Restaurohet kisha 8 shekullore e Shën Ndout, fra Jaku: Bota i ruante, komunizmi i shkatërronte, jemi drejt një ecje të re! Ministrja: Bashkë për kulturën

28 Maj 2022, 20:22| Përditesimi: 28 Maj 2022, 20:30

  • Share

Rrugëtimi i kësaj të premteje drejt Kishës së Shën Ndout në Kepin e Rodonit, bëhet për të përuruar restaurimin e saj, pas dëmtimit të tërmetit të vitit 2019... 

Monument kulture me arkitekturë romaniko-gotike e shek. XIII-të, e njëherazi objekt kulti i rëndësisë së veçantë, kisha, ndryshe nga s’ndodhte në të kaluarën bëhet  pikë për bashkuese mes qytetarëve e institucioneve.

“Besoj se të gjithë së bashku jemi duke bërë diçka mbi këtë rrugëtim për kulturën, prandaj me lejoni t’ju quaj miq të kulturës, sepse mendoj kur flasim për restaurimin, akoma dhe më shumë ndjejmë nga afër ndjenjën e komunitetit. Një hapësirë rrugëtimi ku janë puqur breza kombesh, fatesh ku lidhen bashkë legjenda, e shenjta dhe komuniteti. Po vendosim në plan të parë identitetin tonë kulturor. Vërtet Evropa është këtu, por Shqipëria po përqas identitetin e saj. Ka qenë një rijetësim, filozofia që na ka bashkuar në programet post tërmet. Për t’i dhënë një jetë monumenteve të kulturës është një sfidë sidomos pas tërmetit. Në Shqipëri do të gjeni gjithnjë mysliman që shkojnë në kisha dhe anasjelltas, dhe besoj që fryma e komunitetit është e madhe. I jam falënderuese të gjithë ambasadorëve që bënë të mundur arritjen e marrëveshjeve”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Një moment i bukur dhe emocional. Dua t’ju falënderoj që më ftuat të jem pjesë e festimeve. Kur erdha në Shqipëri tre vite më parë dhe kur zbuluam këtë vend një ditë tetori, u shtangëm nga bukuria e gjithçkaje që pamë rreth nesh. Për mua ishte zbulim i mrekullueshëm edhe fakti që ishte vendi im, Gjermania, e cila kishte investuar për këtë kishë në vitin 2001. Europa është këtu dhe kur them Europa është këtu e kam fjalën për shtetet si edhe njerëzit të cilët janë këtu për të treguar partneritetin që kemi me njëri-tjetrin. Jam krenar që jam këtu dhe të shoh pjesën tjetër të restaurimit dhe punës që vazhdon të bëhet” , thotë ambasadori gjerman Peter Zingraf.

Rrethuar nga dy kodra e pranë bregut të detit, vlerat e kësaj kishe, monument kulture që prej vitit 1963, harmonizohen me peizazhin, duke u shndërruar edhe në një pikë atraksioni për turistët..

“Në kishë janë bërë ndërhyrje restauruese edhe në vitin 2001, sepse gjendja ishte shumë e rëndë. Sepse s’duhet të harrojmë që në një kohë që Evropa bënte restaurime, në vendin tonë objektet fetare shkatërroheshin. Tashmë kemi nisur një rrugë te re dhe jemi shumë mirënjohës. Ne kemi dhe një dëshirë, nuk di sa do jetë mundësia të plotësohet. Në afërsi të Kishës kemi dhe një pjesë të manastirit, i cili do vetëm pak të rregullohen ambientet për ti shërbyer më mirë  kishës dhe komunitetit”, thotë fra Landi Jaku.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, restaurimi i këtij monumenti  u mundësua nga Eu4Culture  e u zbatua nga UNOPS, në kuadër të një projekti që përfshin restaurimin e objekteve të tjera si Kalaja e Bashtovës apo Kulla Veneciane...

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?