Restaurohet pas 44 vitesh ‘Mësonjtorja’! Roza Anagnosti: Punuam me dashuri! Natasha Lako: Si ia hoqën emrin Sevasti Qiriazit! Meraku i Guljelm Radosë

13 Shtator 2023, 15:33| Përditesimi: 13 Shtator 2023, 16:01

  • Share

Kanë kaluar 44-vjet prej realizimit të tij. Arkivi i Filmit dhe Qendra e Artit Bashkëkohor ‘Harabel’, si producentë të projektit, shfaqin jo rastësisht në këtë fillim të sezonit të ri shkollor filmin “Mësonjëtorja” të regjisorit Muharrem Fejzo, tanimë të restauruar…

“Muharremi atje lart ku është ndriçon si një yll! Njeri i mrekullueshëm dhe artist shumëdimensional, se ai ishte piktor, skulptor, grimier, muzikant, i kishte të gjitha... Por mbi gjithçka, ishte i butë në shpirt, gjatë xhirimeve kishim një komunikim të mrekullueshëm me të gjithë stafin, puna bëhej pa sforco”, thotë aktorja Roza Anagnosti.

Në Pallatin e Brigadave mbrëmjen e së martës janë mbledhur artistët, familjarët e tyre, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e dashamirës të kinematografisë…

Studioja “Quality Matters” në Indi ka përmirësuar dukshëm gjatë restaurimit digjital, audio e video nga origjinali në negativ 35 mm…  Sytë e protagonistes, Roza Anganostit janë të përlotur…

“Ka qenë një film i punuar me shumë dashuri nga të gjithë kolegët. Që nga punëtori i skenës e deri tek aktori më i madh”, thotë Anagnosti.

Pas rolit të Dafinës që ajo interpretoi ishte figura e Sevasti Qiriazit, fillimi i përpjekjeve të saj për hapur shkollën e parë shqipe të vajzave …

“Sevasti Qirjazi ka një histori kaq të mrekullueshme, që do ta kishte zili çdo vend ta kishte”, shprehet më tej Anagnosti.

Skenaristja Natasha Lako tregon se ky përkim i ‘portretit’ artistic me atë real të Sevastisë nuk është rastësor…

“Unë jam korçare dhe duke dëgjuar që nga fëmijëria ime historitë e Sevastisë, kujtimet e nxënësve të Sevastisë etj., unë e njihja Sevastinë”, tregon skenaristja e filmir Natasha Lako. 

Sikundër nuk është rastësore, heqja e emrit të saj, kur diktatura persekutonte të afërmit e saj.

“Unë me Muharremin e shënuam në fillim të filmit emrin e Sevastisë,por ata e hoqën. Për arsye që dihen. Mirëpo unë kam guxuar në atë kohë të shkoj në familjen e saj me të tërë të deklasuar. Asaj ja kanë shkatërruar edhe varrin e të shoqit në ’44-ën”, tregon më tej Lako.

Mes të pranishmëve në këtë ngjarje, është edhe piktori i Filmit Shyqyri Sako, si për të na kujtuar edhe njëherë realizimin e dikurshëm të posterave e dekoreve në prodhimet kinemasë së vjetër, filmave të ish-Kinostudios…

“Ai film u bë shumë i bukur se u bazua në realen, më pas ne ndërtuam dekorin e brendshëm në Kinostudio”, tregon piktori i filmave Shyqyri Sako.

Ndihet mungesa fizike e regjisorit, Muharrem Fejzo, e mbesa Alina e kujton me fjalë zemre...

“Ai kishte një dashuri të madhe për skulpturën, historinë, muzikën e padyshim filmin. Kishte një dashuri të madhe për njerëzit, në zemrën e tij kishte vend për të gjithë. Ishte enciklopedia ime!”, tregon e mbesa po ashtu artiste (balerinë, fotografe etj), Alina Fejzo.

Por filmat shërbejnë edhe si kujtesë, jo vetëm e artit që u bë, e historisë që mbartin, por edhe e mallit e nostalgjisë… I biri, Redi, e rijeton sërish të atin Guljem Radonë këtë mbrëmje përmes interpretimit të tij mjeshtëror, që skaliti figurën e Stefan Bardhit.

“Im at kishte këtë shqetësim për ruajtjen e filmit, sidomos pas komunizmit, sa herë që filmat shfaqeshin në televizor etj., dhe dukej sikur cilësia e tyre zbehej, dhe ai thoshte gjithmonë: A do t’i rezistoj kohës apo jo?!”, tregon muzikanti Red Radoja.

Krahas “Mësonjëtores”, gjatë mbrëmjes u shfaq edhe filmi i animuar “les Fauves” i artistit Stefan Taçi i restauruar.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?