Kultura

Restaurimi i Mozaikut të Tiranës, riaktivizohet sajti! Arkitekti Kërpaçi: Kemi ruajtur elementet kryesore

27 Shtator, 14:53| Përditesimi: 27 Shtator, 18:05

  • Share

Për vite të tëra Mozaiku i Tiranës, një dëshmi e rëndësishme arkeologjike, gjendej thuajse I humbur, mes atmosferës të zymtë të një grupi pallatesh së kohës së diktaturës, të lënë pas dore, jo larg qendrës së kryeqytetit. Gjithkush mund t’i kalonte pranë, pa e vënë re dhe pa kuptuar se aty ndodhej një monument me vlera.

Një ndërhyrje nga nga studioja arkitekturore “SON Architects”, e ka rigjallëruar, përmes realizimit të një strukture me një dizajn modern, të frymëzuar nga vetë simbolet e mozaikut.

Sipas arkitektit Rio Kërpaçi, Mozaiku i Tiranës pati nevojën e aktivizimit edhe për t’u kthyer në element gjenerator aktivitetesh të ndryshme për studiuesit, për artdashësist dhe fëmijët.

“Në zonë është ndërhyrë në dy komponentë kryesorë, ai i pasazhit që ti duhet të studiosh, duhet të mësosh dhe duhet ta ndjesh gjithë hapësirën dhe të kuptosh se për çfarë po flitet në këtë sajt arkeologjik. Dhe elementi i mbrojtjes, apo elementi që ndihmon me facilitete të ndryshme këtë sajt arkeologjik", shprehet arkitekti Rio Kërpaçi. 

Arkitekti shpjegon se elementi kryesor i mozaikut të Tiranës apo identifikues i tij është rrethi i jetës apo lulja e jetës, që tregon zhvillimin, tregon mbrojtjen dhe për këtë arsye është përdorur në ndërhyrjen arkitektonike.

"Si element identifikues ne nuk donim të transformonim dhe të dilnim jashtë kësaj kornize, por është përdorur edhe si element kyç në projektimin e hapësirave ndihmëse për mozaikun.” Struktura e objektit së bashku me petalet, siç i quajmë ne, funksionojnë lidhur ngushtë me njëra-tjetrën si një kundrapeshë. Pra vetë objekti nuk është i lidhur me tokën, është i gjithi mbi tokë, për të mos dëmtuar sajtin", shpjegon ai. 

Ky element krijon edhe hapësira të ndryshme për studimin e vetë mozaikut, por edhe hapësira zyrash dhe hapësira të tjera në hollin e katit përdhes, siç është ajo e ekspozimit, ku fëmijët, arkitektët, studiues të historisë apo dhe vetë arkeologë mund të krijojnë herë pas here ekspozita të ndryshme për tu njohur me mozaikun e Tiranës dhe mozaikë të të gjithë Shqipërisë.

Kërpaçi shpjegon se kjo ndërhyrje në mozaikun e Tiranës ndikon po ashtu në të gjithë zonën përreth, duke krijuar hapërira të shumta publike.

Mozaiku i Tiranës është zbuluar në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës.

Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian.

Restaurimi i mozaikut të Tiranës është konceptuar në mënyrë të tillë, për të përfshirë edhe një platformë që mundëson ekspozimin e mozaikëve të mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme, si: Apolonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, etj., duke qenë se ato qëndrojnë të mbuluar për t’u ruajtur nga faktorët e motit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?