LEZHË- Reshjet e dendura të shiut krijuan jo pak probleme në qarkun e Lezhës, pasi shkaktuan dëme në shumë banesa në zonën e Barbullojës, ku në lagjen “Mirdita”, banorët kanë qëndruar të izoluar prej të paktën 4 ditësh, ndërsa niveli i ujit arriti deri në 50 cm.
Megjithëse situata nga moti i keq është përmirësuar, ajo ka lënë pas dëme. Në një intervistë me gazetarin e Report Tv, Elvis Hila, një banor i Barbullojës tregon se uji hyri në të gjithë banesën, familja nuk mund të dilte, fatmirësisht kishte në shtëpi produktet ushqimore, pasi përndryshe nuk do mund të dilte t’i blinte, sepse ishin të izoluar.
Ai thotë se e gjithë toka e tij, e cila ishte e mbjellë me grurë është përmbytur, ndërsa kërkon nga Ministria e Bujqësisë që të vlerësoj dëmet që kanë pësuar banorët nga përmbytjet, për të cilat ai thotë se nuk janë parë që prej vitit 2002.
“Situata e përmbytjeve ka qenë shumë problem gjatë 4 ditëve. E gjithë sipërfaqja është e përmbytur, nën ujë. Tani aktualisht ka mbi 30 cm ujë. Kam 7 dynym grurë të mbjellë, është tërësisht i përmbytur nga uji. Nuk kemi pasur mundësi të dilnim nga shtëpia.
Për ushqimet dhe gjërat e tjera , nevoja familjare i kemi pasur brenda , por, të kisha nevojë nuk mund të shkoja prej ujit. Ka qenë e madhe përmbytje a e 2002-it , por kjo ia ka kaluar. Bagëtitë i kam çuar në vend tjetër.
Nga institucionet i kërkoj Ministrisë së Bujqësisë të vlerësojë dëmet . Kanalet nuk pastrohen. Pompat nuk kanë funksionuar. Kanalet kulluese kanë dy vite që janë hapur, por tani janë bërë për t’u pastruar.”- u shpreh ai.