Kompania e Jared Kushner, dhëndrit të Trump, mori statusin e investitorit strategjik duke i hapur rrugë ndërtimit të resortit luksoz në ishullin e Sazanit me vlerë 1.4 mld euro. Gazetari Flogert Muça i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, thotë se kjo marrëveshje është një imazh që do të përfitojë Shqipëria edhe nga zhurma që di të prodhojë Trump. Ai thekson se vetëm 8% e sipërfaqes së ishullit do të shfrytëzohet për ndërtimin e këtij resorti.
“Imazhi ose PR që i bëhet vendit për shkak të zhurmës që di të prodhojë Trump, të gjitha janë në interes të Shqipërisë. Vetëm 8% e Sazanit do jetë e shfrytëzueshme investitorit strategjik. Politika sot nuk është vetëm marrëdhënie institucionale, është marrëdhënie njerëzore”, tha Muça.
Muça zbulon se Rama do të jetë i vetmi kryeministër nga Ballkani që do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Trump më 20 janar si president i SHBA.
“I vetmi kryeministër apo kryetar shteti, nga Ballkani do jetë vetëm Rama”, tha Muça.
Rezart Kthupi nga ‘Djathtas 1912’ thotë se investimet strategjike janë të mirëpritura, aq më tepër kur bëhet fjalë për investime të huaja. Por shpreh rezerva, pasi sipas tij Rama e njoftoi këtë investim strategjik para se të futej në procedurat e shtetit shqiptar.
“Gjithë investimet strategjike janë të mirëpritura, ky është rasti i parë që investitori strategjik është i huaj. Është absolutisht i mirëpritur. Aq më tepër kur bëhen nga partnerë strategjikë, problemi që kemi ne, është se kjo nuk erdhi si pasojë e procedurës së brendshme të shtetit shqiptar, që Kushner të përfitonte një procedurë. Është deklaruar në vetë të parë nga Rama pas një takimi informal në një nga brigjet e detit të jugut. Është çuar kryeministri ka thënë do bëjmë investim strategjik dhe kjo bëhet me një foto informale në një takim informal të kryeministrit. Jep një investim strategjik pa nis procedura. Deklarimi është bërë një vit e gjysme para. Vullneti nuk mund të tejkalojë procedurat shtetërore”, tha Kthupi.