Reshjet e dendura të shiut sollën përmbytje në disa rrugë të qytetit bregdetar të Durrësit, si në zonën e “Velierës”. Një makinë, siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, është përmbytur dhe rrethuar nga uji në nënkalimin e “Velierës” në lagjen nr. 1 të Durrësit pranë portit.
Situata ka qenë mjaft e rrezikshme për drejtuesin e mjetit dhe familjen e tij, i cili në orët e para të mëngjesit ka qenë duke udhëtuar drejt Rinasit, kur është përballur me reshjet e dendura të shiut. Makina i mbeti e bllokuar në mes të ujit, duke u rrezikuar edhe jetën shoferit dhe familjes së tij. Ai rrëfen për Report Tv se për të shpëtuar, kanë dalë nga makina dhe kanë notuar.
“Po vinim nga ora 5 e gjysmë, isha për në Rinas. Mendova që po e kaloj, se nuk kishte shumë. Siç e sheh, ngeca bashkë me familjen në makinë. Pastaj me not dolëm jashtë. Shkuam u ndërruam u bëmë. Makina e bllokuar, ka që në orën 5 e gjysmë aty. Kishte pak më tepër, tani është ulur niveli i ujit, ishte deri tek pasqyrat. Kjo është makinë e re, mund të them që nuk bëhet më. Është 40 mijë euro makinë”, rrëfen pronari i makinës për Report Tv.
Lajmi kryesor:
Rikthehen reshjet e dendura të shiut! Përmbytje në Vlorë dhe Lezhë, problematike situata edhe në Durrës (VIDEO)
SI.E./ReportTv.al
