Pas muzealizmit dhe restaurimit është çelur sërisht Muzeu “Mësonjëtorja e parë shqipe” në qytetin e Korçës. Gjatë inaugurimit të kësaj ndërhyrje të bërë në godinën që shërbeu si shkolla laike shqipe nga 7 marsi i vitit 1887, ministrja e Kulturës Elva Margariti shpjegoi dhe arsyet e zhvendosjes së obeliskut ABC nga pjesa qendrore e oborrit në atë anësore.
“Keq kur vë beton dhe keq kur heq beton. Indinjatën e kam dëgjuar nga pak persona, nuk i është hequr asgjë nga vlera që mbart simboli i një vepre të tillë artistike, ajo është kthyer në një element akoma më të vyer në momentin, ndërsa në këtë hapësirë tashmë çdokush mund të ulet dhe të diskutojë dhe të shpreh me shumë mbi dijen e mësonjëtores. Ashtu si Udha e Shkronjave, që ishte e vendosur nën hyrjen e shkallës është kthyer po njësoj në një aktor në këtë hapësirë të madhe”, thotë Margariti.
Ndonëse, për qytetarët korçarë, specialistët e trashëgimisë, por dhe për breza të tërë obelisku ABC ka qenë simbol për muzeun, Margariti mendon se pas ndërhyrjes restauruese prej 30 milionë lekësh në këtë muze është arritur e bukura artistike
“Jam e kënaqur që ne çdo detaj kemi arritur të lidhim të bukurën artistike me simboliken e saj, unë e shikoj të lidhur ngushtë me rrënjët e tokës. Keq kur vë beton dhe keq kur heq beton”.
Në përfundim të inaugurimit Margariti komenton dhe mospërfshirjen e emrit të saj në listën e partisë socialiste, si deputete
“Jam brenda skuadrës sa të gjithë personat në skuadër, sepse të jesh pjesë e politikës dhe t’i japësh kontributin tënd sidomos në nderin që unë kam si ministre e Kulturës, që përcjell në këtë rast të bukuren shqiptare është detyrë e çdokujt prej nesh si të qenit deputet dhe jo deputet. Të jesh pjesë e parlamentit nuk është e vetmja mënyrë për të bërë politikë dhe këtë e kam treguar që në momentin e parë që jam kthyer në Shqipërinë time pas 16 vjetësh emigracion, kam nderin të përfaqësoj të bukurën shqiptare me postin që mbaj”, përfundon ministrja.