Restaurohen shtëpitë muzeale në Berat, zbulohen mbishkrime të hershme e ornamente të veçanta (VIDEO)

1 Korrik 2020, 19:20| Përditesimi: 1 Korrik 2020, 19:27

  • Share

"Gorica" po ndryshon pamje. Ka nisur restaurimi i shtëpive në lagjen muzeale. Restaurimet e këtyre shtëpive me arkitekturë të veçantë po nxjerrin në dritë mbishkrime të hershme.

Report TV ndoqi nga afër restaurimin e banesës Bullari, ku është gjetur një mbishkrim i vitit 1856. Restauratori thotë se mbishkrimi tregon se banesa i është nënshtruar rikonstruksionit në atë kohe.

"Kemi datën dhe vitin e rikonstruksionit të fundit që i është bërë banesës, mund të ketë qenë tërmet, gojëdhëna janë", tha ai.

Në intervistën për Report Tv drejtori i monumenteve të kulturës në Berat, Eugen Kallfani tregoi detaje të punës në këtë monument kulture të kategorisë së parë.

"Banesa Bullari është monument kulture kategoria e parë. Është një nga banesat më interesante në lagjen Goricë. Pjesa e afreskut që ka në qoshkun e vet një mbishkrim që daton në 1856, që tregon një restaurim të mundshëm që i është bërë banesës në atë kohë. Edhe në këtë banesë edhe pse pronësia ka sjellë ndarjen në dy pjesë të saj, kemi ndërhyrë në pjesën e fasadës, të strehës, pjesës së suvasë, kollonave të qosheve dhe fashaturave horizontale", tha Kallfani.

Një tjetër objekt i rëndësishëm që është restauruar tashmë është banesa e Buzho Fillerit, ku është zbuluar një ornament i shekullit XIX.

"Sapo kemi përfunduar banesën e cila u restaurua në fasadë, afresku i cili ishte tepër i dëmtuar. Kemi trajtuar elementët e suvasë, qoshet, strehat dhe jemi duke e përfunduar fasadën lindore të afreskut", tha ai.

Po kështu do të restaurohen edhe banesa e kisha të tjera, pjesë e zonës muzeale në Berat.

"Kemi në plan të restaurojmë  banesën Buda në lagjen Goricë dhe Kala me tre objekte", ka theksuar Kallfani.

Pandemia e ka ngadalësuar pak punën, por drejtori i monumenteve thotë se do të vazhdohet me projektet e fazës së dytë. Sa i përket numrit të vizitorëve Kallfani thotë se ka qenë shumë më i ulët krahasuar me vitet e tjera edhe pse janë bërë përpjekje siç është vendosja e një teleskopi në kalanë e Beratit, një mundësi tjetër për ta "shijuar " Goricën nga nga kanaku i Kalasë. Në total janë 8 objekte në plan për tu restauruar në Berat gjatë vitit 2020.

Restaurimi i banesës Bullari në Berat

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?