Në oborrin e kishës mesjetare "Shën Barbara" në Pllanë të Lezhës u zbulua obelisku që kujton hapjen e shkollës së parë shqipe nga kleri katolik në vitin 1638.
“Jam impresionuar jashtëzakonisht shumë nga historia që mban në vete kjo kishë që prej shekullit të XIII- XIV e ndërtuar sipas stilit romak. Po ajo që më ka impresionuar më tepër është që kjo kishë ka shërbyer edhe si një shkollë, 1638 ku mësohej gjuha dhe leximi shqip. Kur i referohemi Shkollës së parë Shqipe, ne kujtojmë “Mësenjtoren e Parë Shqipe” në Korçë , në 7 mars 1987. E vërtetojnë dëshmi dhe burime të ndryshme që kjo kishë ka shërbyer edhe si shkollë. Historia ka treguar që kishat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të mësuar gjuhën shqipe, jo vetëm për të mësuar vetëm gjuhë dhe lexim por edhe atdhedashurinë tek shqiptarët dhe për të ruajtur identitetin tonë kombëtar brez pas brezi", tha ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Memoriali për shkollën e parë shqipe përmbyll punimet restauruese në kishën 700-vjeçare të Shën Barbarës.
“Ndër momentet e Kulturës një moment të rëndësishëm zë edhe “ Kisha e Shën Barbaras”, kushtuar Shën Barbaras martire e shek IV-ët në Pllanë shpallur monument kulture në vitin 1973. Ky ndërtim i mesjetës është një dëshmi materiale, shpirtërore, autentike me vlera të jashtëzakonshme për studimin e historisë arkitekturore, afreskeve të arritura deri më sot", tha studiuesi Dom Nik Ukgjini.
Kisha e Shën Barbarës në Pllanë të Lezhës është një nga kishat e vjetra në Shqipëri, shpallur prej kohësh monument kulture. Ajo shquhet për afresket e çmuara, në pjesën e absidës dhe muret në hyrje, që kanë mbërritur deri në ditët e sotme. Kisha është restauruar me nismën e Dom Nikë Ukgjinit dhe me donatorë privatë. Në ceremoni morën Ipeshkvi i Lezhes Otavio Vitale, monsinjor Angelo Masafra, prefekti Gjok Jaku dhe kryebashkiaku i Lezhes, Pjerin Ndreu.