika apo rrugë të bllokuara në këto zona, ndërkohë që reshjet kanë pushuar.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?