‘Ura e Zogut’ mbi lumin Mat vijon të jetë nën rrezikun e shembjes totale të saj nga momenti në moment pavarësisht projekteve për të shpëtuar atë.
Reshjet e shiut nuk po favorizojnë aspak shpëtimin e këtij monumenti kulturor të kategorisë së parë.
Mos nisja e zbatimit të projektit emergjent të miratuar nga Qeveria Shqiptare që në muajin mars të këtij viti për restaurimin e këtij monumenti, solli reagimin e aktivisteve të Shoqërisë Civile. Aktivistja Elsa Sula thotë se në kushtet që ndodhet Ura e Zogut është më e rrezikuar se kurrë dhe askush nuk jep informacion kur pritet të nisë puna në terren për shpëtimin e saj.
“Përgjatë këtyre 8 muajve pritje, i jemi drejtuar me kërkesa disa herë Ministrisë së Kulturës dhe institutit të trashëgimisë kulturore, por asnjëherë nuk na kanë bërë me dije afatet e tenderimit dhe kur fillon ndërhyrja”, tha aktivistja Elsa Sula.
Aktivistët paralajmërojnë kallëzim penal për të gjitha institucionit përgjegjëse, të cilët vijojnë të heshtin për ketë monument të Trashëgimisë Kulturore.
“Nuk po rrëzohet për shkak se nuk mund të qëndroje në këmbë, por për shkak të babëzisë dhe të papërgjegjësisë shtetërore, që po lejon firmat që edhe në këtë kohë me shi të marrin inerte poshtë kësaj ure. Për të gjitha këto fakte, ne kemi gati kallëzimin penal”, tha një tjetër aktivist.
Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra u ndërtua nga Mbreti Zog në fund të vite 20 të shekullit të kaluar.