Sot, besimtarët ortodoksë kremtojnë ditën e shënuar të Lindjes së Hyjlindëses Mari. Në këtë ditë, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftuan se janë drejt përfundimit punimet restauruese në Manastirin e Spilesë, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore.
“Më 8 shtator, në ditën e shënuar të Lindjes së Hyjlindëses Mari, ndodhemi pranë përfundimit të punimeve restauruese në Manastirin e Spilesë, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Monumenti po rilind, duke ruajtur autenticitetin dhe duke qëndruar besnik historisë shekullore. Në këtë ditë të bekuar, ky projekt është një mesazh i qartë: ruajtja e trashëgimisë është akt besimi, dashurie dhe përkushtimi për brezat që do të vijnë”, shkruajnë Rama e Gonxhja ndërsa kanë ndarë edhe pamje nga puna për restaurimin.
Punimet kanë përfshirë:
-Sondazhe arkeologjike dhe verifikime të themeleve
-Pastrime dhe heqje të ndërhyrjeve të papërshtatshme
-Konsolidim dhe restaurim të kupolave, qemerëve e mureve me gurë
-Përforcim të strukturave me materiale bashkëkohore, në harmoni me teknikat tradicionale
-Restaurim të dritareve, dyerve dhe elementeve të brendshëm e të jashtëm të kishës
Manastiri i Shën Mërisë Spile është nga më të bukurit e Lunxhërisë. Ai ndodhet mbi Saraqinisht, rreth 20 km larg Gjirokastrës. Mbishkrimi mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton në vitin 1634.
Kisha e manastirit të Shën Mërisë Spile është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”, i miratuar në qershor të vitit 1973. Manastiri është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit Kalist. Manastiri ngrihet mbi një shkëmb gëlqeror për shkak të shpellave karstike. Aty kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerjeje para Perëndisë.
Komente

Shumë mirë që kujdeset shteti dhe për trashëgininë kulturore e historike.Pastaj atë e merë...A është shteti i ndarë nga feja në SHQIPËRI?MUA MË INTERESON QË TË FORCOHET RENDI,MDROJTIA ,SHËNDETËSIA, ARSIMI DHE PENSIONET AKOMA MË SHUMË.PËRSE kur ndërron jetë një njer për humanizëm të mos marrin lekë si prifti e hoxha.A harova nuk quhet.
Përgjigju