Pas temperaturave të larta, është rikthyer moti i keq në vendin tonë. Nga reshjet e dendura të shiut, ka pasur probleme në disa akse rrugore duke bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Rajoni i Lezhës u përfshi nga stuhi me reshje te dendura shiu paraditen e kësaj të mërkure, të cilat sollën probleme. Në Shëngjin ujërat e zeza dolën në sipërfaqe, duke mbuluar një pjesë të akseve rrugore, në zonën e Kunes dhe qendrën e qytetit. Situata e krijuar vështirësoi lëvizjen e qytetarëve dhe krijoi një aromë të rëndë në këtë zonë turistike, e cila gjatë kësaj periudhe është mjaft e frekuentuar nga vendas e të huaj.
Për normalizimin sadopak të situatës ndërhynë punonjësit e Shërbimeve Publike të Bashkisë Lezhë, duke mbajtur nën kontroll pusetat me qëllim largimin sa më shpejt të ujërave. Kjo problematike është e vazhdueshme kur ka reshje shiu me intensitet te larte pasi kanalizimet nuk e përballojnë nivelin e prurjeve. Ndërkohë moti i keq me stuhi dhe reshje shiu zbrazi, plazhet në zonën turistike të Shëngjinit. Pushuesit u larguan, duke qëndruar nëpër hotele, ndërsa çadrat dhe shezlonget u mbyllen.
Ndërsa pati prezencë të madhe të ujit në autostradën Tiranë-Durrës. Edhe në Berat u përmbytën disa rrugë të qytetit për shkak të stuhisë së breshërit. Në Elbasan pati bllokim të një korsie në aksin rrugor Elbasan-Librazhd për shkak të rrëzimit të një peme nga era e fortë, e shoqëruar me reshje shiu.
Moti i keq, me rrebeshe shiu dhe breshër, që ka përfshirë që prej 1 ore qytetin e Beratit, ka shkaktuar përmbytje në disa akse rruge në qytet. I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu dhe breshëri ka pushtuar rrugën e qytetit, duke vështirësuar mjaft lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve. Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”,,“Stadiumi i Vjetër”,"Axhensi" dhe "Kthesa e Gjykatës", ku duket qartë edhe nga pamjet filmike që uji ka vërshuar mbi rrugë dhe ka mbuluar edhe trotuaret.
Siç duket, reshjet kanë shkaktuar probleme në bllokimin e kanalizimeve në qytet duke nxjerrë jashtë funksionimit pusetat e ujërave të zeza e të larta. Në rrugë kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit,të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët e qytetit dhe normalizimin e situatës.
Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar përmbytje edhe në autostradën Tiranë-Durrës. Nga pamjet duket qartë prezenca e madhe e ujit në rrugë që vështirëson lëvizjen e automjeteve.
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut që pushtuan Elbasanin është rrëzuar një pemë. Njëra korsi e aksit rrugor Elbasan-Librazhd është bllokuar, konkretisht në vendin e quajtur Xibrakë.
Zjarrfikësja ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku së bashku me firmën kontraktuese të rrugës kanë bërë heqjen e pemës. Në vendngjarje është e pranishme edhe policia rrugore për të parandaluar aksidentet.