Është shumë e vështirë të masësh humorin e një populli, gjendjen e tij shpirtërore, sa i lumtur është apo sa i mërzitur dhe i pakënaqur duket. Që nga viti 2012 kryhet edhe një sondazh për lumturinë që quhet Word Happiness. Studiues të ndryshëm kanë vënë re se nocioni i lumturisë përpunohet ose përcaktohet nga ekonomistët, filozofët, sociologët apo psikologët. Në rendet e para, sipas këtyre sondazheve, janë gjithmonë vendet nordike, banorët e të cilëve e lidhin lumuturinë me punësimin dhe kushtet materiale të jetës. Mirëpo e çuditshme është se edhe banorët e Arabisë Saudite që renditen të 28-ët në listën me 156 vende, e ndiejnë vetën të lumtur dhe të mendosh që atje femrat janë të privuara nga shumë të drejta.
Por, këto sondazhe u lejojnë organizmave të ndryshme, sidomos atyre që janë nën ombrellën e OKB-së, që të krijojnë një panoramë më të qartë për hartën e mirëqënies në një botë të ndarë në vende të zhvilluara e në më pak të zhvilluara, në vende të përfshira nga luftërat lokale e në vende realativisht paqësore.
Ndërkaq, siç vënë re studiues të të tjerë, paradoksi më i madh është se të varfrit e një shoqërie të caktuar asnjëherë nuk kanë pasur një përfaqësues të besueshëm që t’i përfaqësojë dhe shoqëria të marrë vesh saktësisht se sa janë ata, pse janë të varfër dhe si mund t’i ndihmojë që ata ta rrudhin varfërinë. Paradoksalisht, ata që flasin për të varfrit, për të pakënaqurit, për të mërziturit apo të hdhëruarit, janë të pasurit, të kamurit e të gjitha kategorive.
OKB-ja dhe organizma të tjera ndërkombëtare kanë ngritur prej vjetësh struktura që masin varfërinë, daljen nga varfëria dhe kanë përpunuar edhe matës të tjerë për të treguar gjendjen e popullsisë në botë.
Mirëpo, me një vëzhgim të shpejtë të bie në sy se shoqëritë e ndryshme nëpër botë që përplasen apo konflikte që ndizen anë e kënd globit, rrallë mund të jënë shtyrë nga varfëria. Më së shumti ato konflikte që kanë ndezur botën ose që vazhdojnë të nxjerrin tym ende janë ndezur për arsye ideologjike ; radikalizmi islam – 11 shtatori, aspirata për liri e demokraci – pranvera arabe, Bjellorusia , revolta kundër neokapitalizmit dhe tregut të lirë – jelekverdhët në Francë e kështu me radhë.
Bota ngjan si një fshat i madh dhe ngjarjet e fundit në SHBA që vunë në pikëpyetje sistemin e zgjedhjeve me akuza dhe me një retorikë që ia kaloi edhe babait gojëprishur ballkanik, Sali Berishës, e bënë demokracinë amerikane një pasqyrë të krisur të të gjitha brishtësive dhe deformimeve që sjell retorika e luftës kur ajo përdoret nga njeriu më i fuqishëm i planetit, siç ishte rasti i presidentit në detyrë të SHBA-ve, Donald Trump.
Nëse kthehemi në fshatin tonë të vogël, situata është edhe tragjike edhe komike. Duke përjashtuar ngjarjen e dhimbshme të vrasjes së Klodianit, që ishte një ndodhi e shkëputur dhe fatkeqësi e rëndë, gjithçka tjetër që ndodh në këtë vend është në parametrat e normalitetit karikaturor. Në vendin tonë, ligjërimi publik është në kufijtë absurdë të luftës dhe të përleshjes. Janë të njëjtët aktorë që mbajnë ndezur zjarrin e luftës. Atyre iu prin Sali Berisha i cili tani në fund është bërë një star edhe i rrjeteve sociale dhe kur e lexon duhet të mbash barkun me dorë. Epitetet që ai gjen për ata që sulmon ia kalojnë fantazisë së homuristëve të estradave të rretheve dhe aparatçikëve të KQ të PPSH-së kur sulmonin imperializmin amerikan, veglat e tyre dhe revizionizmin sovjetik e izmat nëpër botë.
Nga mëngjesi deri në darkë detashmenti që frymëzohet nga ligjërimi dhe retorika e luftës e Sali Berishës paraqet një Shqipëri që po zbrazet nga populli, që po e vjedhin, që mafia po vret natë e ditën. Nëse ti nuk jeton në këtë vend, por lexon çfarë shkruan komediani i tranzicionit, ty të del në ekran një vend ku njerëzit vriten rrugëve dhe vendi është në terr.
Vjen edhe Vjosa nga Prishtina dhe derdh në Tiranë gjithë retorikën e mbushur me ujin e zi të naivitetit dhe budallallëkut proverbial shqiptar dhe pasi ikën ajo, nuk të mbetet tjetër veç të vësh duart në kokë e të thuash po, mirë po pse paskemi qëlluar kaq të marrë, ne shqiptarët, pse nuk dimë as të tregojmë as të bisedojmë, as të kërkojmë atë që na takon dhe as të projektojmë një realitet që të paktën të jetë në parametrat normalë të jetës që jetojmë.
Shqiptarët asnjëherë në historinë e tyre nuk kanë qenë kaq të përfaqësuar në Ballkan. Në Malin e Zi një zv/kryeministër është shqiptar dhe ka një peshë jo dosidos, por është ai që mban drejtpeshimin e qeverisjes në atë shtet. Në Maqedoni prej disa vjetësh shqiptarët janë kthyer në një faktor të rëndësishmë të jetës politike atje. Shtoju këtyre edhe dy shtete me shqiptarë që janë Shqipëria dhe Kosova. Mirëpo, si është e mundur që kjo elitë shqiptarësh të mos frymëzohet nga ideja për ta mbrothësuar Ballkanin dhe kështu edhe shqiptarët, për t’u bërë faktor kryesor zhvillimi ? Mund të ketë shumë arsye, por unë mendoj se më kryesorja është kalbëzimi mendor i këtyre elitave, korrupsioni i lartë moral, mungesa e vetëdijes për të qenë burrë shteti i madh.
Të mbërthyer në retorikën e luftës, shumica e politikanvë tanë sidomos Vjosa Osmani tani në fund apo Albin Kurti e Sali Berisha e Ilir Meta në Shqipëri po krijojnë një realitet virtual që nuk ekziston, por që endet në mjegullën e tymit që u del nga koka këtyre politikanëve pa vizion. Të flasësh për luftë në Ballkan, siç bën Vjosa Osmani e Albin Kurti, të krijosh përfytyrime të pavërteta për dete e kufij që lëvizin në kokën e Sali Berishës apo edhe të ndonjë akademiku a politikani në Kosovë, kjo, më së paku, është një marrëzi nacionalromantike që e frenon lëvizjen dhe zhvillimin.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, mund ta shfrytëzojnë praninë e faktorit shqiptar që të bëhen promotore të inisiativave për zhvillimin ekonomik të Ballkanit dhe në asnjë mënyrë nuk ka pse t’ua lënë këtë inisiativë vendeve të tjera. Rritja e peshës së faktorit shqiptar në inisiativa rajonale që promovojnë zhvillimin dhe prosperitetin e Ballkanit do ta bëjnë faktorin shqiptar një element modern në këtë rajon. Mirëpo nëse vazhdojmë me retorikën e luftërave imagjinare për dete e kufij e trarë që ndahen në kokat e Sali Berishës, Vjosa Osmanit apo Ilir Metës ne do të vazhdojmë të vegjetojmë si një shoqëri e prapambetur që prodhojmë konflikte sureale mes njëri-tjetri dhe që hapësirën vitale të zhvillimit në rajon do t’ua lëmë ta mbushin parazitët e të gjitha ideologjive që nga ato isalmike e deri te ato neokomuniste.
I thua po kujt? Plerave Berishe & CO?
Përgjigju